Prokuroria, Ministrisë: Përktheni dosjen “Habilaj” deri të premten

Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka lënë afat Ministrisë së Drejtësisë deri këtë të premte për të mbyllur përkthimin e dosjes “Habilaj” dhe për ta dorëzuar në funksion të hetimeve të nisura.

1800 fletët e fashikullit hetimor të një grupi kriminal që ishte përfshirë në trafik kanabisi, janë përcjellë përmes një letërporosie nga drejtësia italiane në datën 19 tetor.

Ndërkohë që vetëm pasi ky material t’i jepet në shqip akuzës, grupi i hetimit do të vendosë se kur do ta thërrasë për ta pyetur ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili më herët ka dalë para prokurorëve me kërkesë të tij.

Prokurorët presin përkthimin urgjent të dosjes edhe për një arsye tjetër që ka lidhje me vendimin e arrestit me afat 20 ditor për një tjetër të kërkuar nga drejtësia italiane, shtetasin Nazer Seiti për ekstradimin e të cilit gjithashtu janë lënë 20 ditë kohë.

Megjithatë siç është shprehur avokati i tij mbrojtës, Seiti preferon më tepër t’i dorëzohet Italisë sesa të gjykohet në Shqipëri. Ndërsa ngjan se prokurorët janë në pritje të përkthimit për veprimet e mëtejshme, për te zbardhur dosjen “Habilaj” dhe për të hedhur dritë mbi dyshimet, grupi i prokurorëve ka sekuestruar librin e takimeve nga viti 2013 deri në 2017.

Bëhet fjalë për periudhën kur në krye të Ministrisë së Brendshme ishte Saimir Tahiri, të cilit do t’i rishikohen në lupë edhe emrat e personave që ka pritur në zyrë. Ky veprim hetimor po kryhet për të verifikuar përgjimet e italianëve të njërit prej të dyshuarve në grup, shtetasit Florian Habilaj.

I njohuri ndryshe si “Lolo”, ai tregon se do shkojë në Tiranë të takojë shefin e madh. Në funksion të këtyre hetimeve u janë kërkuar gjithashtu kompanive celulare që të dorëzojnë komunikimet telefonike të ish-ministrit të Brendshëm dhe të tre vëllezërve Habilaj si edhe qelizat e telefonave të tyre. (TCH)

SHKARKO APP