Pse duhet të trembemi në solidaritetin për Rigertën e dhive

Nga Mira Kazhani

Rigerta nuk më preku, as përloti. Ndoshta se historinë e saj e di prej dy vjetësh. Kur e kam dëgjuar për herë të parë, më ka lënë përshtypje, si shumë raste të tjerë me të cilët krenohemi pak për fshatin tonë, i cili nuk është tamam-tamam fshat, por si thotë një mikeshë: Katund. Nuk jemi as si fshatrat e Italisë, as si të Francës, as si të Malit të Zi po të doni.

Që një studente mbaron studimet në Itali dhe vendos të bëjë një fermë dhish në fshat, kjo është vetëm një histori e bukur. Pa dyshim në çdo sipërmarrje ka sfida, netë pa gjumë, pesimizëm dhe vuan jo pak. Rigerta është një rast për t’u promovuar dhe mbështetur.

Tani, kjo pjesa e fjalimit në Kuvend, pathosit të vajzës nga Mirdita, që nxori në dukje sfinksin brenda saj, lotëve dhe veçanërisht solidaritetit në rrjet, është pak shqetësuese. Pa dyshim, fjalimi i Rigertës ishte i pari për këtë sesion që ia vlente, por kur sheh reagimet dhe rrjetin, të kujton rrëmbesën e lumit që i merr ta gjitha përpara duke lënë një shije të thatë.

U përpoqa ta pëlqeja Rigertën gjatë gjithë ditës, për shumë motive që i ka hak, por s’di pse dreq më kujtoi fëmijërinë, jo atë kur vrisnim gjunjët tek gjyshërit në fshat, por kur shihja televizor në darkë. Ishte pak provokim i një modeli komunist. Shembulli, fshati, vështirësia, thjeshtësia, dhia….etj., etj. Sikur rrjeti mos kishte shpërthyer në mahnitje, ndoshta kjo panoramë e stilit komunist nuk do e kishte përfunduar rrethin, por për fat të keq, të gjithë e shkatërruat frymëzimin e Rigertës duke e bërë atë të duket patetike dhe ne si shoqëri, ende peng i njeriut të masës.

Rrjeti tregoi se ne simpatizohemi ende me modelin përvuajtës të viktimës. Ndjenjat me themel populist janë duke u forcuar dhe në rritje, gjë që vjen edhe si shkak i një fryme anti-establishment.

Disa arsye pse brohoriti rrjeti “Rroftë Rigerta!”

-Është kollaj të biesh në dashuri me dhitë e studentes së “La Sapienza”-s. Për dembelët, është ngushëllimi më i madh që edhe shkolla nuk ia vlen. Një fermë dhish e bën edhe pa shkollë fare. Mjaft të dish të jetosh në fshat. Për establishmentin është komode, sepse u thua të rinjve shikoni Rigertën, punë s’ka në administratë, pse nuk e provoni në fshat?!

Për ata që jetojnë mirë në vila, iu shijon rasti dhe e marrin si një rast ekzotik. Të jesh empatik me vajzën nga Mirdita është si një katharsis i shpirtit. Është një mënyrë për t’i thënë botës se jemi njerëz të mirë dhe vlerësojmë njeriun e punës.

Nuk dua të prish festën e heroinës së ditës, por shpresoj që Rigerta të mos i marrë emisionet me radhë prej së hënës, që nga pasditet, emisionet e darkës, pas darkës, sepse do t’i humbin dhitë në fshat duke u marrë më famën bosh të kryeqytetit. Nëse ajo do ta lërë me kaq, pjesa e ekzagjerimit do jetë faturë edhe njëherë e rrjetit dhe dëshmi e varfërisë dhe vulgaritetit intelektual.

Rigerta, e dashur! Nuk qau askush për ty, aq më tepër për dhitë e fshatit tënd. Arsyet pse ata u bënë tifozët e tu, janë shkaku pse ti ke vuajtur aq shumë. Jemi ende kaq të vonuar dhe show i parlamentit ishte një tjetër hap pas! Rroftë Rigerta, poshtë Rigerta! /tiranapost/

SHKARKO APP