Publikohet vendimi: Ja sa do të taksohen “Të drejtat e autorit”
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar vendimin për miratimin e metodologjisë dhe masës së tarifave të shpërblimit të veprave të mbrojtura nga e drejta e autorit në sistemin e administrimit kolektiv, vendim i miratuar nga Këshilli Kombëtar për të Drejtën e Autorit.
Kjo metodologji shmang mundësinë e paligjshme që Agjencitë e Administrimit Kolektiv të abuzojnë me fuqinë e tyre të tregut, duke vendosur çmime të paarsyeshme ose të angazhohen në praktika diskriminuese, të tilla si aplikimi i tarifave të ndryshme për përdoruesit e ngjashëm që veprojnë në të njëjtat tregje.
Tarifat në këtë metodologji janë transparente, çka ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në formalizmin e tregut duke siguruar në këtë mënyrë konkurencë të lirë dhe duke i dhënë fund abuzimeve dhe problematikave të mbartura ndër vite.
Në kuadër të Strategjisë Kombëtare të Pronësisë Intelektuale 2016-2020, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve si pjesë bashkëpunuese e procesit të zbatimit të këtyre të drejtave, i bën me dije të gjithë tatimpaguesve subjekt i së drejtës së autorit, të tregohen korrekt me deklarimin e të ardhurave të përfituara nga veprimtaria e tyre për efekt të tatimit mbi të ardhurat personale.
Regjistrimi, deklarimi dhe pagesa e detyrimeve lidhur me të ardhurat personale të përfituara është detyrim ligjor, ndërkohë që DPT nxit çdo përfitues të këtyre të ardhurave të plotësojë vullnetarisht përmbushjen e këtij detyrimi.
Më poshtë gjeni bashkëlidhur vendimin e miratuar të Këshillit Kombëtar për të Drejtën e Autorit.