Pse merret me “cironkat” ambasadori amerikan ?

Nga Kristo Mërtiri/Kjo pyetje pa dorashka erdhi natyrshëm në mjediset e njerëzve të thjeshtë, të cilët ngritën supet habitore kur lëcitën intervistën e fundit të zotit Donald Lu. Shija e hidhur nuk fshihej dot. Të kuptohemi mirë qysh në fillim : Nuk bëhet fjalë fare për gënjeshtra nga protovjeshta ! Se gjuha zakonisht shkon tek dhemb dhëmbi. Shumica e shqiptarëve i kanë përshëndetur e mbështetur sinqerisht qëndrimet publike të këtij diplomati të lartë amerikan. Vec të tjerave, shqipja e tij e pastër i rriti shpejt kuotat e besimit, simpatisë e të vlerësimit, në qytete e fshatra. Aq më tepër kur flet hapur dhe shpesh më acik se politikanët tanë. Por gjetkë e kemi llafin dhe qylafin e problemit. Shkurt, “është i befasuar që brenda një viti disa njerëz janë larguar nga politika”(?!). Dhe paska zbrazur me emra e llagape 7 a 8 kokrra që shumicën e tyre nuk e njeh as mëhalla ku banojnë. Përse e përkuli kaq shumë shënjestrën, zoti Ambasador ?…

Po e them që tani mendimin modest personal : Nëse nuk do fliste, shkruante e lexonte gjuhën e vendit tim të bekuar, sinqerisht do ua hidhja qyrkun e gabimeve kryesisht këshilltarëve e asistentëve shqiptarë në rezidencën amerikane. Prandaj më lëvrijnë dyshimet natyrshëm. Ndoshta falë edhe profesionit tim të dashur për 4 dekada në Gazetari, profesion që nuk më ka lejuar ta ha asnjëherë sapunin për djathë apo më keq të bëhem si ai sapuni mbi gunë. Kur të takohemi sy më sy, kam bindjen e palëkundur se do të ftillohemi plotësisht të dy dhe nuk do të ndahemi me kokën mënjanë. Përkundrazi. Aq më shumë që familja ime ka dhënë e po jep kontributin e vet për shtetin e zotit Donala Lu. Megjithkëto, përse ta fsheh, unë mbaj mbi krye Shqipërizën tonë hallemadhe, të bukur e shenjtore mbi cdo shenjtore të kësaj bote ! I tillë jam gatuar e nuk besoj hic se mund të bëhem ndryshe ndonjë ditë a natë perëndie. Aq më mirë që nuk jam rrogëtar a “honorarevjelës” i dikujt, sic ka ndodhur e po ndodh me ca kolegë të vjetër e të rinj… Ditët e fundit, diplomati i lartë paska deklaruar se ka biseduar me deputetët ballë për ballë “sic bëhet në demokraci”. Po me cilët vallë, me ato cironka që përmendi në intervistë ?! Nëse është kështu, më vjen keq që e ka ulur kaq poshtë “shënjestrën” apo nivelin e bisedimeve serioze diplomatike. Dëshiroj që përqindja e besimit popullor shqiptar te SHBA, të mos bjerë asnjë milimetër. Në të kundërt, do të pikojnë pikë-pikë ato pikat e zhgënjimit të pamerituar…

Një parantezë : Në mos në vigjilje, të paktën pas 21 Korrikut të sivjetëm më thonë se ai paska lexuar edhe shkrimin tim “Drejtësia shqiptare nuk mund të pastrohet nga “halimxhafëria”, botuar te “Koha Jonë” sofërhapur e bujare, si letër publike pa zarf. Por unë nuk besoj plotësisht. Sepse këtë dilemë qytetare e profesionale, ma ushqeu edhe “argumenti” qesharak e trishtues me “cironkat” nëpër këmbët e politikës shqiptare pa pikë morali e qytetarie. Kur njerëzit e thjeshtë shprehen prerë e troc   se kjo klasë politike duhet shporrur, kurrsesi nuk është inat provincial, fjalë në hava apo fishekzjarr emocional i castit. Sepse kaloi një cerekshekulli Tranzicion rrokopujë e i paturpshëm mbi kurrizin e bërë shollë të popullit tim ! Prandaj lexuesit e shumtë irritohen natyrshëm përballë cironkave në detin e korrupsionit plot dallgë hajdutërie. Kjo Shqipërizë e bekuar nga Perëndia dhe e mallkuar nga Politika putanë, përmes varfërisë edhe qesh e tallet hidhur me ata peshq vocërrakë që erdhën cuditërisht me firmën e Kryetarëve gjer në majat e tempullit të Demokracisë, në Parlament. Sepse nuk janë nga ata sojlinj të “ujërave të ëmbla”, por nga gjirizet erërënda të këtij tranzicioni alabak e ulërak. Dhe ja ku arritëm : Në karrigen e nderuar të deputetit (majtas e djathtas) ka mbi 3 vjetë që ulen e vegjetojnë me tepricë vetëm biznesmenë të kamur e të dyshimtë dhe policë të pashquar !… Më thoni, ku janë intelektualët e ditur të vendit tim, që varfëria ndoshta ua ka ulur kokën para këtyre cironkave të paditura e kokëtule, njerëz me ca thasë parash të qelbura dhe pa asnjë…gram dinjitet ? Nuk është gjë e vockël që peshqit grabitqarë dhe peshkaqenët e panginjur po ngelen të paprekshëm nga legjislatura në legjislaturë. Dhe notojnë e relaksohen cehrengjallur nëpër vila, resorte e skafe luksoze bregut të detit Adriatik e Jon, në apartamentet vezullonjëse brenda e në periferi të Kryeqytetit dhe bëjnë “hajgarë” me fukarenjtë e ndershëm. Dhe shteti “ligjor” i së Drejtës nuk e kap dot as me rrjeta e as me grepa celiku këtë kupolë korrupsioni të nivelit të lartë që po i merr firomën një brezi të tërë, vetë progresit. Mos vallë nuk i ha macja cironkat, megjithse i lakmon dhe shtiret sikur nuk i pëlqejnë ?! Sepse Al Kaponet shqiptarë po e lënë prapa të shumënjohurin në SHBA e më gjerë…

-Na dëgjo pak, miku ynë. Bosët realë të hajdutërisë e të krimit të organizuar janë strehuar në tavanin dhe catinë e shtetit pluralist. Prandaj nuk i kap asnjë grep celiku dhe nuk bien ende nga fiku. Mbajnë fort njeri-tjetrin, qofshin në mazhorancë e qofshin në opozitë. Në fund të fundit, sic thosh dikur me zë të lartë “shoku Zylo”, pijnë ujë në një govatë. Dhe hingëllijnë në kupë të qiellit për Reformën në Drejtësi ! Mirëpo popullit, sic theksoi saktë pardje zoti Lu, po i soset durimi. Përballë “lidhjeve kriminale me politikën” shtohen përditë shpresëvrarët që realisht po i mbajnë sytë dhe mendjen nëpër dhera të huaja në Europë e Perëndim. Kjo është e vërteta therëse e ulëritëse, sidomos te brezi i ri që nuk po gjen rrugë tjetër ngushëllimi e shpëtimi. Përrenjve të pafund me fjalime e premtime hipokrite, tashmë ua kanë pirë lëngun. Fjala vjen, edhe peshkatarët më të zotë zakonisht nuk kanë qejf të tregojnë e as bëhen mburravecë kur zënë ndonjë cironkë në lumë a në det. Nuk dëshirojnë ta ulin pjacën e zanatit të lashtë. Sepse s’janë grepa në cengel ose nga ata të kandarit dhe as nga ato shtizat me majë të kthyer që thurin dantella, corape, triko etj. Apo janë thjesht zhvatës të pacipë që “ I vënë syrin dikujt  dhe hedhin grepin për ta shtënë në dorë ?

Kur diplomati i lartë amerikan i binte hapur vetë kambanës së alarmit, politikanët shqiptarë i binin qemanes ! Pandëshkueshmëria shkelte syrin e nxirrte gjuhën përmes dy bulcive të zëna keqazi nga makutëria e hipokrizia sa një mal. Shqip, po nuk u pastrua kupola e lartë politike, sipas bindjes time të palëkundur, reformat e tjera gjëmimtare do katandisen zero me xhufkë ! Dhe ky nuk është një skepticizëm i rëndomtë. Sidomos në Shqipërizën tonë. Edhe sikur të hidhen a të ngrihen rrjetat e njohura, prapë cironka do të kapen, prapë cironkat do të mbushin qelitë dhe sallat e gjyqeve pendëfryra. Sepse rrjetat e vërteta do i kenë në dorë “kriminelët politikë” në Parlament dhe në qeverisjen lokale, kriminelë që përzgjidhen e mbrohen drejtpërdrejt nga vetë Kryetarët mujsharë të thekur në krye të partive që bëjnë diellin e shiun në mazhorancë e opozitë. Kjo lloj rrjete e vjetëruar e tepër djallëzore nuk është rrjetë merimange apo nga ato që kapin flutura, as nga ato të volejbollit dhe as si e famshmja e Penelopës së lashtësisë. Shkurt, as kurth ku mund të bien papritur në rrjetë peshkaqenët e krimit e të korrupsionit.

Rrokaqiejt e Politikës pisanjoze i bëjnë karshillëk shtetit ligjor e njeriut të ndershëm dhe hedhin shtat mu në zemër të Kryeqytetit nga lartësitë e pallateve qiejgërvishtës. Dhe cdo mëngjes rrethohen nga të papunët që kërkojnë të shuajnë urinë e fëmijëve nëpër sheshet “Omonia” përballë ish kinema “Partizani”, te Brryli ku qeveritë e djeshme e të sotme u kanë vënë brrylin, te Doganat etj.Në fund të fundit, edhe ata keqbërës të pashpirt që përdorin llokume dinamiti a tritol brigjeve të Vjosës e Shkumbinit, Erzenit, Bunës a Drinit, nuk sakrifikojnë thjesht për cironka e pasion cmendurak. Është e vërtetë që “popullit shqiptar i ka ardhur në majë të hundës nga kriminelët politikë”. Vecse kjo situatë serioze që nëvizoi zoti Donald Lu, mendoj se nuk është kurrsesi “cështje cironkash”. Po ngecëm vetëm te Shukriu me shokë, do plasim së qeshuri dhe do bëjmë… një vërë në ujë ! Pyetja zhgënjyese në titull të shkrimit, ndryshe do të mbetet varur në majë të thanës dhe pa përgjigje rreth qafës së pandëshkueshmërisë cerek shekullore. Sapo më erdhi ndërmend refreni i prokurorit trim e të pakorruptuar, mikut tim të vjetër, Xhevat Hana : “Të kesh mëshirë për të ligjtë, do të thotë të lëndosh padrejtësisht të mirët”…Ndërsa mbrëmë një haber taze erdhi  nga BE, pasi iu tha sy më sy Kryeministrit tonë në Bruksel : “Reforma në drejtësi është vendimtare. Nuk është vetëm votimi, por edhe implementimi. Kemi parë që janë dhënë dënime për peshq të vegjël. Presim peshq të mëdhenj”…

SHKARKO APP