Promemoria e intelektualeve ’97
Për të mos harruar! Redaksia e “Koha Jonë”, pas disa akuzave të kohëve të fundit nga politika për vitin 1997 do të botojë, herë pas here, disa shkrime apo intervista të muajve janar-shkurt 1997 për të mos harruar atë vit të mbrapshtë. Nuk e përmendëm muajin mars 1997, pasi gazeta “Koha Jonë” u dogj nga pushteti i asaj kohe dhe SHIK-u e nuk u botua për 42 ditë.
Koha Jonë 30 janar 1997
Promemorie e një grupi intelektualësh të pavarur nga partitë politike
Ndal politikës “Krimi ndjell krimin”
Drejtuar:Opinionit publik shqiptar, forcave politike në pushtet dhe kreut të tyre, Presidentit të Republikës, forcave politike opozitare, Ushtrisë dhe Policisë
Për dijeni:Përfaqësive diplomatike të akredituara në Tiranë
Po ndjekim me vëmendje dhe shqetësm të thellë zhvillimet dramatike të ditëve të fundit në vendin tonë. E themi që në fillim se kjo që po ndodh nuk është diçka e papritur dhe e paparashikuar, por veçse afrimi drejt aktit të fundit të politikës “krimi ndjell krimin” që ka ndjekur pushteti aktual me Sali Berishën në krye, qysh prej katër vjetësh. E lindur nga një aspiratë sa e fuqishme, aq edhe e turbullt për liri e demokraci, Partia Demokratike shumë shpejt pushoi se qëni një parti demokratësh dhe u shndërrua në një emër me të cilin abuzohet nga një mafie politike në pushtet. Gabimet e njëpasnjëshme, qysh të nesërmen e marrjes së pushtetit dhe paaftësia e kryetarit të saj Sali Berisha për të reflektuar mbi to, për shkak të verbimit të tij nga etja për pushtet, bënë që shumë shpejt nga gjiri i saj të largohej pjesa më e emancipuar dhe më e kulturuar e politikanëve të rinj shqiptarë dhe aty të mbetet një përzjerje ish-komunistësh të vjetër fanatikë, disa ish-të përndjekur në shërbim të tyre dhe gjithfarë konformistësh të tjerë të rritur nga diktatura enveriste. Me këtë strukturë intelektuale dhe shpirtërore, kjo forcë politike nuk do qe në gjendje të ndërtonte një shtet që t’i udhëhiqte shqiptarët në rrugën e gjatë dhe të vështirë të lirisë. Ajo shumë shpejt mori kthesën për në qorrsokakun e vjetër të injorancës dhe nënshtrimit tradicional ndaj sistemit autoritar, e cila është edhe rruga më komode për ata që nuk e shohin shtetin si shërbim ndaj shoqërisë, por vetëm si një mjet për të fituar privilegj e për të kënaqur instikte nga më të egrat. Kështu rifilloi, në kurriz të popullit të varfër shqiptar, ende të pamësuar me shijen e lirisë, politika “krimi ndjell krimin”. Hap pas hapi, pushteti i Berishës: u hoqi shqiptarëve të drejtën e porsafituar të demonstrimit, u ngushtoi në minimum hapësirën e porsafituar të informacionit, u hoqi pavarësinë e porsafituar të gjykatave, ua ktheu televizionin e porsaçliruar në mjet fyerjeje dhe presioni, u shkatërroi mjedisin natyror dhe u ndoti mjedisin shpirtëror, i përçau sipas logjikës leniniste “o me ne, o kundra nesh!”, rrahu dhe burgosi padrejtësisht, shkatërroi opozitën, i vodhi popullit mundësinë e vetme për të shpëtuar nga kjo klikë, votën e lirë …. Grabitja e madhe financiare, për të cilën shqiptarët protestojnë sot, është pjesë e grabitjes së madhe politike, pjesë e krimit që ka ndjellur krimin, i cili në thelb, është krim ndaj lirisë. Skenat e dhunshme e tepër të dhimbshme që pamë në televizor dhe që u shëmbëllejnë si pika uji atyre të viteve 1990-1991, nuk i shikojmë thjesht si revoltë për humbje të hollash, por si rrjedhojë e pritshme e një jete me liri të dhunuar, si rrjedhojë e një abuzimi të paskrupullt me durimin e popullit shqiptar. Prandaj partia në pushtet duhet të ndjejë përgjegjësi të thellë edhe për ato. Eshtë e pritshme që një popull që nuk e lë t’i korrigjojë institucionet e pushtetit me votën dhe opozitën e tij, t’i korrigjojë ato me flakë. Eshtë e pritshme zemërata popullore ndaj një shteti që pasi pasi ka bërë punën e hajdutit, kërkon të vihet në rolin e gjykatësit. Forca politike në pushtet, duke mohuar përgjegjësinë për krijimin e kësaj situate, duke përjashtuar çdo bashkëpunim të sinqertë me opozitën, si dhe duke vendosur një gjendje shtetrrethimi të pashpallur, nuk bën asgjë tjetër veçse po thellon krizën e saj të besimit, politikën e “krimi ndjell krimin”. Askush nuk mund të besojë më se ajo do të mund të gjejë zgjidhje të ndershme, qoftë edhe në ndarjen e kapitaleve të ngrira të qytetarëve shqiptarë. Ndërkaq, ne mendojmë se problemi më i madh nuk është thjesht kthimi i të hollave, por fakti që kjo politikë e papërgjegjshme e ka lënë vendin para një perspektive tejet të zymtë, për të cilën të gjithë duhet të jemi të ndërgjegjshëm dhe të përgatitur që ta përballojmë së bashku. Në Shqipëri, shumë shpejt mund të shfaqen probleme politike, sociale dhe ekonomike me pasoja të rrezikshme. Vendi ynë kërcënohet nga rënia e fuqisë blerëse, nga rënia drastike e nivelit të jetesës, nga thellimi i varfërisë, nga një hemoragji e re eksodi, nga shkatërrimi i atyre pak gjërave që janë ndërtuar. Këtë gjendje nuk mund ta parandalojë apo lehtësojë një forcë politike që ka humbur çdo autoritet, pikërisht se është ajo që e ka shkaktuar, një forcë politike që ka uzurpuar pushtetin nëpërmjet grabitjes së votave të sovranit popull dhe një president që asnjëherë gjatë këtyre katër viteve, nuk është ngritur mbi interesat e kësaj force politike. As edhe një qeveri teknike jashtëpartiake nuk do të mund ta kishte këtë autoritet. Vendi ka nevojë që në krye të tij të vihet sa më parë një autoritet i vërtetë dhe i qëndrueshëm, një autoritet i mbështetur jo te frika, por tek besimi. I tillë do të mund të ishte vetëm një PARLAMENT i dalë nga zgjedhje të lira e të ndershme.
Duke patur parasysh sa më sipër, në emër të mbijetesës dhe të lirisë së këtij kombi të shumëvuajtur dhe të së ardhmes së fëmijëve shqiptarë: I bëjmë thirrje popullit shqiptar të evitojë shkatërrimin, shpërthimin e dhunës dhe provokacionet e policisë sekrete, duke vazhduar pareshtur me protesta paqësore. I bëjmë thirrje qeverisë, presidentit, partisë në pushtet të mos tregohen dritëshkurtër duke ngulmuar në masa represive dhe tensionimin e situatës politike, të cilat kurrsesi nuk mund t’i zgjidhin problemet e rënda ekonomike dhe sociale ekzistuese dhe ato që do të vijnë, por të pranojnë përgjegjësinë e tyre për gjendjen e krijuar dhe të përgatisin një largim sa më dinjitoz nga skena politike duke i kthyer sovranit popull, të drejtën e votës. U bëjmë thirrje partive opozitare: të ndërgjegjësohen për vështirësitë dhe përgjegjësitë tejet të mëdha që ka përpara politika shqiptare dhe t’i dominojnë ethet e luftës për pushtet, të lënë mënjanë dallimet ideologjike e nuancat programore, për të punuar së bashku që të ndërtojmë një ALTERNATIVË të shpëtimit të kombit dhe të demokracisë. U bëjmë thirrje ushtarëve, oficerëve dhe punonjësve të policisë në të gjitha nivelet: të mos shndërrohen në vegla të dhunës së një grupi politikanësh kundër popullit, kundër vëllezërve dhe motrave të tyre në fatkeqësi dhe të kujtojnë se ushtria është për mbrojtjen e atdheut, ndërsa policia është për të mbrojtur qetësinë e popullit. U bëjmë thirrje të gjitha forcave politike, në pushtet dhe në opozitë: të ulen në tryezën e bisedimeve, si hap i parë i daljes nga kjo gjendje dhe si shembull emancipues për krejt shoqërinë shqiptare. I duhet dhënë fund sa më shoejt politikës tradicionalisht shkatërrimtare “krimi ndjell krimin”.
Edi RAMA
Frrok ÇUPI
Ardian KLOSI
Fatos LUBONJA
Ben BLUSHI
Nikollë LESI
Fron NAZI
Kurt KOLA
Agim ISAKU
Martin LEKA
Daut GUMENI
Armand SHKULLAKU
Arben KUMBARO
Artan IMAMI
Bashkim SHEHU
Vladimir PRELA
Bujar XHAFERRI
Gjergj PEÇI
Tiranë, 28 Janar 1997
SHËNIM:Kjo promemorie vazhdon të nënshkruhet edhe nga intelektualë të tjerë të pavarur, por duke patur parasysh thellimin e krizës politike në vend dhe për të sensibilizuar opinionin për një zgjidhje sa më të shpejtë të krizës, vendosëm ta publikojmë.