Pse Eljan Tanini ra në kurthin e Veliajt

Placeholder Image

Nga Artan Fuga/Eljani, pas thirrjeve publike që u bëri mijra njerëzve, në raportin me pushtetin lokal në Tiranë, nuk varej nga vetja, por nga ndërgjegja kolektive që ai i bëri thirrje.

Nuk ka të drejtë t’i japë asaj mesazhe kontradiktore.

Nuk mund të shfaqet edhe si artist që pret vlerësime dhe merr fonde; edhe si qytetar kritik dhe mospranues i të njëjtit pushtet pa vendosur kushtet e veta dhe pa bërë transparencë publike për sjelljen e tij para eventit.

Liria individuale kuptohet, por ajo në aksionin social i nënshtrohet logjikës të opinionit kolektiv që ke marrë përsipër të çosh përpara.

E dyta, Eljani nuk është në gjendje të dijë tani nëse aeroplani i tij ka fituar sepse ka vlera estetike, apo sepse bën pjesë në strategjitë e bashkisë për të ngritur veten dhe ulur atë. Kjo është më dramatikja.

Ai kompromentoi kështu fatkeqësisht vlerat e veprës së tij estetike. Sa herë brezat ta shohin atë vepër arti do të pyesin: Ishte merita e autorit, apo ishte fryti i një strategjie komunikimi dhe korruptimi i një qytetari nga pushteti lokal? Kjo është e dhimbshme.

Së treti, termi se ‘është ambientalist por jo opozitar’ nuk ka vend. Ambientalisti është opozitar. Ai ka kritikuar komunikimin, dhunën, mungesën e demokracisë.

Pra nuk është çështje tek dy gropat e pemëve. Dhe në çast pranon të vlerësohet nga pushtete që ai ka kritikuar për mungesë demokracie! Kjo nuk kuptohet dhe nuk pranohet.

Kurse përsa i perket bashkëpunimeve me pushtetin ose me zgjedhjet individuale, sigurisht secili bën si të dojë. Lirisht. Ai mund të merrte pjesë në konkurs dhe pastaj ta refuzonte çmimin nëse bashkia nuk do t’i kërkonte falje për trajtimin e qindra protestuesve. Pa kopshtin ta betonizojë. Punë e madhe. Kjo është dytësore.

Meritat individuale, idealistët i vënë në shërbim të çështjes të së mirës së përgjithshme. Këtë nuk kupton Eljani sipas meje.

Por, ai kishte marrë një përgjegjesi sociale dhe qytetare, të cilës i dha një goditje që për kohë të tëra nuk do ta marrë veten.

Nuk është problemi se a është i ndershem ose jo Eljani. Une e di për të tillë dhe idealist.

Puna është se çfarë mesazhesh jep dhe si perceptohesh, jo si je brenda teje, por si të percepton publiku.

Kjo është gafa dhe kurthi ku ai ra si pa përvojë në komunikimin qytetar dhe duke e marrë lehtë angazhimin e tij.

Ai ka një mënyrë të korrigjojë, bëri mirë që konkuroi, por ai duhet ta refuzonte çmimin dhe kështu do të ngrinte lart kauzën e tij.

Nuk ka kauza qytetare pa sakrifikuar.

SHKARKO APP