Pse janë kaq të varfër shqiptarët…?!

Nga Evdal Nuri/Këtë vit, nipi Antuani erdhi për pushime me një shokun e tij francez. U munduam që t’i kënaqnim, por disa gjëra s’i kishim në dorë për t’i rregulluar. Ata u përballën me “dy botë të ndryshme”. Pyesnin shumë, por shpesh dhe revoltoheshin! Fjala vjen: “Pse ngrenë zërin e flasin të gjithë në të njëjtën kohë shqiptarët?” I bënin përshtypje lypsat nëpër rrugë që i zvarriteshin makinave. Kishin shumë frikë nga qentë që tufa- tufa i gjen kudo në Tiranë! U skandalizua kur në hyrje tek këndi i lodrave kishin parë batanije, ca trasta, një çadër e ca rrecka, e pranë tyre një njeri që flinte! Nuk e mendonin kurrë, që ajo ishte “shtëpia në bulevard” e një varfanjaku. I bënin përshtypje shkarravinat e fjalët që kudo i gjen në Tiranë! Vajzat e veshura me xhinse të grisura i quanin “të varfra”.

Duke njohur këtë realitet, dhe duke parë jetesën tek ne pas disa ditëve me shumë kureshtje pyeti t’ëmën frëngjisht: “Pse janë kaq të varfër shqiptarët”?! Pse, them dhe unë, por shtoj pse historikisht të varfër?  Këtë shqetësim kam pasur, që nga koha kur arrita të kuptoj për botën, shtetet, regjimet, ekonominë, politikën. E njoh mirë historinë e vendit tim, mbasi për të kam studiuar. Jam i shqetësuar: “Pse punët në vendin tim ecin keq”? Unë di që vendi im është mjaft i begatë. Pushtimi 500 vjet otoman na la shekuj pas, në krahasim me shumë shtete të tjera të Europës.  Pas Pavarësisë, kemi Luftën e Parë Botërore. Vendi ynë u kthye në shesh lufte. Iu bënë shumë padrejtësi nga qëndrimet shoviniste të shteteve fqinjë për zaptim tokash. Gjendje e mjerueshme! Regjimi zogist na la në një shtet feudalo-borgjez. Ekonomi shumë e prapambetur, kur Europa kishte mbi një shekull që kishte kaluar në marrëdhëniet kapitaliste. Regjimi diktatorial 45- vjeçar me “mburkat” e tij: Shqipëria “fanarë ndriçues” në brigjet e Adriatikut, përfundoi në skamje e mjerim.

Po në demokraci? Kemi 25 vjet që jetojmë një politikë konfliktuale midis forcave kryesore politike. Kur bëjnë fushat, çfarë s’premtojnë! Do ulim taksat, do rritim pensionet, do bëjmë këtë dhe atë! E kanë pasur nga 12-të vjet pushtetin si e majta dhe e djathta, pse na kanë mashtruar e s’i kanë realizuan? Dihet se kemi korrupsion. Drejtësia përbën lokomotivën e tij. Vetëm në drejtësi, s’ka drejtësi! 18 muaj u morëm me reformën në drejtësi. U aprovua, por sa e si do të zbatohet t’ja lë kohës? Krimi po na vret e tmerron çdo ditë. S’jemi të sigurt në rrugë, autobus, aty dhe në shtëpitë tona! Gjithçka mund të ndodhë! E gjen nga s’e pandeh! Televizionet e nisin dhe e i bitisin lajmet me kronika tronditëse. U vra ky, u mbytën ai. Babai përdhunoi të bijën, i çmenduri theri kushëririn. Vetëm shqetësime kudo e në çdo kohë! S’e kuptoj pse i bëjnë kaq bujë ngjarjeve negative mediat, kur ato vetëm edukim s’kanë. Në cilin vend të Europës uji është me orar, edhe pse shpesh mbytemi dhe për burimet hidrike jemi të dytë në Europë pas Norvegjisë? Tirana, qyteti më i ndotur dhe i zhurmshëm në Europë! Ndotja sipas BE-së është 30% më madhe se norma e lejuar. Pensionet? Më të ulëta se kudo! Çmimet më të larta se kudo! Aksidentet dy herë më të larta se në Europë. Industria e asfiksuar! S’di se për cilën degë të industrisë të flasësh! Mungojnë investitorët e huaj, sidomos ata perëndimorë. Edhe kur vjen ndonjë e shqepin në dru! Ai largohet për të mësuar të tjerët. Shkoni në Shqipëri që ta pësoni s’i unë! Rasti i fundit i biznesmenit që u ra barbarisht! Arsyeja, s’kanë siguri e garanci. Bujqësia në kushte tepër të vështira. Po shohim se toka po punohet me parmendë. Fushat tona mbyten në dimër e thahen në verë. Çmimet e punimit dhe plehrave të papërballueshme për fermerët. Shpesh prodhimet bujqësore s’gjejnë treg e prishen. Tjetër! Nuk kam dëgjuar që në 24 vjet, nga asnjë qeveri që të interesohet për fatin e mijëra shtetasve të saj të humbur nëpër botë. S’ka të sosur numri i bashkëkombësve fatkeq që i shohim çdo javë në emisionin: “Njerëz të humbur”. E kush pyet për ta ,veç familjarëve ?! Numri zyrtar i raportuar për lypsit në rrugë shkon afërsisht në 3000, por në fakt janë shumë më tepër. Ata i gjen kudo, në rrugë, kafene, kisha, xhami, tek të gjallët e tek të vdekurit. Na turpëruan dhe me të huajt. Pse kaq keq? Mos ja kemi bërë të keqen vetes? Edhe kjo mund të jetë ?! Mos kemi gabuar që në krye (me ose pa dëshirën  tonë) kemi vënë njerëz që nuk na kanë drejtuar, por na kanë sunduar? Ata vetëm të mira s’na kanë sjellë! Vetë i kemi zgjedhur duke ngritur në “qiell” kultin e tyre. E në këtë drejtim: “Mirë na i kanë bërë. “Çdo popull meriton qeverinë që ka mbi krye”.

SHKARKO APP