Pse kaq alergji për gratë në politikë dhe pushtet?
Nga Gëzim Tushi
Koha kërkon përpjekje të vendosura në shoqërinë tonë për t’i bërë ballë shovinizmit të butë mashkullor të mbështetur në idenë e vjetër patriarkale të nevojës së dominimit mashkullor sidomos në politikë dhe administrim. Vetëm kështu mund të ridimensionohet në kufijtë e natyrshëm të postmodernitetit “metafizika” e vjetër binare e identitetit në favor gjithnjë të meshkujve. Qeveria koalicionit të majtë e kishte në programin politik dhe është munduar të bënte diçka, dhe në të vërtetë ka bërë ndryshime themelore konceptuale dhe reale themelore për nxitjen e procesit të involvimin e grave në politikë dhe poste qeveritare, duke u besuar role të rëndësishme në politikë dhe në administratën publike. Por duhet pohuar se ecuria e jo në të gjitha rastet ka qenë normale. As mbështetja sociale dhe përkrahja e opinionit politik dhe publik nuk ka qenë në nivelin e kërkuar për një shoqëri demokratike dhe qytetarisht të emancipuar. Disa nga ngjarjet që mjaftojnë për të vërtetuar këtë fakt social janë fare të freskëta dhe të tilla që i bëjnë të dukshme përshtypjet e hidhura të reagimeve antigjinore. Disa reagime të klasës politike të pozitës apo opozitës, kjo nuk ka shumë rëndësi, të medias por dhe të qytetarëve të zakonshëm kanë qenë fare banale dhe krejt me trajtë ideologjike e korracë maskiliste evidente. Këto qëndrime kohët e fundit mund të gjenden të pasqyruara hapur në shtyp, të shpërdoruara në mediat sociale dhe pse jo edhe të artikuluara për qëllime të caktuara vrullshëm edhe në aulat e politikës zyrtare të gjithë krahëve. Madje efektet e tyre ndihen edhe më tej në realitetin e përgjithshëm social dhe statusin e cenuar gjinor të femrës shqiptare. Realisht që në ditën e parë të ngritjes së tyre në skakierën e politikës dhe detyrat e pushtetit, sulmi kundër tyre ka qenë i egër, frontal. Me të gjitha baterinë e “armëve mizogjene” dhe sulmet e arsenalit maskilist, me qëllim për t’i thyer ato në misionin e tyre personal, gjinor dhe social.
Nuk ka kaluar asnjë ditë që të mos ketë qenë kreshendo sulmi maskilist mbi gratë e involvuara në politikë, pushtet dhe administratë me synimin që me lenetet e forta të “panoptikonit maskilist”, për t’u gjetur në personalitetin e tyre me çdo kusht mangësi me natyrë gjinore në formim dhe aftësi në performancë apo akoma më keq, duke u rraskapitur në formën më të keqe e antihumane të mundshme për t’u “zbuluar” cene morale apo diskordanca të akordeve të statusit personal dhe situatës familjare, turbulencave të martesës, tipologjisë së jetës private apo çfarëdo lloji tjetër që lidhet me identitetin e tyre gjinor dhe ndryshimin biologjik e seksual. Qëllimi i kësaj situate paradoksale e krijuar për disa gra të angazhuara kohët e fundit në politikë apo të lançuara në poste me rëndësi në qeveri dhe në administratën e lartë publike, nuk është fare problem i thjeshtë dhe as vetëm i personalizuar dhe i lidhur rastësisht me emrat dhe personalitetin konkret të atyre femrave që patën shansin, mundësinë dhe meritën që të bëjnë atë lloj karriere.
Në të vërtetë unë mendoj se sulmi mbi to, sidomos mbi disa drejtuese të reja të disa institucioneve qendrore nuk ishte as nominal apo rastësor. Përkundrazi në se do ta vlerësojmë në thelb të vërtetën e “betejës” së fundit me gratë e përfshira në politikë dhe jetën publike në përgjithësi, duhet të pranojmë pa mëdyshje apo frikën se mos i zmadhojmë gjërat, se ai ishte, është dhe mbetet sulm gjinor strategjik, në thelb konservator, me orientim të qartë retrograd maskilist. Është e turpshme, e pamoralshme, e ulët aleanca e “shenjtë” e disa burrave të politikës dhe medias, që bashkë me disa gra aleate të maskilizimit dhe sulmit mizogjinist të tyre, synuan të frenohet kjo e ashtuquajtur në mënyrë pezhorative si “epidemi” e karrierës gjinore, kjo mbështetje politike e profesionale e tyre, qoftë e merituar apo edhe e mbështetur me mekanizmat humanë të diskriminimit pozitiv.
Personalisht gjykoj se kjo përpjekje kësaj here masive, e dukshme dhe e qëndrueshme e politikës për të mbështetur gratë e angazhuara pa efektet e dallimit të vjetër gjinor në politikë dhe përtej saj, ishte sipas gjykimit tim një moment historik dhe ndoshta dhe fillimi i një etape të re në shoqërinë tone. Duke e gjykuar më thellë këtë iniciativë të politikës dhe ndikimet e saj të gjëra në aspektin social, duhet pranuar se ky ishte sinjal pozitiv për të kuptuar ndryshimet gjinore të epokës postmoderne në Shqipëri dhe të vërtetën universale se gratë janë pjesë e shekullit të ri dhe siç besojnë shumica e sociologëve gjinorë, ato tashmë janë plotësisht në “kohën e tyre. Momenti i vlerësimit prioritar të rolit të grave në jetën politike, shoqërore, qeverisëse dhe administrative, është tregues i angazhimit për të bërë hapat e duhura në aksionin e prapambetur të barazisë gjinore në Shqipëri, duke dashur kështu që me vullnet politik progresiv të korrigjohet një paradigmë e ndryshkur e shikimit reduksionist, seksit apo e trajtimit të tyre brenda “fatalitetit të tyre biologjik” siç do mund të thoshte në këtë rast Zigmund Frojdi. Po përse tonusi antigjinor dhe denigrues i “betejës” kundër grave të ofruara në politikë apo të ngritura në poste politike e publike, është rritur disi kohët e fundit në shoqërinë tonë? Kjo edhe për shkaqe personale e arsye të performancave individuale apo të problemeve me natyrë politike, ka ndodhur që disa prej grave, të ndodhura nën ciklonin denigrues të opinionit maskilist janë larguar nga postet (e natyrshme që kjo të ndodhë edhe për ato). Por ajo që është e panatyrshme, e turpshme, masakruese, është sulmi ofendues i realizuar me të gjitha mjetet e mundshme të komunikimit, të humorit banal, spektakleve denigruese për të evidentuar me një aksent aspak miqësor këtë fakt.
Madje nuk kanë munguar as disa meshkuj mizogjenë dhe disa të tjera gra ziliqare e ambicioze, që në një kor të bashkuar kanë ngritur tezën, se detyrat dhe përgjegjësitë në kohën tonë nuk janë për gratë, se ato nuk i kanë energjitë e duhura për të ndjekur ritmin e kohës dhe se për shkak të “natyrës gjinore”nuk kanë aftësitë për të përballuar sfidat e ndërlikuara të drejtimit të punëve. Gati sa nuk pohohet, se ato nuk duke qenë femra nuk janë në gjendje të kenë objektiva, të ndërtojnë strategji dhe të jenë takticiene të mira për t’i realizuar postet dhe detyrat që u besohen.
Padyshim në se problemin do ta shikojmë në një spektër të gjerë, pa rënë në numeracionin e rasteve konkrete të “gjahut” maskilist apo viktimave të “dashura” për “gjah” për mizogjinistët e politikës, duhet të pranojmë atë të vërtetë që fshihet pas këtij realiteti që është tejet shqetësues. Jo vetëm për femrat tona, por dhe statusin e cenuar gjinor të shoqërisë shqiptare, e cila në këtë aspekt vazhdon të shfaqë akoma një këmbëngulje konservatore të çuditshme. Kjo do të thotë se akoma është në nivelin e hipokrizisë sociale ajo që themi teorikisht dhe publikisht se burrat dhe gratë janë të barabartë, por në praktikë jemi të ngulitur pas mentalitetit se pika e nisjes për gratë në politikë dhe jetën publike akoma është e ushqyer me mentalitetin maskilist se ato duhet të jenë disa metra prapa meshkujve…