Projektligji/ Qeveria shkrin Drejtorinë e Apelimeve pranë administratës tatimore

Me miratimin e këtij drafti, asnjë tatimpagues nuk mund të apelojë vendimet e padrejta të tatimorëve

Asnjë biznes nuk mund të apelojë vendimet që punonjësit tatimorë do të ndërmarrin ndaj tyre pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri për procedurat tatimore. Kjo pasi projektligji i sjellë në Kuvend, në nenin 4 të tij parashikon shkrirjen e Drejtorisë së Apelimeve pranë administratës tatimore. Konkretisht, projektligji nenin 4 të tij, që parashikon ndryshimin e nenit 16 të ligjit aktual të tij, përcakton në pikën 2 të tij se Pika 4 e ligjit aktual shfuqizohet. Konkretisht bëhet fjalë për shfuqizimin e Drejtorisë së Apelimit, e cila në pikën 4 të nenit 16 të ligjit aktual për procedurat tatimore parashikohet se: “Drejtoria e apelimit është një njësi e pavarur brenda administratës tatimore qendrore”. Duke iu referuar relacionit që shoqëron projektligjin, qeveria nuk jep asnjë shpjegim lidhur me këtë vendim, por thekson se ky organizim i ri administratës tatimore është përcaktuar në bashkëpunim dhe me asistencën e FMN-së.  “Në nenin 4 të projektligjit propozohen ndryshime në nenin 16 të ligjit në fuqi për organizimin funksional të administratës tatimore qendrore në departamente, drejtori, sektorë sipas funksioneve. Ky organizim është përcaktuar në bashkëpunim dhe me asistencën e FMN-së. Riorganizimi i administratës tatimore do të sjellë përmirësime qoftë në angazhimin e strukturave të brendshme, ashtu edhe në përmirësimin e ofrimit të lehtësive të ofruara ndaj tatimpaguesve”- thuhet në relacionin e qeverisë të projektligjit të procedurave tatimore, duke mos dhënë asnjë shpjegim për shkrirjen e Drejtorisë së Apelimeve. Me këtë vendim çdo tatimpaguesi i hiqet mundësia për t’u ankimuar përmes një ankimimi administrativ tatimor. “Në çdo rast, kur tatimpaguesi nuk është dakord me një akt administrativ dhe beson se administrata tatimore nuk e ka zbatuar në mënyrë korrekte ligjin, ai ka të drejtën e ankimit në Drejtorinë e Apelimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, duke kërkuar rishqyrtimin e pavarur të çështjeve që lidhen me këtë akt. Tatimpaguesi ka te drejtë që të dëgjohet, nëse e kërkon, në ankimimin e tij”- thuhet në ligjin aktual, por që me hyrjen në fuqi të këtij ligji, asnjë tatim-pagues nuk do të mund të ankimojë asnjë vendim që administrata tatimore mund të vendosë ndaj tij.

Procedura e ankimimit

Referuar Ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në RSH”, neni 106, “Tatimpaguesi mund të ankimojë kundër çdo njoftim vlerësimi, çdo vendimi që ndikon në detyrimin e tij tatimor, çdo kërkese për rimbursim ose lehtësim tatimor, ose çdo akti ekzekutiv të posaçëm tatimor, në lidhje me tatimpaguesin”. Ankimi duhet të bëhet me shkrim dhe të dorëzohet pranë Drejtorisë së Apelimit Tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Referuar nenit 107/4, “Akti administrativ, i lëshuar nga administrata tatimore dhe për të cilin nuk është ankimuar në rrugë administrative, nuk mund të ankimohet në rrugë gjyqësore”. Pra, ankimi administrativ është i detyrueshëm për t’u ezauruar në mënyrë që tatimpaguesi të gëzojë të drejtën e ankimit gjyqësor.

SHKARKO APP