Projekti zviceran për punësimin e të rinjve nis fazën e dytë
RisiAlbania nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) mbylli fazën e saj të parë dhe nisi fazën e dytë sot gjatë një hapjeje zyrtare tek Qendra Rinore në Tiranë me përfaqësues nga sektori privat, qeveria, organizatat civile dhe akademia.
“Ndihem i privilegjuar që programi i bashkëpunimit zviceran me Shqipërinë ka një pjesë të mirë të përkushtuar ndaj arsimit profesional, punësimit dhe zhvillimit të sektorit privat”, tha Ambasadori zviceran Christoph Graf në fjalën e tij të hapjes. “Kjo fazë e dytë do të ketë më shumë fokus tek bashkëpunimi me sektorin privat për të krijuar më shumë vende pune, për të mobilizuar diasporën shqiptare, dhe për të përfshirë më shumë nga segmentet e prekshme të popullatës si përfitues”, njoftoi Ambasadori Graf.
Zv. Ministrja e Financës, Ekonomisë dhe Punës Dajna Sorensen foli mbi nevojën për t’u fokusuar në hapjen e mundësive të reja për punësimin e të rinjve. “Ajo që e veçon RisiAlbania si projekt është fakti që jo vetëm adreson çështje sociale por e bën këtë duke zhvilluar bizneset”, tha Zv. Ministrja.
I pranishëm në aktivitet ishte edhe Matthias Herr nga Helvetas Swiss Intercooperation – zbatuesi kryesor i projektit – i cili foli mbi nevojën për “të hequr barrierrat për rritjen dhe investimet në sektorin privat si dhe për të hequr barrierat me të cilat përballen të rinjtë në aksesin për mundësi punësimi përmes arsimit, shërbimeve dhe mbështetjes”.
Gjatë fazës së parë RisiAlbania arriti të krijontë mbi 900 vende pune dhe gjithashtu i mundësoi mbi 5,000 të rejave dhe të rinjve gjetjen e punës. Duke punuar drejtpërdrejt me kompani private dhe me institucione qeveritare projekti prezantoi mënyra të reja për të bërë biznes, shërbime dhe produkte të reja, dhe paketa të reja informative mbi tregun e punës.
Megjithatë Ambasadori Graf paralajmëroi se “puna për krijimin e vendeve të punës për të rinjtë” nuk ka mbaruar ende. “Në fakt është thelbësore që të vazhdojmë ta adresojmë punësimin e të rinjve dhe të përshkallëzojmë çdo mënyrë të suksesshme për krijimin e më shumë vendeve të punës”, tha ai.
RisiAlbania fokusohet në mbështetjen e tre sektorëve: Agropërpunim, Turizm dhe Teknologji Informacioni dhe Komunikimi (TIK) pasi këto janë sektorët me më shume potencial premtues për punësimin e të rinjve.
Projekti zbatohet nga konsulenca Helvetas Swiss Intercooperation dhe OJQ-ja vendase Partners Albania.