Pse i vranë austriakët tre oficerët shqiptarë?

Nga Nuri Dragoj/Lufta e Parë Botërore kishte gati dy vjet që vazhdonte me ashpërsi. Në njërin krah u pozicionuan Fuqitë e Antantës, ku bënte pjesë Britania e Madhe, Rusia dhe Franca, dhe nga ana tjetër, Austro-Hungaria dhe Gjermania. Italia fillimisht e shpalli veten asnjanëse, por më vonë iu bashkua ANTANT-ës. Lufta midis Serbisë dhe Austro-Hungarisë, i krijoi hapësirë Rusisë dhe Francës që të rihidhnin në treg mundësinë e daljes së Serbisë në Adriatik, tezë, e cila u qe kundërshtuar nga austriakët edhe gjatë Konferencës së Ambasadorëve më 1913.

Shqiptarët besuan se kjo luftë do ta detyronte Serbinë të lironte trojet e tyre në Kosovë, të marra padrejtësisht në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës. Madje, Ismail Bej Qemali mendonte se po të garantohej pavarësia e Shqipërisë nga Londra, ishte mundësia të organizohej një ushtri shqiptare që të shërbente në krah të aleatëve. Por Rusia, Franca, Serbia dhe Greqia nuk pajtoheshin me pavarësinë e saj. Madje ata nxitën kryengritësit e Shqipërisë së Mesme, të cilët hynë në Durrës me anë të armëve dhe ngritën flamurin turk. Për fqinjët, Shqipëria mund të copëtohej më lehtë, duke qenë nën varësinë e Turqisë, se sa nën mbrojtjen e Londrës.

Nën këto presione edhe Londra e konsideroi vendimin e Konferencës së Ambasadorëve një copë letër dhe u hapi rrugë fuqive të interesuara të vepronin në Shqipëri. Në rrethanat e krijuara, trojet shqiptare u rivendosën sërish në tryezën e Të Mëdhenjve për një rindarje të re. Secila prej grupimeve kërkonte të tërhiqte pas vetes Greqinë dhe Italinë. Dueli u fitua nga ATANTA, e cila u premtoi të dyjave sipërfaqe të mëdha nga trojet shqiptare. Britanikët mendonin se për të tërhequr Greqinë në krahun e Antantës, e vetmja rrugë ishte që Athinës t’i premtohej zyrtarisht Shqipëria e Jugut. Zyrtarët e lartë të Romës që kishin qenë përkrah Austro-Hungarisë deklaronin se nuk do të mbanin anën e Vjenës, me pretekstin se ajo sulmoi Serbinë. Rusia nga ana e vet ishte duke ndërtuar strategjinë dhe taktikën që duhej të ndiqte në rrethanat e reja. Nëse nuk i prishej punë Serbisë, ajo ishte e gatshme t’i njihte Romës zotërimin e Triestes dhe Vlorës. Në këtë mënyrë afronte Italinë në tryezën e tyre. Gjithashtu rusët nuk e përjashtonin lindjen e një konflikti të mundshëm midis Romës dhe Vjenës, sidomos për çështjen e Adriatikut.

Rusët e kundërshtonin praninë italiane në Adriatikun Lindor, sepse e shihnin si rrezik për sllavët. Fuqitë e Mëdha bënë një hap prapa, pasi Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë e konsideruan hap të gabuar. Me këtë mendim u pajtua dhe ministri i Jashtëm anglez Edëard Grey. Madje ai arriti deri aty sa ta quante veprim të gabuar pengimin e daljes së Serbisë në Adriatik.

Në vitin 1916 të dyja ushtritë që kishin marrë nën kontroll Shqipërinë, austriakët në veri dhe italianët në jug, bënë të gjitha përpjekjet për të zhvatur sa më shumë nga vendi i zhytur në mjerim. Në Apolloni bëheshin kërkime arkeologjike nga austriakët. Fillimisht, oficeri përmetar Kamber Bënja, që bënte pjesë në radhët e ushtarakëve austriakë, nuk shfaqi dyshim për gërmimet e arkeologëve të perandorisë dualiste. Kjo duket qartë në bisedën e tij me të birin, Zenelin, të cilit i fliste për rëndësinë e atyre kërkimeve që tregonin lashtësinë e kombit shqiptar.

“Ta dish biri im, që ne jemi një popull i lashtë dhe kemi të drejtë të mburremi me të kaluarën tonë”, – i thoshte oficeri patriot të birit. Sipas tij, të huajt që hynin dhe dilnin nëpër trevat tona, çfarëdo që të bënin, nuk e ndryshonin dot faktin që ne kemi historinë dhe gjuhën amtare. Ata vinin dhe shkonin, por asnjeri prej tyre nuk kishte mundur të tjetërsonte kombin shqiptar. Këtë nuk e bëri dot “as arroganca e Romës së lashtë, as dredhitë e Bizantit, as halldupi i nëmur, as greku dinak e as serbi katil”. Nuk mundën të shuanin dhe as të vidhnin ekzistencën e vendasve, “të cilën nuk kanë mundur ta përmbysin mijëravjeçarët”. Gërmimet ai i shihte si një hap të madhërishëm, “për të provuar kush jemi dhe nga vijmë”.

Kamberi mendonte kështu sepse besonte në deklaratat e Vjenës, në të cilat thuhej se Austria punonte për të mirën e Shqipërisë. Besonte edhe për faktin se Austro-Hungaria dha ndihmesën e vet për krijimin e Shqipërisë, ndonëse me kufij të cunguar. Por në të vërtetë edhe austriakët shihnin interesat e tyre.

Të dy aleatët që “luftonin” për çështjen shqiptare, i patën kthyer armët njeri-tjetrit. Konfuzioni ishte i madh. Populli shqiptar nuk merrte asnjë informacion të saktë mbi zhvillimin e ngjarjeve. Batalionet me vullnetarë shqiptarë qëndronin buzë Vjosës. Vullnetarë të tjerë, nën komandën e Sali Butkës, i qenë drejtuar Korçës. Orientimi ishte i vështirë. Shpresohej të mësohej ndonjë informacion nga robërit austriakë apo italianë, por ata i zmadhonin ngjarjet. Informacionet e dëshmitarëve në përgjithësi nuk qenë të sakta, ndonëse shënoheshin me zell nëpër ditaret ushtarake. Pjesa më e madhe e ushtarëve ishin të lodhur dhe jashtëzakonisht të frikësuar, pasi nuk kuptonin përse po e bënin atë luftë larg vendlindjes së tyre.

Austriakët shtriheshin në krah të Vjosës dhe patën përparuar deri në malet e Korçës. Ata mendonin se shqiptarët nuk ishin pjekur ende si komb për të gëzuar pavarësinë, prandaj qenë të mendimit që të mos fitonin po ato të drejta që u premtoheshin boshnjakëve. Edhe vullnetarët shqiptarë që komandoheshin nga Ahmet Zogu, kishin zënë Vjosën.

Në Pojan të Fierit vazhdonin gërmimet dhe oficerët austriakë tentuan të merrnin disa antikitete për t’i dërguar në Vjenë. Ky veprim u kundërshtua prej oficerëve shqiptarë. Ndër ata që u bënë pengesë ishte dhe kapiten Kamber Bënja, i mbështetur nga Ahmet Zogu dhe shokë të tjerë.

Kamber Bënja u trondit kur vuri re që objektet arkeologjike shqiptare, të zbuluara nëpërmjet gërmimeve nga arkeologë ushtarakë austriakë, ishin duke u vendosur në arka. Një tjetër oficer shqiptar, Abaz Taushani, pyeti Kamber Bënjën se përse bëhej një ngutje e tillë, aq më tepër kur ishte fjala për objekte me vlerë të madhe arkeologjike. Besimi i madh që kishte Kamberi te austriakët duket dhe në dialogun e tyre.

– Nënkoloneli është miku ynë, – i tha Kamberi. Të paktën kështu paraqitet. Ka thënë se këto materiale arkeologjike janë grumbulluar për një muzeum shqiptar.

Por tjetri nuk u bind nga përgjigja e shokut të vet.

– Ato janë të sigurta aty ku janë, të ngulura në tokë, – iu përgjigj Abazi. Është folur për muzeum, por nuk thuhet ku do të jetë ky muzeum. Mos është fjala për në Vjenë? Çfarë aleatë janë këta që vjedhin në mes të ditës pasurinë tonë më me vlerë?

Kamberi e shihte shokun e vet drejt e në sy.

-“Ke të drejtë, – tha ai pas pak, duke vështruar ngultazi nga Abazi. Kjo çështje duhet parë sipas gjykimit tuaj, pasi unë deri tani i kam konsideruar si dashamirës të Shqipërisë”.

Bashkë me Abazin dhe Bexhet Manastirliun hartuan një protestë. Atë e lexoi Abaz Taushani. Me pak fjalë në të thuhej: “Protestojmë sepse këtu po rrëmbehen të gjitha zbulimet me vlerë arkeologjike, pa lajmëruar autoritetet e vendit. Ne mendojmë se ju keni ardhur në Shqipëri si miqtë tanë, por kjo ngutje për të përcjellë me eskortë të gjitha bustet e mermerit, unazat e floririt e të bronxit me gurë të çmuar dhe gjithë atë qeramikë të stolisur me figura mitologjike, që janë pjesë e historisë sonë kombëtare, është e padrejtë dhe e palejueshme”!

Nuk duhej të merrej as arka e gurit që ndodhej në oborrin e gjimnazit turk të Beratit. Ajo arkë, në të vërtetë ishte një krematorium, ku kishte shënime me vlera të rralla për historinë dhe origjinën e qyteteve të tokës së lashtë ilire.

Çështja u bë problem. Oficerët e lartë austriakë filluan të shqetësoheshin. Nënkoloneli G.V., pyeti me ironi: Përse jeni zemëruar ju zotërinj? Ajo arkë guri, a nuk do të ishte për nder që të vendosej në muzeun e Vjenës dhe ta vizitonin mijëra qytetarë nga e gjithë bota, që të mësonin më në fund se GYLAKIA e juaj, ka qenë djepi i qytetit të lashtë të Apolonisë?

– Zoti nënkolonel, – ndërhyri Kamberi. Ju keni studiuar dhe e dini mirë që Apolonia ishte baza kryesore e Romës, për pushtimin e Ilirisë. Kjo fushë ka qenë një kamp i përjetshëm përleshjesh, ku romakët gjunjëzuan mbretin e fundit të Ilirisë, Gentin. Pas shkatërrimit të atij shteti, këto qytete të mjera kuptuan se Iliria kishte qenë i vetmi shtet që i jepte garanci lirisë së tyre.

– “Takimi për sot mbaroi, – tha prerë nënkoloneli austriak. Shkoni në vijën e parë të frontit dhe i raportoni komandantit për shthurjen e vullnetarëve tuaj”!

Austriakët shfrytëzuan tërheqjen e disa vullnetarëve nga fronti dhe akuzuan tre oficerët shqiptarë, kapiten Kamber Bënjën, toger Bexhet Manastirliun dhe toger Abaz Elbasanin, si nxitës për largimin e tyre. Pas kësaj ata u arrestuan dhe, me një gjyq të shpejtë, u dënuan me pushkatim. Akuza ishte: “Kanë ndikuar në shthurjen e vullnetarëve shqiptarë që ishin rreshtuar në çetat e komanduara nga austriakët”.

Ky fakt pohohet edhe nga arkeologu Hasan Ceka. Sipas tij, austriakët bënë kërkime arkeologjike në Pojan dhe zonat e afërme, mblodhën skulpturat me vlera të mëdha artistike e historike, të cilat donin t’i nisnin për në Vjenë. Ata u kundërshtuan nga tre ushtarakë shqiptarë, të cilët e paguan me kokë. Ata u akuzuan si njerëz të venë në shërbim të italianëve. Për këtë arsye, gjyqi ushtarak i dënoi me vdekje. Përfundimisht, një pjesë e skulpturave u dërguan në muzeun e Vjenës, ku ndodhen edhe sot.

Kapiten Kamber Ali Përmeti, komandant batalioni, toger Bexhet Riza Efendi Manastiri dhe Abas Bej Elbasani, u akuzuan për krim ushtarak, se kishin nxitur ushtarët të braktisnin pozicionet. Në bazë të ligjit ushtarak të Austrisë, ata u pushkatuan më 4 qershor 1916. Në njoftimin e datës 22 qershor, të komandës së Divizionit të Trupës së Fanterisë, thuhej se largimi nga fronti i pjesës më të madhe të rekrutëve, në dy batalionet e Matit, kishte si shkak propagandën e oficerëve shqiptarë. Në mesin e muajit gusht të vitit 1916, ministrit të Jashtëm austriak Burian, i raportohej lidhur me porosinë e dhënë për çështjen e pushkatimit të disa oficerëve shqiptarë.

Në informacionin që i dërgohej Vjenës ngarkohej me përgjegjësi edhe Ahmet Bej Zogu, për qëndrim jo energjik ndaj tyre. Por ndaj tij dhe disa oficerëve të tjerë, nuk u grumbulluan prova të mjaftueshme për t’u marrë masa të rrepta. Ahmet Beu, pa e ditur që pranë batalioneve shqiptare ndodhej kapiteni Botyck, në të njëjtin pozicion detyre me Kamber Ali Përmetin, u largua nga Fieri sapo mësoi për hetimin gjyqësor që po i bëhej çështjes. Austriakët bënë përgjegjës edhe togerin Mahmut Shefkiu, komandant kompanie në batalionin e VIII, sepse, sipas tyre, kishte njoftuar ushtarët të largoheshin për në shtëpi. Për këtë ai u pushkatua në Tiranë, më 15 qershor 1916. Gjyqi arrinte në përfundimin se ky veprim nuk ishte thjesht ide e oficerëve shqiptarë, por ata ishin të shtytur nga jashtë. Gjyqtarët ushtarakë qenë të mendimit se oficerët vendës mund të kishin lidhje me armikun, pasi shpesh herë ishin prerë dhe linjat telefonike.

Në një tjetër dokument pohohej se komanda ushtarake kishte pushkatuar në fshehtësi tre të rinj shqiptarë, për shkak të qëndrimit të tyre patriotik. Ata ishin Kamber Efendi Përmeti, Bexhet Efendi Kalkandeleu dhe Abas Beu nga Elbasani. Abazi kishte kryer studimet në Itali dhe pati shërbyer për disa kohë në regjimentin italian. Ai mendonte se në ushtrinë austriake do të gjente njerëz të ndershëm, besim, të cilin e pagoi me kokë. Sipas këtij burimi, pushkatimi i tyre u bë, pa u dhënë asnjë farë argumenti. Madje, gjykata nuk u garantoi as mbrojtjen ligjore të pandehurve.

Meleq Bej Frashëri, në një informacion që i dërgonte komandës austriake, i cilësonte të pafajshëm oficerët shqiptarë të pushkatuar. Sipas tij, largimi i ushtarëve nuk kishte ndodhur për shkak të ndikimit të tyre, por sepse u jepej rroga në bankënota, në një kohë që Italia i paguante me 80 lira ari në muaj. Dokumenti i arkivit të Vjenës jepte hollësi rreth biografisë së informatorit. Sipas tyre, toger Meleq Bej Frashëri kishte qenë në shërbim të Ëiedit, si oficer xhandarmërie. Ai dallohej në punë dhe qe dekoruar për trimëri, por në vitin 1914 u plagos dhe u çua në Vjenë për mjekim, ku qëndroi disa kohë. Duket se për kujdesin e treguar ndaj jetës së tij, ai qe dashamirës ndaj Austrisë dhe informacionet që dërgonte quheshin të besueshme.

Po kush ishte Kamber Bënja? Ai lindi në fshatin Bënjë të krahinës së Dëshnicës në rrethin e Përmetit më ……… Pasi mori mësimet e para në Përmet, i vijoi ato në Korçë, Janinë dhe Selanik. Në Manastir u lidh ngushtë me Komitetin “Për lirinë e Shqipërisë”. Pas Shpalljes së Pavarësisë, u vu në shërbim të qeverisë së Vlorës, si oficer karriere. Në bashkëpunim me oficerët holandezë, ai dha ndihmesë të çmuar në organizimin e xhndarmërisë shqiptare dhe forcimin e rezistencës ndaj forcave greke. Në vitin 1914 luftoi kundër forcave rebele të Shqipërisë së Mesme dhe më pas, edhe kundër trupave serbo-malazeze, gjatë muajit maj 1915.

Në vitin 1962, kur Shqipëria kishte 50 vjet e pavarur, Kamber Bënja u nderua me medaljen “Për veprimtari patriotike”. Me atë rast, Skulptori i Popullit Odhise Paskali, kur ngriti monumentin në Bënjë, në të cilin shënohen dy emrat e trimave të atij fshati, Kamber dhe Nexhip Bënja, u shpreh se gjatë punës për hartimin e monumentit për “luftëtarin e lirisë”, kishte përfytyruar Kamber Bënjën, që u bë mbrojtës i monumenteve të kulturës së lashtë shqiptare. Por në atë moment, u gdhend edhe emri i Nexhip Bënjës.

Eshtrat e Kamberit u prunë në Përmet në vitin 1977, me rastin e 65- vjetorit të Pavarësisë. Me atë rast u krijua dhe një këngë, kushtuar jetës dhe veprës së tij. O Kamber, o trim, bir i malevet, / Ka dalë Përmeti dhe ty po të pret! / Nexhipi po pret trimin e trimavet / Siç pret burri shokun e armëvet / Të ngrinë e të suallë, brenda në Përmet, / O Kamber, o lule, trim i trimavet…

SHKARKO APP