Protesta kontraverse e së hënës
Nga Lavdosh Ferruni
E pa dëgjuar protesta e paralajmëruar e së kënës, ku qytetarët janë thirrur të fikin makinat për pak minuta, në mënyrë që Qeveria të ulë taksat e kështu cmimi i naftës tashmë të ulur ndjeshëm të ulet më tëj. Kjo është vërtet kontraverse. Qytetarët thirren që t’ja bëjnë më të vështirë jetën vehtes së tyre, sidomos në kryeqytet. Ata në të vërtetë thirren të protestojnë që të djegin më shumë naftë nëpër rrugët e qytetit, që do të thotë edhe më shumë ndotje ajri në ajrin tashmë të ndotur në kufijtë e rrezikshmërisë për jetën (sidomos në Tiranë); që do të thotë edhe më shumë stres nga ngecjet e shtuara dita ditës në trafik e kështu më shumë harzhim kohe e lekësh nga këto ngecje; që do të thotë edhe më shumë ndotje akustike, që aktualisht tejkalon cdo standart Europian; që do të thotë edhe më shumë aksidente, sidomos për fëmijët, të moshuarit dhe njerëzit me aftësi të kufizuar. Për të mos përmendur edhe më shumë sëmundshmëri (obezitet, diabet të shtuar etj.) dhe në fund të fundit edhe më pak shërbime publike nga paksimi i buxhetit të shtetit, i kërkuar nga organizatorët e protestës nëpërmjet reduktimit të taksës mbi karburantin. Dhe qytetarët do ta bojkotojnë këtë thirrje pa sens, ose më mirë të thuhet kondrasens.
Sens bën ajo që po bën Europa e zhvilluar. Që nga viti 2002 kryetari i Bashkisë Paris po zbaton një plan për dyfishimin e korsive të biçikletave, të ndalojë makinat me naftë duke i zëvendësuar ato me makina elektrike apo tipe të tjera me emetime shumë herë më ulëta se nafta. Rezultati po ndihet që tani pasi numri i shoferëve në Paris ka rënë ndjeshëm. Në 2001, vetëm 40 % e parisieneve nuk e përdornin makinën, ndersa tani janë 60 % ata që nuk e përdorin.
Helsinki është përgatitur për një vërshim banorësh të rinj në rrugët e tij. Qyteti po merr masa me shtimin e banorëve të uli numrin e makinave të lejuara në rrugë. Plani i ri i zhvillimit të qytetit synon të transformojë rrethinat më të dendura të tij, sa më pak të varura nga makinat. Një aplikacion i ri për telefona i mundëson qytetarëve të përdorin në minuta një bicikletë, taksi, autobus apo tram duke ulur ndieshëm nevojën për makina. Brenda një dekade Helksini shpreson ta bëjë makinë tërësisht të panevojshme në rrugët e qytetit.
Qyteti plot tym i Milanos është duke provuar një formë tjetër për të mbajtur makinat sa më larg qendrës së tij. Kështu nëse banorët lënë makinat e tyre në shtëpi ata marrin bileta falas për transportin publik.. Cdo qytetari që e lë makinën të parkuar në shtëpi, Bashkia i dërgon një biletë autobusi ose treni falas.
Në Kopenhagen tani më shumë se gjysma e banorëve të qytetit përdorin bicikletën për të shkuar në punë apo lëvizjet e përditshme duke ja kaluar tërë qyteteve europiane të transportit të gjelbërt. Kopenhageni aplikoi zonat e këmbësorëve, ndaloi makinat në qendrën e qytetit qysh më 1960. Qyteti tani ka më shumë se 200 kilometra korsi bicikletash dhe ka ndërtuar autostrada të mirëfillta për bicikletat, në mënyrë që dhe banorët në zonat periferike të përdorin prapë bicikletën. Qyteti ka numrin më të vogël të pronarëve të makinave në Evropë.
Do mbeten me gojë hapur europianët kur të shohin Shqiptarët në protestë duke kërkuar të keqen që Europianët po duan ta heqin dhe po e heqin dita ditës.
Do ishte bukur që fikja e motorëve të makinave të hënën të jetë sa më masive dhe jo 5 minuta por ditë të tëra, të paktën 1 ditë si në ditën kur Papa Francesku vizitoi Tiranën dhe njerëzit u ndjenë njerëz si rrallë herë tek lëviznin të shpenguar deri në delir rrugëve të qytetit, u ndjenë zotër të qytetit, përfshi makinomanët.