Pronat/ Shteti pagoi për gjyqet e Strasburgut 15.3 milion euro

Shtetit shqiptar i ka kushtuar shumë rëndë, të paktën vitin e kaluar, mosrespektimi i të drejtave të ish-pronarëve apo të drejtave të tjera themelore të qytetarëve të ndryshëm. Si pasojë, nga vendimet e formës së prerë të marra prej Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, janë paguar 15.3 milionë euro në favor të personave privatë dhe një kompanie tregtare.

Kjo del nga relacioni shoqërues i projektligjit për Buxhetin Faktik të Shtetit për vitin 2016, i cili, pasi ka marrë miratimin e Këshillit të Ministrave, ka mbërritur tashmë në Kuvend për diskutim.

Ligji për menaxhimin e buxhetit të shtetit përfshin dy fonde speciale: atë rezervë dhe atë të kontingjencës, përdorimi i të cilëve nuk specifikohet që në fillim dhe mund të përdoret nga qeveria, në atë sasi dhe në ato raste që ajo gjykon të arsyeshme. Fondi i Kontingjencës, me të cilin janë paguar vendimet e Strasburgut në fjalë, ka qenë 2.2 miliardë lekë.

Ministrisë së Financave me 13 VKM i janë akorduar rreth 2.17 miliardë lekë për shpenzime korrente për ekzekutimin e pagesave për detyrimet ndërkombëtare për çështjet si më poshtë.

Për pagimin e interesave të vonesave në ekzekutimin e disa vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut është akorduar 175 mijë lekë. Për ekzekutimin e vendimit datë 15.09.2015 për çështjen “Luli kundër Shqipërisë”, janë akorduar 3.8 milionë lekë, ndërkohë që shifra më të vogla janë shpenzuar për çështje të tjera: “Durim Harri” – 726 mijë lekë; “Shkarpa” – rreth 472 mijë lekë; “Artan Laka dhe dy aplikime të tjera” – rreth 497 mijë lekë; “Afërdita Theodhosi” – 838 mijë lekë, etj.

Ndërkohë, shifra shumë më të mëdha janë dhënë për gjyqe të tjera të humbura. Rekordin prej 855.8 milionë lekësh të reja, ose 6.4 milionë euro, e kana marrë trashëgimtarët dhe familjarët përfitues të çështjes gjyqësore “Rista dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, që kanë përfituar pasi Gjykata e Strasburgut ka konstatuar shkelje të të drejtës themelore të njeriut, atë të pronësisë nga shteti shqiptar. Shifër e lartë është paguar nga buxheti edhe në rastin “Karagjozi”, ki nga fondi rezervë janë disbursuar 804.9 milionë lekë, ose 6 milionë euro. Vijon “Halimi dhe të tjerë kundër Shqiperisë”, për të cilin janë akorduar 102.6 milionë lekë, “Aliçka” – 108.9 milionë lekë, etj.

Ndër vendimet e Këshillit të Ministrave për zbatimin e detyrimeve të lindura nga gjyqet në Strasburg bën pjesë edhe një në favor të shoqërisë tregtare “Valio Shipping Company:, e cila ka marrë nga buxheti 163.8 milionë lekë. Ndërsa, për pagimin e interesave të vonesave në ekzekutimin e disa vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, shpenzim ky i pajustifikueshëm, janë akorduar 175 mijë lekë rtë tjera.

Nga ana tjetër, ministrisë së Drejtësisë me VKM i është akorduar edhe fondi për 16 milionë lekë për pagesën e kostove dhe shpenzimeve administrative për çështjen e arbitrazhit ndërkombëtar “Albanianbeg Ambient sh.p.k., Mangelo Novelli dhe Construzioni S.R.L. kundër Republikës së Shqipërisë”.

Këto shpenzime nga kontingjenca për gjyqe të humbura kanë qenë 15 herë më të larta se ato për qëllime sociale: nga ky fond në vitin 2016  Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë me VKM i është akorduar shuma prej 122 milionë lekësh (më pak se 1 milion euro) për shpërblimin dhe kompensimin e disa kategorive të veçanta për festat e fundvitit 2016.

strasburgu dokumenta

strasburgu dokumenta

SHKARKO APP