Pse është bërë e vështirë të flasësh seriozisht për BE-në në Ballkanin?

Nga Lavdrim Lita* –

Bashkimi Europian është në vështirësi të mëdha. Lëvizjet migratore, refugjatët, kriza ekonomike, papunësia, varfëria, dhe rritja e populizmave janë goditje të forta që Europa po merr në çdo ije të saj. Intelektualë të njohur evropianë së bashku me politikanë, artistë dhe profesionistë të lirë po debatojnë për të gjitha këto çështja. E fundit çështje që po shumë debatohet është  referendumi i pritshëm i Britanisë së Madhe për të qëndruar apo dalë nga Bashkimi Europian. Dëshira e Britanisë së Madhe për të bërë një marrëveshje të re me Bashkimin Europian është një kërkesë demokratike, por që po minon në themele besimin tek një organizate që nuk është as një shtet si SHBA-të dhe as një organizatë ndërkombëtare si OKB-ja. Është një organizatë sui generis.

Në thelb, BE-ja është një marrëveshje politike e bazuar në konceptin e solidaritetit pas Luftës së Dytë Botërore, ku Franca i propozoi Gjermanisë një marrëveshje për bashkëjetesë të gjatë, brenda një familje europiane ekonomike, ku do të shtoheshin kurorat e shumë vendeve të tjera. Kjo magji integruese sot duket se ka marrë fund. Gjermania që falë disiplinës përparon dhe mban peshën e refugjatëve po lëkundet në çështjet e pritjes së refugjatëve dhe emigrantëve  nga Ballkani, Franca ka humbur interesin në punët europiane. Italia dhe vendet e Beneluksit po qëndrojnë në pritje dhe në pozicione të heshtura në çështje të mëdha.

Edhe ideja e Europës pa kufij po rrezikohet prej liderëve politikë që dëgjojnë humorin e votuesve e për rrjedhojë rikthejnë kufijtë dhe telat me gjemba në Europë, si dhe pezullojnë për gjashtë muaj lëvizjen e lirë në zonën Shengen. Rreziqet e kësaj politike janë të mëdha. Lëvizja e lirë e njerëzve pa viza dhe kontrolle të tepruara është një arritje civilizimi. Rikthimi prapa do të ishte një vetëvrasje duke parë rritjen e pafrenueshme të Kinës, Indisë, Afrikës së Jugut dhe kërcënimit prej Rusisë imperialiste dhe kërcënimeve asimetrike.

Në politikën ballkanike, pa lëvizjen e lirë të qytetarëve në BE gjithçka do të kthehej në një lojë fajësimi të dyfishtë dhe do të kërkohej flirtimi me miqtë e armiqtë e vjetër. Dhe të flasësh për Bashkimin Europian në Tiranë, Shkup, Prishtinë e kryeqytete të tjera të rajonit po bëhet e vështirë për shkak se karota e zgjerimit po mungon dhe vringëllima e dajakut mbi kokë po ushton: si në rastin e reformimit të  sistemit të drejtësisë në Tiranë, përmbushjes së kushteve në Kosovë, apo zgjedhjeve të lira në Maqedoni.  Politika në vendet e Ballkanit Perëndimor, e cila është e njohur për kapjen e tregut mediatik dhe shoqërisë civile – për rrjedhojë po injekton një frymë bizantine, të heshtjes për tema të mëdha dhe telekomandimit të opinionit publik në  kotësi.

Si do që të jetë, Bashkimi Europian përmes delegacioneve të saj në kryeqytetet e rajonit po ndryshon strategjinë në terren duke u mbështetur në grupe të reja profesionistësh të angazhuar, organizata serioze të shoqërisë civile dhe individë me integritet për të përçuar vlerat e saj. Ndonëse rreziqet e kësaj sipërmarrje janë të shumta duke parë intoksimin e shoqërive postkomuniste me etalone të shoqërive të izoluara.

*Autori është gazetar nga Tirana dhe njohës i mirë i rrethanave politike e shoqërore në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. MA në Kolegjin Europës.

SHKARKO APP