Puna për Rrugën e Arbërit nis brenda dy javësh
Punimet për Rrugën e Arbërit do të nisin brenda dy javësh, deklaroi ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka gjatë turit të llogaridhënies publike në qarkun e Dibrës.
“Dibra i ka dhënë shumë Shqipërisë ndër vite në histori dhe është koha të marrë mbrapsht atë që i takon. Më në fund kanë ardhur mjetet dhe për dy javë fillon puna për rrugën dhe ambicia jonë është që brenda tre vjetëve Tiranë-Bulqizë, që do të lidhet për vetëm 30 minuta, të ketë përfunduar. Fatmirësisht ka hyrë në rrugë të mbarë dhe do të bëhet realitet shumë shpejt dhe jam e bindur që pas kësaj mundësie të jashtëzakonshme edhe Dibra do të jetë e lidhur me pjesën tjetër dhe do të zhvillohet me ritme shumë më të shpejta edhe falë gjithë atyre vlerave që ju i keni këtu, që janë mençuria, punëtoria, aftësia për të bërë gjëra të bukura, gjëra të mëdha”, deklaroi Ministrja.
Në bashkëbisedim me qytetarët, Ministrja e Mbrojtjes nënvizoi se, ndërtimi i rrugës nuk mund të lërë në hije nevoja të tjera që qytetarët kanë për arsim, për shëndetësi, për infrastrukturë, për më shumë rrugë, për më shumë shkolla, për më shumë ujësjellësa, për më shumë shërbime, të cilat kanë lidhje me punën e përditshme që bën Qeveria apo bashkia.
Gjatë bashkëbisedimit me banorët e Njësisë Administrative Maqellarë, Ministrja e Mbrojtjes e vuri theksin tek sistemi meritokratik për të gjithë ata që u shërbejnë qytetarëve në çdo cep të Shqipërisë.