Pse Noli denoncoi marrëveshjen Italo-Jugosllave
Nga Gëzim Llojdia
Gazeta “Dielli”e Boston 3 shkurt 1925 shkruan: “Këndonjësit do të shohin një intervistë me rëndësi që Imzot Noli i ka dhënë një korrespodenti të gazetës amerikane, “Boston Herald” në Vjenë. Që ekziston një marrëveshje midis Italisë dhe Jugosllavisë përmi Shqipërinë, kjo gjë është folur disa herë nëpër gazeta. Po qëllimi i caktuar i kësaj marrëveshje midis të dy fqinjëve të mëdhenj të Shqipërisë për neve ka qenë një mister që kemi dashur ta zbulojmë. Të gjithë mund të japin gjykimet tona dhe duke gjykuar nga e shkuara që të gjithëve na mbushet mëndja se qëllimi marrëveshjes nuk mund të ketë qene në shërbim të interesave të Shqipërisë. Imzot Noli ka thënë: Jam i bindur plotësisht se ekziston një marrëveshje midis Jugosllavisë dhe Italisë për ta copëtuar Shqipërinë në rastin e parë me një shpërblim mbase dhe për Greqinë. Me fjalën copëtim nuk duhet kuptuar me doemos një copëtim tokësor i Shqipërisë. Ka copëtime dhe copëtime.
Një copëtim është që ta ndash një vent në dy ose tri pjesa dhe një pjesë ta marrë njeri dhe një pjesë tjetri, kjo do të qe vdekja e Shqipërisë si komb më vete. Një copëtim tjetër është ta ndash një vend me marrëveshje politike të fshehta dhe të nëndheshme, në disa pjesë të caktuara, në të cilat kombet e interesuara të kenë siguruar privilegje politike ose një liri veprimi ekonomik. Në të tjera fjalë, siç e kanë quajtur fuqitë e mëdha ndarje në sfera influencash. Në këtë soj ndarjesh populli është indipendent, po indipendeca është një emër vetëm. Në punë populli bëhet skllav i kapitalistëve të kombeve të interesuara. Që fqinjët tanë kanë një qëllim të fshehtë për copëtimin e Shqipërisë,ose në kuptimin e parë të fjalës ose në kuptimin e dytë, për këtë gjë nuk duhet të dyshojmë. E keqja është që politikanët e Shqipërisë në vend të përpiqen ta largojnë një rrezik të tillë, ata vetë e afrojmë më tepër. Duke u kompromentuar me një fuqi, duke u kompromentuar me tjetrën,duke kërkuar sot përkrahjen e kësaj ane për inat të tjetrës. Vetëm një politike thjeshtën kombëtare, një politikë e paanshme kundrejt të gjithëve mund të na shpjerë shpëtim. Fqinjët tanë ua do interesi, që ne të jemi të dobët, të hahemi në mes tonë, dhe kurdoherë do të jenë gati që të lozin përmbi të metat tona, të na vënë të zihemi, duke pritur për rastin e duhur, që të përparojnë qëllimin e duhur. Në rast se vazhdojmë në këtë mënyrë dhe ahere në qafë e paçin vendin politikanët, të cilët për gjera personale të vogla nuk hezituan ti vënë zjarrin brenda Shqipërisë”, thotë Imzot Noli në këtë intervistë.