Pse PD sulmon Tahirin dhe Kodhelin?
Nga Zef Shtjefni
U bënë javë e muaj të tërë që Opozita dhe Sali Berisha kanë në qendër të sulmeve ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri dhe Ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Edhe kur u sulmua me tritol familja e Tahirit, asnjë fjalë nuk u tha në përkrahje të Ministrit nga politikanët e Opozitës. Pas shpërthimeve të tritolit, dëgjuam prej gojës së tyre veç shpifje të gjoja lidhjes së tij me elementë kriminalë dhe biles, bënë thirrje përsëri për rrëzimin e Qeverisë. Në çdo vend normal demokratik, i gjithë spektri politik, do të ishte përkrah Ministrit të vet, në një ngjarje të tillë kaq të rëndë. Kur shënjestrohet Ministri, është goditur çdo shtetas dhe është sulmuar në zemër e gjithë siguria e vendit. Por, PD duket se mezi pret situata të tilla të rënda për stabilitetin e vendit, sepse mbase vërtetë u shkon mendja të marrin pushtetin me dhunë. Mbase, pas qershorit, u ka hyrë në palcë frika nga vota e lirë e popullit. Na u dukën si të kënaqur e të lehtësuar, pas goditjes së krimit ndaj Tahirit. Ndaj, ndoshta për këtë arsye, ndërruan shënjestrën drejt Ministrisë së Mbrojtjes. Policia dhe Mbrojtja janë dy shtyllat kryesore të një shteti. Kështu, kuptohet pse epiqendra e sulmeve kriminale të brendshme, apo dhe të jashtme bien gjithnjë më furishëm pikërisht mbi ta. Sulmet verbale me kërcënime, akuza e fjalor kriminal janë si shkëndija për kallëpet e tritolit, janë ndihmë e çmuar, janë inkurajim e frymëzim për aksionet dhe goditjet e grupeve kriminale ndaj institucioneve të shtetit, pronës e jetës së bizneseve dhe qytetarëve të vendit. Është bërë tashmë, normë edukate apo trend i ditës për politikanët tanë fjalori i ndyrë, fjalori kriminal e denigrues për kundërshtarët politikë! Nuk është se ky shpërfytyrim i politikës sonë nuk ndodhte edhe më parë, kur rolet e dy Partive kryesore ishin ndryshe. Por urrejtja dhe përplasja mes tyre, nuk ishin me këtë intensitet e në këto nivele rrugaçëria, siç ndodh sot, me PD në Opozitë e sidomos me Sali Berishën. Kur i dëgjon se si shajnë, të krijohet bindja se këto dy Parti, kanë vendosur të mbetën jo kundërshtarë alternativash të ndryshme, por armiq të betuar me njëri-tjetrin, kur bëhet fjalë për karriget e pushtetit. Kështu, duket se do na lënë disa dekada të tjera larg kulturës demokratike të vendeve europiane. Ndalimi i fjalorit të ndyrë dhe kriminal të politikanëve, duhej të ishte detyrim moral dhe kushtetues, pasi ai po etiketohet nga shumë sondazhe publike, si preludi dhe inkurajimi më i madh i ringjalljes së jetës kriminale në vend. Ky lloj fjalori, në tempullin më të lartë të një vendi demokratik, siç është Parlamenti, po ashtu bën një efekt psikologjik shkatërrues tek populli e sidomos tek rinia, dhe është bërë ushqim i krizës së madhe të mosbesimit tek klasa jonë politike. Çfarë do të mendojë populli i shkretë për to, kur politikanët shajnë, akuzojnë me fjalor të ndyrë e kriminal njëri-tjetrin!? Çdo njeri ka të drejtë të thotë, se të tillë duhet të jenë vërtetë politikanët tanë, për deri sa e shajnë me këtë fjalor njëri tjetrin. Duket si një garë e sajuar për të treguar se kush ka më shumë talente për të akuzuar e për sharë me fjalë më të ndyra e më të rënda palën tjetër, edhe pse dikush e ka turnin të jetë në krye të institucioneve të shtetit. Cila, mendojnë, se është fitorja që mund të mbërrijnë politikanët tanë me këtë sjellje, me këtë edukatë të bërit politikë?! Në Europë, një Parti politike, që do të përdorte një fjalor të tillë kriminal, shpejt do të dilte jashtë politikës. Njerëzit të braktisin në zgjedhje, të pështyjnë në rrugë, të gjuajnë me domate apo me baltë në mitingje atje, kur je në krye të vendit e sillesh kështu. Kohët e fundit politikanët e Opozitës sonë kanë filluar të përdorin edhe një lloj tjetër sharje, krejt të veçantë e të padëgjuar për traditat tona. Ministres sonë të Mbrojtjes, znj. Kodheli, kanë filluar t’ia ndërrojnë emrin nga Mimi, në Mrika. Sipas sharësve, fjala Mrikë është fyerja më e rëndë që mundi t’i bëhët Asaj, duke qenë se është katolike. Pra, sipas fantazisë së tyre, ky është kulmi i fyerjes. I kanë konsumuar më parë kundër saj të gjitha fyerjet e tjera të zakonshme si: mafioze, drogaxhie, kriminele, injorante, hajdute etj. Kështu me Mrikën, u duket, se kanë bërë një gjetje gjeniale, për ta fyer e poshtëruar. Është vërtetë për të vënë duart në kokë, kur sheh titujt e disa gazetave opozitare, të cilat me gërma të mëdha e shajnë me gjithë shpirt “Mrikën, Ministren e Mbrojtjes, të Republikës së Shqipërisë”.
I thonë një fjale të urtë se: “I shari, të shanë”. Mbase për këtë Ministrja Kodheli i le në qejf të tyre sharësit e Saj. Këta zotërinj të politikës dhe ata të medieve të tyre, harrojnë se, duke u përpjekur ta ulin e shajnë Ministren Kodheli, në radhë të parë kanë treguar edukatën dhe kulturën e tyre të ulët. Pastaj harrojnë se, znj. Kodheli, sa më shumë ta shajnë, aq më shumë e lartësojnë, sepse: “i shari të shanë”, thotë populli. Ndërsa i mençuri, kur e sheh se gabon, nuk të shanë, por të kritikon. Dëmi real, që po bëjnë sharësit e Mrikës, nuk është ai ndaj Ministres, por është denigrimi dhe poshtërimi që ata përpiqen t’i bëjnë komunitetit katolik të vendit, i cili emrat Mrikë, Marie, Tereza etj. , i ka të shenjtë. Këta zotërinjtë mediokër të politikës dhe medieve tona harrojnë se, sapo çojnë prapanicat nga toka e Aeroportit të Rinasit, apo sapo ulin këmbët në tokën e Europës, emrat e mbiemrat e tyre mezi ua lexon apo ua thërret njeri. Megjithatë, europianët nuk e kanë edukatën e talljes me emrat e tjetrit, siç bëjnë ata me Mrikën tonë. Nga na tjetër, në botën europiane, ku ëndërrojmë të bashkohemi dhe integrohemi, emrat Gjela, (Anxhela), Gjergj (Xhorxh), Zef (Jozef), Mrikë (Marika), Mri (Mari), Pjetër (Peter, Pietro), Ndue(Anton)etj. , etj. , janë emrat e krishterë të traditës dhe i gjen në çdo familje europiane. Politikanët tanë, që vijnë nga bota, kultura dhe edukata politike e Albanistanit, nuk kanë këllqe t’i tallin, t’i ndërrojnë, t’i imponojnë emra të tjerë Europës dhe Shqipërisë europiane. Ata thjeshtë mund t’u tregojnë europianeve dhe shqiptarëve se kush janë dhe nga vijnë këtë politikanët tanë, që shajnë me fjalor të ndyrë e kriminal. A nuk ka ardhur koha t’i thuhet stop kësaj rrugaçërie primitive?