Putin në Tiranë
Nga Frrok Çupi
As ka axhendë, as ka shenjë se Vladimir Putin, president i Rusisë, të vizitojë Tiranën.
… Megjithatë, shenjat politike qeverisëse, dëshmojnë se ai pritet këtu. Nuk është asnjë alegori për komunizmin e ri që po instalohet pak nga pak në Shqipëri, nuk është aspak ironi për brezin e dytë të bllokmenëve që kanë kryesisht në dorë pushtetin në Shqipëri.
Jo, është një erë politike që po frynë në Tiranë.
Sigurisht, askush nga qeveritarët nuk e thotë me zë atë që ka ngarkuar atmosfera qeverisëse. Madje, sikur për një moment të imagjinosh se dikush prej këtyre do të kërkojë prezencën e autokratit të Rusisë, kjo do të quhej një absurd. Por ndërkohë të gjithë shenjat perceptohen lehtë.
E para,
A nuk ka një përsëritje retorikash të kryeministrit ndaj Europës tek i thotë se "ju keni nevojë për ne, aq sa kemi nevojë për ju!"? Në një sens të drejtpërdrejtë kjo do të thotë se "ç'farë na qenka Europa Perëndimore në balancën tonë?!". Sipas brendisë së retorikës, kjo do të thotë se "shikimi këndej nga Lindja tashmë është më i rëndësishëm se nga Perëndimi". Këto ka lënë për të nënkuptuar kryetari i Qeverisë. Autokratët e Lindjes, që nga Putin i Rusisë, Erdogan i Turqisë, Xi Jinping i Kinës dhe Narendra Modi i Indisë, kanë të njëjtën sjellje "karshillëku" me Europën.
E dyta,
Stërmundimi i institucioneve të Bashkimit Europian për ta ulur maxhorancën parlamentare në "gjunjë" para opozitës, dëshmoi se qeveria është kthyer në pozitat e vjetra kur "gjithçka është në dorën time". Europa Perëndimore u ndje keq se si është krijuar në Shqipëri maxhoranca fiktive duke blerë deputetë. Kjo ndodh në një atmosferë shumë lindore, domethënë alias Rusi, ose Ukrainë, ose diku në Azerbaixhan. Fakti që maxhoranca nuk u drodh para kësaj shenje shumë "lindore" tregoi edhe një herë se "pak rëndësi ka pse shqetësohet Perëndimi".
E treta,
Momenti kur një soj e sorollop i tërë prej bllokut të ish- diktaturës komuniste u kap si një kartel i madh ndërkombëtar i drogës, gjithçka u duk qartë: Këta, sapo erdhën në pushtet iu dhanë krahë trafikantëve të sprovuar gjatë komunizmit për të ushtruar aktivitet të egër. Kësaj radhe aktiviteti i tyre mori nuanca krejt anti- europiane. Qeveria e "majtë" iu kishte dhënë shenja aprovimi trafikantëve post-hoxhistë duke lejuar dhe përkëdhelur një frymë të tërë "putiniste". Një nga të katër autokratët më të famshëm të Botës moderne, Vladimir Putin, bën sikur edhe dëgjon Europën, por ndërkohë guxon tmerrësisht shumë kundër principit europianist.
E katërta,
Këta kanë ngritur një sistem të ashpër ndëshkimi pa ligj. Pa ligj do të thotë shkatërrim i pronës së ligjshme, ndryshim i emrit të policisë së tritolit (sipas sjelljeve të kamufluara të Mafies, e cila ndryshon emrin e kompanisë, emrin e vendvendosjes, emrin e kodit, etj). Pesë muaj ka një emër, pastaj merr një emër tjetër, nga INUK, te kryeministria, te Ministria e Brendshme…, etj. Nesër askush nuk e gjen as me gjyq, as me prokurori, as me qen kufiri, se cili ishte ai që shkatërroi pronën e individëve. Askush nga qeveria nuk mendon se individi ka kontratë me qeverinë dhe se kur preken interesat e individit qeveria duhet të paguajë. Gjithnjë ndëshkohet individi.
Më në fund po flitet se së shpejti qeveria do të paraqesë një ligj ku dënohet kushdo që ka borxhe në shtet. Dënimi do të shkojë deri në sekuestrimin e shtëpisë. Njësoj si në komunizëm, ku askush nuk kishte banesë të tij.
…. Atëherë bëhet pyetja: Vallë si guxojnë të veprojnë krejt në kundërshtim me principin europian perëndimor? Me principin europian të ligjit që mbron së pari individin para qeverisë, të principit që nuk mund të sekuestrosh banesën e familjes për pagesat e energjisë elektrike, që shteti nuk mund të bëjë ligje ku dënohet individi dhe merret në mbrojtje qeveria, etj….
Pra pritet Putin në Tiranë.
Këta kanë hyrë në kanceleritë e Europës, kanë dëgjuar gosips dhe jo vetëm gosips se "Europa po bie!". Këta thuajse e kanë instaluara veten në pozita të pavaruar ose krejt të lira ndaj Europës. Europa "shpejt nuk do të jetë qendra e magnetit", shpresojnë këta. Edhe në Paris ku një shpurë e tërë kryeministrore zbarkoi për çështjen "Charlie Hebdo", u ndje era e një "Europe të dobët". Këta morën nga Parisi pikërisht këtë si kuintesencë dhe po e zbatojnë në atmosferën qeverisëse. Domethënë, pak nga pak po largohen nga "Europa e dobët" dhe po marrin një radhim tjetër. Ai që ngrihet më së shpejti- sipas kësaj frymë- është Vladimir Putin. Vetë kryeministri i Shqipërisë i bëri Moskës një shërbim të mirë me rastin e grindjeve në Beograd. Ai i tregoi Kremlinit se Ballkani nuk është i bashkuar sipas këshillave europiane perëndimore.
Cila është indicia që i bën këta të mendojnë se "Europa ra"?
E para nis këtu afër, në Greqi. Pas tre ditësh këtu bëhen zgjedhjet parlamentare. Pritet që të fitojë krahu ekstrem i majtë. Ky është krejt kundër principeve europiane mbi krizën në Greqi. Kjo godet Europën, prej fillimit. Pastaj, sikur Syrizia të mos fitojë absolutisht, dmth., që të krijojë vetë qeverinë, kriza merr pamje më të frikshme. Sipas analistëve perëndimorë, pas kësaj pritet destabilizim më i gjerë. "Zgjedhjet për qeverinë e Syrizia mund të shkaktojnë destabilizim të lartë, si në vend ashtu edhe në rajon. Kjo mund të nxisë kriza mes vetë Greqisë dhe kreditorëve ndërkombëtarë dhe në platformat për shlyerjen e borxhit" sipas analistit Mike Wooldridge, i cili citon burime nga BE.
Por kjo, duke shkuar më gjerë në Europë ku janë planifikuar zgjedhje për vitin 2015, do të krijojë kriza të reja.
Qeveria shqiptare është shumë pranë, (në sjellje dhe shije) me këtë fenomen grek. Të paktën po shikon se mund të bjerë Europa.
Në gjithë manifestimin e Parisit u duk dobësia e Europës dhe këta e morën si kuitesencë. Europa është më e dobët se kurrë, gjë që u pranua edhe nga vetë zonja Merkel. Europa po hynë në një politikë populiste për shkak të ekstremistëve politikë në të dy krahët që ofrojnë "proteksion nga Islami". Në Europë po manifestohet simpati edhe për vetë autokratin rus Vladimir Putin. Sipas disa poll-eve, në disa zona të Europës, sikur të vihej kandidatura e Putin, ai do të fitonte vendin e parë.
Atëherë, e shikoni që këta po presin Putin në Tiranë?!
Ja tek po bëhen gati për stilin pa varësi Europiane Perëndimore.