Protestë në Parlament për Ballukun, Berisha flet për ngujim dhe grevë urie: Gjithçka në momentin e duhur
Sali Berisha këtë të martë i ka bërë thirrje demokratëve për t’u bashkuar në protestë ditën që do të paraqitet në Kuvend kërkesa për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. ”Ditën që do paraqitet kërkesa në parlament, që të gjithë para Parlamentit, për të mbrojtur kushtetutën, ligjin, dinjitetin kombëtar, për të mbrojtur shtetin ligjor”, tha ai. Nga ana tjetër, Berisha shtoi edhe se shumë deputetë kanë shprehur dëshirën për akte sublime, ngujim dhe grevë urie nëse nuk hiqet imuniteti i Ballukut. ”E vërteta është se deputetët prej kohësh kanë shprehur vendosmërinë që të kalojnë dhe në akte sublime, grevë urie. Asgjë nuk përjashtohet. Gjithçka do të ndërmerret, ky hap, në momentin e duhur. Mendoj se fjala e sovranit është çështja kryesore në rendin e ditës, sovrani duhet të flasë sepse kjo që po ndodh me shqiptarët është e pashembullt në histori’‘, tha gjatë konferencës për shtyp nga selia blu.
PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET
Cila do të jetë strategjia e opozitës në protestën që do të mbahet para parlamentit, pasi ka patur disa deputetë që kanë thënë publikisht që janë pro ngujimit në parlament.
Sali Berisha: E vërteta është se deputetët prej kohësh kanë shprehur vendosmërinë që të kalojnë dhe në akte sublime, grevë urie dhe asgjë nuk përjashtohet. Por çdo hap duhet të ndërmerret në momentin e duhur. Mendoj se fjala e sovranit është çështja më kryesore në rendin e ditës. Sovrani duhet të flasë sepse kjo që po ndodh me shqiptarët është e pashembullt në histori. Kujtojmë vetëm kaq. Një njeri që për 6 muaj rresht u premtoi shqiptarëve integrimin në 2027, integrimin në 2030, tani që është kapur me presh në dorë si hajdut, u thotë se, nuk kemi nevojë për integrim të plotë.
Dhe njëherë për qytetarët. Kryeartikulli i padronit Vuçiç dhe argatit Rama në Frankfurte Alemaine Zeitung duhet të kuptohet qartë. Këta dy krerë të organizatave kriminale më të rrezikshme në Europë, i sugjerojnë BE-së që tu akordojë vetëm tregtinë e lirë dhe fondet e procesit të rritjes dhe se këta nuk kërkojnë as votë dhe se këta nuk pranojnë të plotësojnë kriteret e Kopenhagenit as ato që quhen mirësitë që duhet të gëzojë komuniteti nga procesi anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian, mirësi në fushën sociale dhe fusha të tjera.
Pra këta kanë hall vetëm oligarkët e tyre. Këta zotohen se nuk do të zhvillojnë zgjedhje, sepse kriteret e Kopehangenit kanë kusht zgjedhjet e lira. Këta zotohen se do të kontrollojnë drejtësinë, sepse ato kritere kanë drejtësinë e pavarur. Pra Edi Rama po mbyll përfundimisht dyert e BE-së për shqiptarët, çka kam bindjen më të thellë, se kjo nuk do mund të bëhet kurrë realitet. Shqiptarët asgjë nuk do mund ti pengojë në rrugëtimin e tyre plot sakrifica dhe mundime dhe në tërësi të pandalshëm drejt integrimit të plotë në BE.
Zoti Berisha, 12 marsi në fakt është afati i fundit ligjor për të shqyrtuar çështjen e imunitetit të Ballukut në seancë në Kuvend. Po nëse mazhoranca kalon përtej këtij afati, çfarë ndodh?
Sali Berisha: Ka shumë mundësi që kjo po ndodh. Që ata po djegin afatin 3-mujor. Ka shumë mundësi. Siç e shihni ju, Edi Rama nuk pranon kurrë të dorëzojë veten në gjykatë. Bëri përpjekje të jashtëzakonshme për marrëveshje, por nuk i eci. Lubi Balluku që ky mbron është një kriminele multidimensionale e pashoqe në historinë e Shqipërisë. Përveç vjedhjeve të saj bashkë me Ramën, bashkë me ish-burrin e saj, e morët vesh ju, atë e ka me divorc gjoja, por jo për të vjedhur, për të vjedhur janë bashkë me Kol Ballën.
Transaksionet e tij janë të pafundme bashkë me sojin dhe sorollopin e saj. Ka bërë përpjekje të hapura për të dëmtuar provat. Ka kërcënuar zyrtarët e drejtësisë me banda dhe banditë, çka fakton se të gjitha kërcënimet që i janë bërë prokurorëve të SKAP janë bërë nga qeveritarët me bandat e tyre. Po, u janë dërguar mesazhe kërcënuese, vdekjeprurëse dhe prapa tyre qëndron e tëra Lubia dhe Edi Rama. Faktikisht me këto veprime ai asgjëson sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Sistemi i drejtësisë groposet, çka nuk ka ndodhur edhe kur shtet nuk kishin, kishin ligjin e tyre shqiptarët. Kishin kodin e tyre civil, kodin e tyre penal, kishin gjykatat, pleqësitë, etj.
Kjo që po bën ky është e pashembullt në historinë e shqiptarëve. Por të gjitha faktojnë se strumbullari i të gjitha këtyre është ai vetë. AKSHI është vorbulla më e zezë në historinë e shtetit shqiptar. Ergys Agasi është Edi Rama, njeriu që organizon vrasje, njeriu që organizon vjedhjen e të gjitha të dhënave të qytetarëve shqiptarë për t’ua dhënë bandave dhe armiqve të Shqipërisë. Ergys Agasi, me videot e tij, i ka kompromentuar këta më shumë se ato të Epstein janë lule çfarë ka zyra e Agasit, duke filluar nga Rama vetë dhe vazhduar me ministra, me drejtues kryesorë institucionesh, me prokurorë, me gjykatës, me policë, etj.
Pra, janë shqiptarët ata të cilët do thonë fjalën e tyre. Vetëm një gjë, sot askush nuk mund të thotë se unë nuk e dita. Nuk duhet të abuzoj me krahasime, por rikujtoj këtu një moment në vitin 1991 në parlament, kur një eksponent i PS u ngrit e tha, nga ta dija unë se Enver Hoxha kishte tre dynym qilima persianë në shtëpi. Ai nuk e dinte atë. Ai dinte që Enver Hoxha ka vrarë, ka prerë, i ka bërë të gjitha, por për ato ishte bashkautor vetë. Kurse tek qilimat nuk e dinte. Kurse tani për Edi Ramën dihen të gjitha. Nuk mund të thotë njeri që nuk dita. Ndaj dhe duhet të dalim, të bashkohemi, t’i japim atë që meriton atij dhe organizatës së tij kriminale.
Në ditën që Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç kanë publikuar një artikull të përbashkët, Vuçiç në rrjetet e tij sociale publikoi një shënim: Kosova është Serbi, ishte dhe do të jetë, fundi i historisë. Ky bashkërendim i Ramës dhe Vuçiç a i dëmton interesat e Kosovës.
Sali Berisha: Totalisht. Mos harro një gjë. Në një moment acarimesh të marrëdhëniesh Kosovë-Serbi, Edi Rama është personi që deklaroi, se Kosova do të kthehet në moshën e bronzit, duke lënë të nënkuptojë se jo fuqitë konsensionale, por edhe ato bërthamore mund të përdoren drejt saj. Kosova nuk ka patur një armik më të egër se Edi Rama në tërë ekzistencën e saj. Shikoni ju, në studiot televizive shqiptare se, si agjentët e Beogradit kalojnë si hiena nga një studio në tjetrën për të mbrojtur Edi Ramën me porosi të Vuçiçit, i keni parë vetë ju. Shikoni Stanishiçin se si prenotohet në 3 studio në një natë, me detyrim nga Edi Rama për të zbatuar urdhrat e Vuçiçit në mbrojtje të tij.
Duhet të them se, ai armiqësinë ndaj Kosovës e ka të lidhur direkt me Vuçiçin dhe trashëgiminë e tij. Çfarë u thotë ky sot për padronin e tij në një kohë kur ai ka deklaruar haptas së mbështet Iranin dhe e ka bërë këtë sepse ka marrë ‘Shahidë’ nga Irani për ti përdorur kundër shqiptarëve. Lexoni pak se çfarë thotë ai për sulmet e SHBA dhe Izraelit ndaj Iranit. Se si dënon ai vrasjen e diktatorit me mizor që Irani ka njohur në histori. As Edi Rama nuk e ka përshëndetur këtë. Si mund të shkruash ti një letër, je skllav i tij, Edi Rama është argat i tij, zbaton vetëm urdhra.
Pyeteni pak si mund të firmosësh një letër, si mund të barazosh ti Shqipërinë me atë armik të egër, publik, të NATO-s dhe jo vetëm të shqiptarëve. Sepse është argati i tij, nuk ka shpjegim tjetër. Ndaj dhe shqiptarët, është fjala e tyre, është ora e tyre, është koha e tyre. Në kryengritje paqësore në duhet ti japim përgjigjen më të shpejtë, më të merituar.
KOHA JONË SONDAZH

