Pse u dhunuan varrezat e fëmijëve?!

Nga Irfan Rama

Një paradoks tepër i çuditshëm ka ndodhur ndonja dhjetë ditë më parë: Bashkia e Tiranës ka shkatërruar varrezat apo varret e fëmijëve të kryeqytetit në Sharrë të Tiranës me preteksin e lirimit të hapësirave të “reja” për shqiptarët e tjerë që vdesin por që nuk kanë ku të varrosen (?!). Më vjen ndot që të merrem me arsyet apo pretekset që ka projektuar mendurina “tejshpikëse” e grupit të “ekspertëve” bashkiak për këtë mynxyrë të të menduarit e jo më të bërit nëpërmjet rruspave hekurore që nuk kanë pyetur për kockat e miturakëve disa ditor, disamujor apo disavjeçar dhe i kanë tretur ku ta di unë në një pirg apo tufë pirgjesh të mëdha mijëra kockash e kockinash gishtërinjsh, krahësh, parakrahësh, klavikulash, kyçesh e kokash të vockla, të mesme e të mëdha fëminore. Ishte fati tragjik i tyre e i prindërve, nënave, baballarëve, motrave e vëllezërve që i ka dërguar shumë shpejt në jojetën e nëndheshme njomëzakët. Në ato varreza shkonin për përshpirtje e përkujtime njerëzit më të ngushtë të tyre për bajrame apo të këshnellat, për vite të rinj, shënkolle apo netë të mëdha, për ditëlindje apo ditëshuarje. Sepse siç thuhet në librat fetarë trokitjet e hapave njerzore ndjellin mirë në koralet e fosilizuara nëntokësore. Bashkiakëve të Tiranës ndoshta u është dukur një “Child’s – play” (lojë fëmijësh) apo në konceptin figurativ të punës, një punë e lehtë por që ka shkaktuar aq lotë, rritje tensionesh e çrregullacione zemrash, mërziti e helmacione psikologjike tek familjet tiranase. Para dy ditësh më ndali në rrugë një mik i lagjes time tek 21-ishi dhe më tha se dua të pi një kafe me ty për një problem. Rama, një djalosh rreth 38 vjeç, tiranas i vjetër e nisi bisedën kështu: Irfan, ti merresh me shkrime ndaj dua të tregoj një problem timin familjar: “ Morëm vesh nëpërmjet një lajmi televiziv se varrezat e fëmijëve janë shkatrruar nga Bashkia e Tiranës në Sharrë. Të them të drejtën u mërzitëm shumë ne të dy vëllezërit por jashtëzakonisht shumë u mërzitën nona dhe baba. Arësyeja është se ne na ka vdekur një motër e vogël, të vetmen motër që na fali zoti dhe prindërit e mi sidomos edhe ne shkonim vazhdimisht në rastet e ditëlindjes, ditëndrrimit të jetës e festat e ndryshme fetare. Ngushëlloheshim nëpërmjet shkuarjeve atje” . – Kur e morët vesh? – pyeta shkurt tepër i tendosur shpirtërisht e tej. – Para një jave, u trajtu shkurt nga një televizion. U befasuam të gjithë familjarët por veçanërisht nona. Baba u step por e nëpërmori veten. Nona është me tension, zemër e diabet dhe u ronit shumë. U zvogëlua. – U ankuat? – trokita shpejt. “Nona me babën shkuan tek varrezat të nesërmen në mëngjez e takuan përgjegjësin dhe ai u ka shpjeguar se me urdhër të bashkisë është bërë prishja e rrafshimi i varreve!”. Roma ngrinte të dyja duart lart dhe duke rrjedhur dy pikëlime loti dhe i ndezur flakë në fytyrë më përtrinte problemin: “Si është e mundur që ti vihet rruspa varreve të të miturve, të afërmëve më të ngjitur pranë shpirtit tonë e nuk të lajmëron askush që do ti heqin varret. Irfan është minimumi i minimumeve nga ona njerëzore. Unë s’kom shumë shkollë vetëm gjimnazin por po të punoja në Bashki të Tironës una kurrë nuk do ta bojsha këtë që kanë bo këta. Në Gjermani psh më ka thonë një shok që jeto atje pas se 20 vjetësh të vjen bashkia e të thotë për nevoja publike ne duhet t’i heqim varrezat e nëse do ta mbash do të paguash 100 euro dhe ne ta lemë aty ose e çvendosim diku tjetë”. – A janë mërzitur shumë prindërit? – pyeta si kotkoti sepse dihet përgjigja. “Irfano, nona ka një javë që tensioni nuk i është ulur nga 190, flet pak e përpëlitet ndër vedi. Gjumin nuk e bo thuajse fare” – artikuloi Rama duke nxjerr emrin e motrës së vet, Shqipes, që tashmë nuk dihet se ku mund të ketë “fluturuar” tok me qindra të tjerë. Më erdhi ndërmend një emision, parë në një stacion televiziv prestigjioz të botës, ku dy gra të ndryshme çifute me banim në Londër e Washington, të zbardhura e me “zikzake” të tejuara në fytyrat e tyre kujtonin mbytjet me gaz e hedhjet grumbull në gropa të trupave pa jetë të nga 10 e 18 të afërmeve të tyre nga gjermanët në Aushvits. Prindër, teze, halla, xhaxhallarë, motra e vëllezër të mitur e adoleshentë të hershëm. Mu përkujtua një i thinjur shqiptar që rrëfente para disa netëve se ç’kishte hequr për të seleksionuar babain e të tjerë, në një varrezë të përbashkët të hedhur nga komunistët e sigurimsat pas vrasjeve makabre të të ashtuquajturve: “Bombësit e Ambasadës Sovjetike” në Tiranë rreth 60 vjet më parë. Por fashizmi e diktatura komuniste shqiptare tashmë vetëm në të zi kujtohen. Por të ndërmerrësh veprime të tilla me rruspë për varre në “Demokraci”dhë më e kobshmja as mos të lajmërosh të afërmit, që ti po i prish, kjo ndodh vetëm në “çmendina galaktike”Po e sos të shkrojturën time me latinen: “Consummatum est” (Gjithçka ka mbaruar). Përdoret flirtisht në raste fatkeqësish të mëdha, dhimbjeje të madhe. Kur s’ke më çfarë të bësh. Kur ke mosqenie lugatike që drejtojnë lart e poshtë e poshtë e lart!!!     

SHKARKO APP