Pronat – Verifikimi i titujve, qeveria synon shtimin e fondit për kthimin fizik

Mbeten edhe 15 muaj nga përfundimi i procesit të verifikimeve lidhur me atë, se si janë përfituar tituj e pronësisë mbi tokën bujqësore. Ditën e djeshme, Këshilli i Ministrave ka miratuar disa amendamente në këtë ligj, që duhet të paraqiten më pas në Kuvendin e Shqipërisë për miratim. Në to spikat synimi për të rritur sa më shumë të jetë e mundur fondin e tokave bujqësore të lira, që do të përdoreshin nga Agjencia e Trajtimit të Pronës për kthim fizik ish-pronarëve.

Këto toka të lira mund të rezultonin nga procesi në fjalë, në rast se vërtetohej se personat që rezultojnë pronarë në toka, të cilat para vitit 1991 i përkisnin ish-kooperativave apo fermave bujqësore shtetërore, i kanë përfituar ato në shkelje të ligjeve në fuqi.

Nisma

Sipas P/ligjit, komisioni i posaçëm, i ngarkuar me verifikimet, ndërmerr vlerësimin ligjor të krijimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi, të plotësuara nga kryetarët e bashkive, për familjet bujqësore ose individët, në rastet kur ka kërkesa të paraqitura nga qytetarët apo institucionet shtetërore.

Hapësira

Verifikimi kryhet në territoret e ish-kooperativave bujqësore dhe ish-ndërmarrjeve bujqësore.

Rikonfirmimi

Komisioni vendor vlerëson aktet e marrjes së tokës në pronësi, të plotësuara nga kryetarët e bashkive, për bazueshmërinë ligjore të tyre dhe merr vendim për rikonfirmimin e tyre, në rastet kur vërtetohet se familja bujqësore ose individi, në emër të të cilit lëshohet akti i marrjes së tokës në pronësi, është subjekt i përfitimit të tokës bujqësore në pronësi, sipas ligjeve të sipërpërmendur; verifikohet se sipërfaqja, për të cilën është lëshuar akti i marrjes së tokës në pronësi, është objekt i trajtimit sipas ligjeve të sipërpërmendur dhe madhësia e saj është në përputhje me përcaktimet ligjore, si dhe janë krijuar në përputhje me procedurat dhe afatet e përcaktuara në ligjet e sipërpërmendur.

Tokat e lira

Ndërkohë, Komisioni ka për detyrë të dërgojë për regjistrim në Hipotekë vendimin gjyqësor përfundimtar për sipërfaqet e tokës të liruara nga fitimi, mbajtja dhe përdorimi i paligjshëm i tyre, që kalojnë në pronësi të shtetit, pas procedurave të kryera për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore.

Për këto sipërfaqe toke Komisioni harton pranë Këshillit të Qarkut, procesverbalin përkatës, në përmbajtje të të cilit pasqyrohen vendndodhja (fshati dhe bashkia, zona kadastrale), numri dhe lloji kadastral i ngastrës, si dhe sipërfaqja e saj, i shoqëruar me planvendosjen e ngastrës/ave.

Komisioni vendor, një kopje të vendimit gjyqësor përfundimtar, të planvendosjes së ngastrës/ave dhe procesverbalit, për ngastrat që ndodhen në territorin e ish-ndërmarrjeve bujqësore, e paraqet në Agjencinë e Trajtimit të Pronës. Këto sipërfaqe të tokës do të përdoren për fondin e kompensimit fizik.

Kurse për tokat e lira që ndodhen në territorin e ish-kooperativave bujqësore, regjistri i tyre paraqitet në bashkinë, në territorin e së cilës ndodhet toka, për t’u administruar sipas ligjit “Për tokat bujqësore të pandara”.

Ligji

Ligji Nr.9948, datë 7.7.2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore” synon të përcaktojë shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore dhe strukturat shtetërore, të ngarkuara për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, të dhënë në pronësi personave fizikë ose juridikë vendas, si dhe detyrat e përgjegjësitë e këtyre strukturave.

Ai është ndryshuar disa herë nga mazhorancat përkatëse. Qëllimi kryesor i tij ka qenë përcaktimi i një fondi të lirë tokash, që mund t’u vihet në dispozicion ish-pronarëve, duke ulur sa të jetë e mundur më shumë fondin e kompensimit financiar të tyre.

Ligji

Qëllimi kryesor i këtij ligji ka qenë përcaktimi i një fondi të lirë tokash, që mund t’u vihet në dispozicion ish-pronarëve, duke ulur sa të jetë e mundur më shumë fondin e kompensimit financiar të tyre

Verifikimi

Procesit të verifikimit i nënshtorhet mënyra se si është përfituar toka nga ish-kooperativa bujqësore apo ferma shtetërore. Po kështu, verifikohet sipërfaqja e ngastrës dhe procedurat e afatet e marrjes.

SHKARKO APP