PS-PD, përplasje për prishjen e ndërtimeve pa leje

Kështu, teksa Partia Demokratike i ka konsideruar prishjet e ndërmarra nga Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK) si selektive dhe që po shkaktojnë një padrejtësi revoltuese, Partia Socialiste nga ana e saj ka pohuar se opozita në mënyrë të përsëritur, po zgjedh të rreshtohet në krah të informalitetit, të ndërtimeve pa leje e të shkatërrimit të pronës publike në kryeqytet. “Prishjet selektive që po bën Edi Rama, po lënë pas një padrejtësi revoltuese. Në sytë e qytetarëve, në jetën e tyre të përditshme, në rrugën, lagjen ku ata jetojnë, Edi Rama po lë dëshmi se miqtë e tij, klientela e tij janë të paprekshëm. INUK-u patrullon si bandë zuzarësh dhe ka krijuar një gjëndje lufte kundër të pamundurve, atyre që nuk kanë lidhje me Edi Ramën, duke hedhur në tokë mundin dhe djersën, të vetmen mundësi që kanë për t’u ushqyer”, ka pohuar deputeti demokrat, Genti Strazimiri lidhur me një dukuri të tillë. Ndërsa deputetja socialiste, Blerina Gjylameti, do të shprehte publikisht keqardhje për qëndrime të tilla. ”Mjafton të shohësh bilancin e punës së INUK gjatë këtyre muajve për të kuptuar se ç’përmasa të turpshme kishte marrë abuzimi me hapësirën publike në Tiranë nën qeverisjen e  Lulzim Bashës. Plot 1400 objekte të paligjshme janë prishur deri më sot duke çliruar mbi 98 000 metra katrorë hapësirë publike, në zonën e Brrylit, Xhamllëkut, Unazës, Oxhakut, Kinostudios, Porcelanit, Mine Pezës, Don Boskos e Muhamet Gjolleshës. 98 000 metra katrorë hapësirë publike, kjo është shifra e abuzimit me territorin nën drejtimin e Lulzim Bashës”, deklaroi ajo. Dhe duke përgënjeshtruair akuzat e PD-së për prishje selektive, Gjylameti tha se në asnjë rast të vetëm nuk është lënë pa shembur ndonjë objekt i ndërtuar në mënyrë të paligjshme. Sipas saj, të vetmet ndërtime që nuk janë prishur në këtë fazë janë ato që janë legalizuar nga qeverisja e mëparshme, duke u dhënë shkelësve të ligjit tapi për hapësirat publike. Por demokrati Strazimiri do të këmbëngulte se sipas tij, “shtesat, godinat, baret apo lokalet e pushtetarëve e njerëzve të afërt me Edi Ramën, gjenden kudo, kanë zënë hapësirën publike, kanë ngushtuar trotuaret, por ato nuk preken”. Ndërsa socialistja Gjylameti do të pohonte se “nuk është faji i INUK-ut që vizioni i vetëm i Partisë Demokratike për zhvillimin e kryeqytetit janë ndërtimet pa leje dhe zaptimi i hapësirës publike”.

SHKARKO APP