Pse Koço është i vetëm për kanabisin ?

 

Nga Zef Shtjefni

U bë disa kohë që deputeti Koço Kokdhima po i mëshon idesë së kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore. Në fillim mu duk një ide e lajthitur, pasi vetëm pak muaj më parë Policia e Shtetit bëri të pabesueshmen: mposhti me luftë kështjellën e drogës në Lazarat, i cila ishte kthyer shtet më vete brenda Shqipërisë, duke sfiduar me radhë qeveritë. Ajo qe një betejë e madhe, me gjitha arsenalin e armëve, e cila për fat të mirë dhe për meritën e Policisë së drejtuar nga Didi, nuk u shoqërua me humbje jete njerëzish. Sot, kanë kaluar shumë ditë dhe, duke qenë se ne shqiptarët shquhemi nga kujtesa e shkurtër, mbase e kemi harruar atë betejë që zgjati thuajse një muaj. Kur nisi, kishte pak njerëz që besonin se ajo luftë do të fitohej nga Policia, sepse e kishte provuar më parë Fatosi. Por në Lazarat kishte shkuar të nesërmen Saliu dhe Policia e Fatosit ishte zbythur. E kishte provuar më pas vetë Saliu, por policët e tij i flakën tutje bosët e Lazaratit, duke i thënë: “vetë na the zotrote se ne lazaratasit jemi demokratë dhe në kohën e Nanos erdhe këtu e na i hoqe qafet policët e tij. Tani, këta tuajt merri me vete se ndryshe…”. Kështu Lazarati mbeti kështjellë e paprekshme e drogës në vend, i cili filloj të infektojë gjithë Shqipërinë dhe filloj ta identifikojë vendin tonë si Kolumbia e Europës. Kancelaritë perendimore të shqetësuara nga fenomeni, vunë në kryeradhën e detyrave të Qeverisë së re drogën dhe Lazaratin. Të gjithë ishin plot veshë e sy për të kuptuar nëse beteja e Lazaratit do bënte vërtetë pikën e kthesës për vendosjen në vend të autoritetit të shtetit në këtë copë të Shqipërisë, e cila qeverisej prej vitesh nga baronët e drogës. E marr me mend, por saktësisht nuk e di pse kjo droga është e shoqëruar gjithnjë me aq shumë armatim. I kam të freskëta ato ditë, kur Policisë sonë iu desh të përballej me gjithë atë arsenal në rrugicat e atij fshati në atë rrëpirë mali. Si në një skenar lufte të vërtetë fshati u rrethua dhe vetëm plani i zgjuar luftarak i oficerëve të Policisë, kurajë, guximi dhe strategjitë e zhdërvjellta të djemve dhe vajzave të policisë sonë në atë rrethim, bënë që baronët e drogës të braktisin mitrolozët dhe strukeshin shpellave të malit ngjitur dhe më pas një nga një të binin në duart e policisë. Sot është e lehtë të flasim, por nëse do të fliste njeri ato ditë, për kultivimin ligjor të kanabisit, dyshoj se do të shpëtonte nga prangat. E provoi Sali Berisha të sulmonte Policinë si plaçkitëse, si terrorizuese e fshatit etj. Ndoshta e bënte nga inati, pse një gjë të tillë nuk kishte mundur ta bënte vetë. Gjithsesi, mbase nuk pati kush nge e kohë t’i dërgonte një palë pranga ato ditë edhe Saliut. Megjithatë, mori si shpërblim injorimin dhe përçmimin e mijëra shqiptarëve.

Droga e Lazaratit, por edhe ajo e Bregut të Vlorës, e Dukagjinit, e fshatrave të Krujës etj. , është fakt se ka sjellë mirëqenie për disa familje. Sigurisht, ka sjellë pasuri të pafund për kryesisht për bosët e drogës. Por edhe për ca klane të tjera të lidhura me tregtinë, kultivimin, transportin e shpërndarjen e saj. Edhe një masë e konsiderueshme punëtoresh kultivues kishin gjetur punë në plantacionet e kanabisit. Këto klane vërtetë tani e kanë të vështirë të jetojnë pa drogën, apo të jetojnë me punëra të ligjshme, si gjithë pjesa tjetër e vendit. Mbase këto klane tani bëjnë përpjekje të gjejnë një rrugë dalje për biznesin e tyre të humbur. Një nga këto është pikërisht rruga e legalizimi të kultivimit dhe tregtimit të kanabisit. Deputeti dhe biznesmeni i njohur Koço Kokdhima i përket asaj zone dhe sigurisht me realitetin e papunësisë së madhe ndeshet çdo herë që kalon andej. Të shohësh qindra e ndoshta mijëra njerëz të pa punë e pa të ardhura, i dhëmb gjithkujt. Kështu që ideja, se nëse kultivimi i hashashit do të bëhej ligjërisht, këta njerëz e shumë të tjerë si këta do gjenin punë e rehati në Shqipëri, mbase e tundon deputetin dhe biznesmenin e mirënjohur. Por, unë konstatoj se kjo ide e Koços, ka mbetur e vetme. Mendoj se Koço ka mbetur vetëm, sepse sot është në kahun e kundërt të problematikës së kohës që ka vendi. Ideja e Koços ka mbetur vetëm, sepse Shteti shqiptar nuk është as SHBA. as Holandë, që baronët e armatosur të drogës së Lazarartit, tani e tutje, të bëhen qengja që të zbatojnë ligjin. Që drogën e tyre të vijnë ta dorëzojnë apo deklarojnë në shtet. Nuk janë më të urtë as ata të Dukagjinit, që qëlluan mbi helikopterin e Policisë. Ndaj të propagandosh sot kultivimin ligjor të kanabisit këtu, me duket njësoj si të thuash se Shqipëria është ShBA. ose Holandë. Është njësoj si të thuash se do të fikim zjarrin, duke i hedhur dru përsipër. 

SHKARKO APP