Pronat, Shoqata Pronësi me Drejtësi ankesë në Komisionin e Venecias

Pas rrëzimit të pezullimit të ligjit për trajtimin dhe kompesimin e pronave nga Gjykata Kushtetuese, Shoqata Pronësi me Drejtësi do ti drejtojë shqetësimet në Komisionin e Venecias.

Sipas tyre, është e domosdoshme pezullimi i efekteve të ligjit deri në shqyrtimin përfundimtar të Kërkesave nga Gjykata Kushtetuese.

Të drejtat pasurore të pronarëve sipas shoqatës po pësojnë ndryshime të pakontrolluara gjatë kësaj periudhe, korrigjimi i të cilave, nëse ligji shpallet antikushtetues bëhet i vështirë dhe ezaurues për këtë shtresë.

Në letrën nisur Komisionit të Venecias, shoqata kërkon që Gjykata Kushtetuese të jetë më transparente në lidhje me rrëzimin e kërkesës për pezullimin e ligjit “Për Trajtimin e Pronës dhe Përfundimin e Procesit të Kompensimit të Pronave”.

Sipas pronarëve, Gjykata Kushtetuese ka shpjeguar se vendimi është marrë me justifikimin se ligji i cili tashmë është në zbatim nuk sjell pasoja të pariparueshme”, në një kohë që ky pretendim në aspektin e jurisprudencës lidhet me mbrojtjen e të drejtave kapitale njerëzore duke krijuar kështu probleme për të drejtën e pronësisë.

Në mbyllje Shoqata gjen rastin të ritheksojë, se në stadin aktual regjimi pronësor në vendin tonë është i deformuar dhe se qytetarët kanë humbur jo vetëm konceptin ligjor, por edhe atë logjik të asaj çfarë konsiderohet “e drejtë” e pronës.

Ky ankim vjen pasi Gjykata Kushtetuese ka kërkuar një mendim për ligjin e trajtimit dhe kompensimit të pronave nga Komisioni i Venecias disa muaj më parë dhe pritet një përgjigje gjatë muajit tetor.

SHKARKO APP