Pronarët, procedura të reja – Agjencia e Pronave ndryshon mënyrën e aplikimit të dosjeve
Agjencia e Trajtimit të Pronave ka bërë me dije se ka ndryshuar mënyrën e aplikimit për disa shërbime. Përmes një njoftimi zyrtar ajo ka njoftuar se ka kaluar në portalin e-Albania aplikimin për Ankesë dhe trajtim i dosjes me specialistin përkatës, si dhe aplikimin për kërkesë për statusin dhe problematikat e shqyrtimit të dosjes.
Me anë të dërgimit online të kërkesës për marrjen e informacionit, vetë Agjencia e Pronave, përmes personave përgjegjës, kryen shqyrtimin e kërkesës bashkë me dokumentacionin shoqërues. Në rastin kur kërkesa është e rregullt, ajo trajtohet nga specialistët dhe brenda 30 ditësh qytetarit të interesuar i kthehet përgjigjja online përmes e-mail-it si dhe te seksioni “Hapësira ime” në portalin e-Albania. Në rast se përgjigjja kërkohet edhe në letër, atëherë qytetari duhet të paraqitet fizikisht pranë sporteleve të ATP-së. Edhe kur aplikimi për kërkesën nuk është sipas rregullave të paracaktuara, sërish njoftimi i qytetarit bëhet me e-mail, duke shmangur çdo lloj keqkuptimi të mundshëm.
E njëjta procedurë ndiqet edhe nëse qytetari ka ankesa në lidhje me shqyrtimin e dosjeve të ndjekura nga Agjencia e Trajtimit të Pronave.