Protesta e studentëve në Maqedoninë e Veriut, Bardhi: Shqipja nuk negociohet
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar për protestën e studentëve shqiptarë të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se përdorimi i gjuhës shqipe është një e drejtë themelore që nuk mund të vihet në diskutim. Ai thekson se kjo e drejtë është fituar me sakrifica dhe nuk negociohet, ndërsa ngre alarmin për rrezikun e kthimit pas në kohë të errëta. ”Rruga e dy vendeve tona fqinjë është e përbashkët drejt Bashkimit Europian. Por, në çdo rast Republika e Shqipërisë e ka detyrim kushtetues që të mbrojë të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj”,-shkruan Bardhi.
Postimi i plotë
Përdorimi i gjuhës shqipe është një e drejtë themelore e garantuar nga Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve. Kjo është një e drejtë e fituar me gjak dhe që nuk mund të negociohet. Mbështes plotësisht protestën legjitime të studentëve sepse gjuha është historia, është gjak, është kujtesa. Dhe një popull që detyrohet të kërkojë gjuhën e vet nuk ka problem gjuhe, ka problem drejtësie.
Për secilin prej tyre gjuha shqipe është identitet. Shqipja nuk negociohet! I bëj thirrje Qeverisë Shqiptare që të marrë menjëherë masat për të ndërhyrë pranë autoriteteve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, që të shmangin kthimin pas në kohë të errta.
Rruga e dy vendeve tona fqinjë është e përbashkët drejt Bashkimit Europian. Por, në çdo rast Republika e Shqipërisë e ka detyrim kushtetues që të mbrojë të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj.
KOHA JONË SONDAZH

