Pse duhen rregulluar raportet e politikës me intelektualët?…

 

Nga Gëzim Tushi/Për fat të keq edhe tek ne kohët e fundit për arsye që janë të kuptueshme por dhe për qëndrime paradoksale në shoqërinë tonë ka filluar të ravijëzohet dhe madje, po shfaqet dukshëm fenomeni i ekzistencës së kontradiktave të intelektualëve të vërtetë me politikën, e cila edhe kur ka prej tyre në radhët e saj, përgjithësisht nuk e ka fort qejf staturën e tyre profesionale e autoritetin publik. Madje në jo pak raste janë evidentuar fakte kur politika bën gjithçka dhe përdor të gjithë stratagjemat dhe përpiqet t’i largojë nga vetja, gjoja për shkak të pengesave që sjell “akademizmi dhe skolarizmi” i tyre i “tepërt” dhe i panevojshëm për kërkesat e zhvillimit intensiv të jetës.

Për pasojë në skakirën e elitave politike vendin e tyre “bosh” ka filluar ta zërë një shtresë e re e intelektualëve, që kanë aftësi të qëndrojnë sa më pranë politikës, të interferojnë dhe ndikojnë në orientimin e saj. Në të vërtetë kjo tendencë e largimit të intelektualëve elitarë dhe afrimit nëpër parti të intelektualëve gjysmë militant dhe po aq të kulturuar e profesionist, nuk është krejt pasojë e qëndrimeve subjektive të liderëve të politikës, por është dukuri që lidhet me faktin se vetë mënyra si zhvillohen gjërat procesi paraqet nevoja të reja për një tjetër lloj intelektuali që doemos duhet plotësuar. Në të vërtetë kudo në botë kanë ndryshuar raportet e politikës me elitën e vërtetë intelektuale dhe studiuesit e demokracisë mendojë se, “…demokracia i përngjan një oligarkie të përbërë nga specialistë, veprimtaria e të cilëve, e ushtruar në fshehtësinë e zyrave, përfundon me vendime pak a shumë racionale, të cilat qytetarët gjithsesi nuk i njohin”. (I V Gyshe Zhan Mari de Maldan, Historia e ideve politike II, f 516)

Në këtë kontekst sociologjikisht ka qenë e parashikuar se demokratizimi në shoqërinë shqiptare si proces social masiv, e ka në thelbin e vet dhe shfaqet në mënyrë të natyrshme në prirjen e një lloj nivelimi të përgjithshëm kulturor, i cili shfaqet përkundër situatave të stratifikimit të ngurtë e mekanik të elitave, që dy dekada e gjysmë më parë, ishte një fenomen krejt i tipizuar për natyrën e shoqërisë totalitare e hierarkike. Kjo dukuri e parashikuar është vërtetuar si fenomen social që është i shfaqur dukshëm edhe në demokracitë e tjera të konsoliduara, në të cilat ndryshe nga ne për shkaqe historike që njihen, ka ndodhur shumë kohë më parë. Më saktë “demokratizimi” i politikës dhe  elitave ka ndodhur dhe është shfaqur si dukuri në kohën e duhur, pikërisht kur elitat e vërteta intelektuale për shkak të zhvillimeve intensive të kulturës, industrializimit dhe zhvillimit të mjeteve të komunikimit masiv, u ndodhën befasisht përballë sfidave niveluese kulturore dhe egërsisë mediokre të ndikimeve sociale e kulturore ristrukturuese të ekonomisë së tregut.

Por tek ne kjo dukuri është shumë e vonë, sepse e vonë është demokracia dhe ndikimet e ekonomisë së tregut në stratifikimin e elitave sociale. Sidoqoftë është fare evidente që tashmë ka një ristrukturim të përshpejtuar të elitave social kulturore dhe ndikimit të tyre në jetën politike e sociale, dhe natyrisht një raport të ri të përfaqësuesve të “elitave diverse” me veten dhe shoqërinë shqiptare. Nuk mund të thuhet se sot shoqëria jonë nuk i ka elitat e saj, por ajo që mund të thuhet me siguri është ndryshimi i pozicionit të tyre social, ndryshimi i staturës dhe vlerësimit.

Por nga ana tjetër ndihet një rrudhje jo aq sasiore, e cila po bëhet dukuri abuzive nga procesi problematik i “demokratizimit të universiteteve”, që me sa duket ka filluar të japë pasojat e veta, duke cenuar statusin e intelektualit të vërtetë. Kjo situatë në Shqipëri po ndikon në ristrukturimin e elitave, jo gjithnjë adekuate me nevojat e vërteta që ka politika dhe shoqëria shqiptare. Për pasojë ndihet qartë situate kur një pjesë e elitave në sfera të ndryshme të jetës ka pësuar tronditje, ca të tjerë kanë humbur ekuilibrin intelektual dhe sensin e duhur të riorientimit social në përputhje me imperativat e “botës së jetës” së vërtetë që zhvillohet në vendin tonë.

Në shumë debate që zhvillohen për këtë temë duket se ka një keqkuptim për rolin e intelektualëve, apo të elitës kulturore në përgjithësi në proceset politike e sociale që zhvillohen në vendin tonë. Mbase nga që nuk është në rolin e duhur elita intelektuale në këtë shoqëri, as ndikimet e saj kulturore nuk janë gjithnjë e në të gjitha rastet sinkron me “të rrahurat e zemrës” së opinionit publik shqiptar. Ndarja e prerë e territoreve dhe përcaktimi mekanik i detyrave dhe përgjegjësive midis politikanëve dhe elitës është një detyrë imperative që duhet të gjejë zgjidhjen.

Ajo nuk gjendet as me mospërfilljen e politikanëve ndaj intelektualëve por as me qëndrimin pozicional indiferent të njerëzve të dijes dhe elitës kulturore në përgjithësi. Kjo është arsyeja që duke u marrë me këtë çështje dhe raportet e elitave në shoqëri, filozofi i Shkollës së Frankfurtit Jurgen Habermas është i mendimit se “…profesorët nuk janë vetëm shkencëtarë, të cilët nga perspektiva e vrojtuesit merren me çështje të opinionit publik politik…ata sipas rastit marrin pjesë edhe në jetën politike të vendit të tyre si intelektualë”. (J Habermas, “Midis Natyralizmit dhe Religjionit” f 26)

Në fakt në vendin tonë shumë intelektualë të ndodhur përballë një vale të fortë të nënvleftësimit të dijes dhe rolit të intelektualit në shoqërinë e bazuar në ekonominë e tregut dhe parasë, kanë gjetur pozicione të reja dhe janë akomoduar ndryshe në raport me dijen, profesionin, paranë dhe nevojat e shoqërisë. Të ndodhur në këto kushte, ata kanë zgjedhur thjesht të jenë në intelektualë të “letrave të pastra”, ose janë futur në politikë apo kanë përfunduar në radhët e elitës anonime që sfumohet nga procesi i pakthyeshëm të rënies graduale të vlerës së tyre sociale.

Nën ndikimet e globalizmit dhe demokratizimit të kulturës, sociologët dhe analistët e zhvillimeve të shoqërisë demokratike kanë evidentuar si dukuri universale, faktin se në kohën postmoderne është bërë shumë i dukshëm fenomeni i “perëndimit të elitave”. Ai është bërë një fenomen social i përbashkët, dukuri e përgjithshme strukturore e “qytetërimit likuid” tejet e shfaqur në procesin e transformimit të gjithë shoqërive moderne duke filluar që nga fundi e shekullit të kaluar. Sidomos kjo dukuri e demokratizimit dhe nënvleftësimit të rolit të elitave kulturore e intelektuale, është bërë tipik për zhvillimet kontroversale në shekullin e 21-të. Mjafton të shikojmë tablonë sociale të shoqërisë shqiptare për ta vlerësuar këtë prirje kulturore, si kurbë e tendencë sociale.

Janë me dhjetëra intelektualë të elitës shqiptare që tani të ndodhur përballë efekteve kontroversale të jetës postmoderne, ndikimeve niveluese të ekonomisë së tregut ose kanë mbyllur gojën dhe kanë flakur penën ose i janë kthyer shkrimit të kujtimeve dhe rikthimit mendor në ngjarjet e kaluara apo të harruara të historisë. Megjithatë demokratizimi i elitave në Shqipëri nuk ka sjellë shkretëtirë sociale apo mungesë të intelektualëve, që tani është duke u shfaqur ndryshe, sipas standardit të ri dhe me “format modern” jo iluminist. Në të vërtetë ky fenomen i vlerësuar me objektivitet në shoqërinë tonë, është shoqëruar me daljen në skenë të një elite të re, të një shtrese që i “duhet” kohës dhe i shërben nevojave utilitare të ekonomisë, mënyrës së re të jetës, kërkesave ultimative të politikës pragmatiste, sfidave të pandërprera të ekonomisë së tregut.

Kështu që vendin e intelektualëve par esellence të vërtetë, në jetën tonë të përditshme po e zënë intelektualët e tipit pragmatist që janë koherentë me politikat e ditës, të afruar me politikën zyrtare dhe kërkesat e saj pragmatiste.

Padyshim është një problem më vete çështja e rolit të intelektualëve në shoqëri dhe raporti i dijes së tyre me politikën dhe opinionin publik. Debati që zhvillohet është në se elita e vërtetë intelektuale shqiptare duhet të interferojë në skakirat e pushtetit politik, apo duhet të mbesë jashtë saj dhe të ketë ndikim në orientimin e opinionit publik. Pra çfarë kërkojmë nga elitat intelektuale: Të hyjnë në politikë e të kërkojnë Pushtet Politik personal apo të rritin rolin e tyre në sferën e Ndikimit të Opinionit Publik? Në kohën e sotme kjo çështje është objekt i gjerë debate, që synon që njohuritë e elitave të përqendrohen jo në sferën e përdorimit politik se sa në atë të ngritjes së ndërgjegjes qytetare, sensibilitetit civil, cilësisë së debatit, diskursit dhe përmirësimit të dukshëm të nivelit qytetar të opinionit publik.

Në të vërtetë gjykimi i shëndetshëm është ai që kërkon që elita intelektuale shqiptare të jetë në pozicionin e ndihmuesit të dyanshëm edhe të politikës dhe opinionit publik. Roli i elitës është në shtratin e duhur vetëm kur intelektualët që e përbëjnë atë, nuk e ndajnë rolin profesional nga detyra e ndikimit në jetën publike. Teza se “në postet publike intelektualët pushojnë së qeni intelektualë”, është një tezë e provuar fare qartë nga zhvillimet demokratike në Shqipëri në këto 26 vite, kur nga përfshirja pasionale në politikën militante të majtë apo të djathtë shoqëria shqiptare dhe opinioni publik në shumë raste ka humbur shumë intelektualë e profesionistë të vërtetë. Ndërkaq në sferën politike janë shtuar intelektualët politikë, të cilët megjithë përpjekjet për të maskuar statusin e cenuar në të vërtetë shpesh herë për fat të keq të tyre dhe të politikës shqiptare shfaqen kulturalisht me defekte dhe intelektualisht cerebralë…

SHKARKO APP