Publikimi i rezultateve të auditimit nga KLSH, si një mjet për rritjen e transparencës

Nga Alfonc Gabili*/Kontrolli i Lartë i Shtetit, në funksion të detyrave të tij kushtetuese publikon brenda një periudhe të arsyeshme kohe dhe në përputhje me ligjin, rezultatet e çdo auditimi. Këtë detyrë e kryen nëpërmjet publikimit në mënyrë elektronike të vendimeve të Kryetarit, publikimit të mënyrë elektronike dhe të botuar të raporteve të paraqitura nga KLSH në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, si dhe nëpërmjet njoftimeve për shtyp. Informimi i autoriteteve publike dhe publikut, nëpërmjet publikimit të raporteve të auditimit, është detyrë ligjore e KLSH, e përcaktuar dhe në qëllimin (neni 2) e ligjit 154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, si dhe është përcaktuar me një nen të veçantë neni 34 “Transparenca dhe informimi i publikut”. Në zbatim të legjislacionit përkatës të mbrojtjes së të dhënave personale, KLSH nuk publikon emrat e personave përgjegjës dhe subjekteve private, por vetëm inicialet e tyre. KLSH publikon në mënyrë të rregullt Vendimin e plotë të Kryetarit të KLSH mbi çdo auditimi të evaduar. Ky publikim bëhet në Web-faqen e KLSH, si dhe sipas rastit dërgohen dhe njoftime për shtyp. Në këtë Web-faqe mund të gjendet të gjitha publikimet e KLSH, sipas llojit të tyre.

Për vitin 2016, nga 154 auditime të ushtruara, KLSH ka publikuar në Web-faqen e saj 151 prej tyre, pra janë publikuar në masën 98 %. Kjo tregon dhe shkallën e lartë të transparencës dhe rëndësinë që ky institucion i kushton asaj. Kontrolli i Lartë i Shtetit organizoi gjatë muajit nëntor 2016, Javën e Hapur për Qytetarët, ku qytetarë të shumtë patën mundësinë të njiheshin nga afër me punën arritjet e këtij Institucioni. KLSH gjithashtu i kushton rëndësi dhe bashkëpunimit me qytetarët dhe shoqërinë civile, ku denoncimet dhe ankesat e tyre kanë shërbyer si indicie për auditime të ndryshme që KLSH ka kryer. Mbështetur në standardin ndërkombëtar të institucioneve supreme të auditimit, ISSAI 12, “Vlerat dhe dobitë e Institucioneve Supreme të Auditimit-të bësh ndryshimin në jetën e qytetarëve”, parimi 6 “Komunikimi efektiv me palët e interesit”, dhe me qëllim njohjen më të plotë dhe të drejtpërdrejtë të veprimtarisë së Institucionit nga qytetarët. KLSH gjithashtu publikon në Web-faqen e saj dhe Raportin Vjetor të Aktivitetit, Planin e Auditimeve, Buletinin e Auditimeve, Raportin mbi Zbatimin e Buxhetit te Shtetit, Revistën Shkencore “Auditimi Publik”, Raportet e Monitorimit, si dhe botime të ndryshme të KLSH.

KLSH përgjatë periudhës 2012-2016, ka publikuar gjithsej 67 botime, nga 12 të tilla para vitit 2011, si dhe planifikon që deri në fund të 2018 të arrijë në 100 botime. Audituesit e KLSH kanë qenë prezentë ne mediat e shkruara me 396 shkrime të ndryshme për periudhën 2013-2016. Në datat 22-25 Maj 2017, u zhvillua në Stamboll Kongresi i Xtë i EUROSAI, nën moton “Implementimi i ISSAI: Sfida dhe zgjidhje”. Gjatë zhvillimit të këtij kongresi, pata mundësinë të jem pjesë e seminarit të zhvilluar me objekt zbatimin e “ISSAI 21: Parimet e transparencës dhe përgjegjshmërisë – Parimet dhe praktikat më të mira”, nga çdo SAI pjesëmarrës. Nga ky seminar arrita në konkluzionin se Kontrolli i Lartë i Shtetit, pa dyshim zbaton në mënyrën më të mirë të mundshme këtë standard, në krahasim me shumë SAI të vendeve të tjera të zhvilluara Europiane. Në përputhje me parimin 8 të këtij standardi, sipas të të cilit “SAI komunikon në kohë dhe në mënyrë të gjerë, mbi aktivitetet e saj dhe rezultatet e auditimeve nëpërmjet medieve, websiteve dhe mënyrave të tjera të komunikimit”, mësuam se praktikat e publikimit të raporteve të auditimit, ndryshonin midis tyre, për arsye se disa SAI të vendeve Europiane publikonin vendimet e tyre në periudha të caktuara, ndërsa shumë prej tyre i publikonin raportet e tyre në kohën e përfundimit të këtyre raporteve. Për shkak zhvillimit të fushatës elektorale të zgjedhjeve të përgjithshme që pritet të zhvillohen më 25 qershor, si dhe evitimit të keqpërdorimit të materialeve të publikuara nga KLSH, Kryetari e KLSH me Urdhrin nr. 97, datë 19.05.2017, ka ndaluar publikimin e Vendimeve të Kryetarit në Web-in e KLSH, për periudhën elektorale 23 maj – 27 qershor 2017. Në seminarin e zhvilluar në Kongresin e EUROSAI, u interesuam mbi praktikat më të mira, të vendeve të tjera të SAI, mbi publikimin e rezultateve të auditimit gjatë fushatës zgjedhore. Duke qenë se shumë vende anëtarë kishin së afërmi zgjedhje të përgjithshme ose vendore (Britania e Madhe, Franca, Çekia, Portugalia, etj.), kjo ishte një temë që pati diskutime nga të gjithë pjesëmarrësit. Pjesa më e madhe e SAI Europianë, i shmangeshin publikimit të raporteve të auditimit gjatë fushatave elektorale, kryesisht me justifikimin e evitimit të keqpërdorimit të materialeve të publikuara nga ta. Por kishte dhe përjashtime, siç ishte rasti i SAI Portugez, i cili publikonte në mënyrë të plotë raportet e saj të auditimit (duke përfshirë dhe emrat e personave përgjegjës dhe/ose subjekteve private), duke mos marrë parasysh faktin e fushatave elektorale që mund të kishte vendi.

*Auditues i Lartë, KLSH

SHKARKO APP