Punësimi në Shqipëri, meshkujt më aktivë në treg
Sipas të dhënave të Anketës së Forcave të Punës, meshkujt janë më aktivë në tregun e punës nga femrat.
Në vitin 2014 popullsia në moshë pune 15-64 vjeç është 1.991 mijë persona, ku 48,9 % e popullsisë në moshë pune janë meshkuj dhe 51,1 % janë femra.
Sipas INSTAT, forca e punës e moshës 15-64 vjeç është 1.225 persona, nga të cilët 57,4 % janë meshkuj dhe 42,6 % janë femra.
Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë e meshkujve të moshës 15-64 vjeç është 72,2 %, ndërsa për popullsinë e femrave është 51,3 %. Mes meshkujve
dhe femrave ka një hendek prej 20,9 pikë përqindje në shkallën e pjesëmarrjes në forcat e punës.
Gjatë vitit 2014, të punësuarit e moshës 15-64 vjeç zunë 50,5 % të popullsisë në moshë pune, ku shkalla e punësimit për meshkujt 58 % ndërsa për femrat 43,4 %.
Struktura e punësimit sipas statusit në punësim tregon se 42,6 % e të punësuarve ishin punësuar me pagë, 31,8 % punëtorë pa pagesë të familjes dhe 25,6 % të vetë-punësuar. Ndër të vetë-punësuarit dhe të punësuarit me pagë mbizotërojnë meshkujt me përkatësisht 57,2 % dhe 70,5 %.
Femrat kanë 1,3 herë më shumë gjasa sesa meshkujt për të punuar si punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes.
Sipas aktiviteteve ekonomike, në vitin 2014 në punësim rezulton se sektori bujqësor punëson 42,7 % e të punësuarve, pasuar nga sektori i shërbimeve (të
tregut dhe jo të tregut ) me 49,4 %.
Pesë në dhjetë gra të punësuara janë të angazhuara në aktivitete të bujqësisë dhe sektori i dytë që zë peshën më të madhe në punësimin e tyre pas bujqësisë është ai i shërbimeve jo të tregut, ku përfshihen aktivitete si administrimi publik, shërbimet sociale dhe aktivitete e shërbime të tjera.
Për popullsinë e meshkujve të moshës 15-64 vjeç punësimi mbizotëron në sektorin e bujqësisë, por në shkallë më të ulët sesa për femrat. Meshkujt kanë 1,4 herë më pak
gjasa sesa femrat për të punuar në aktivitete bujqësore, ndërsa 40,6 % janë të punësuar në sektorin e shërbimeve dhe 11,1 % në sektorin e ndërtimit.