Putinizimi i Ballkanit

Nga Fedja Pavloviç, “EU Observer”

Që Putinizmi po kërcënon kufijtë e Evropës, kjo është një deklaratë tepër në modë. Shumë më pak popullore është pyetja që ajo ngre: ku saktësisht shtrihen kufijtë e këtij fenomeni? Në pamje të parë përgjigja duket e qartë, sepse ka disa marrëveshje universale për këtë çështje; separatistët në Donjeck dhe Luhansk e kanë bërë mjaft të qartë. Por çështja që ne ngremë ka të bëjë me keqkuptimin e shpeshtë që merr “Putinizmi”, në formën e tanishme luftarake.

Putinizmi ishte instaluar në Rusi, shumë kohë përpara ndërmarrjes euroaziatike të Vladimir Putinit, para përrallës së “misionit historik” të Rusisë dhe dekadencës Perëndimore, pushtimeve ushtarake dhe histerisë nacionaliste. Shteti i “demokracisë joliberale”, të cilin Fareed Zakaria, e pagëzoi në vitin 1997 (në ditët e sotme, më shpesh përmendet termi demokraci e “udhëhequr” ose “menaxhuar”), e përshkruan në një mënyrë shumë më të përshtatshme, atë që në thelb është Putinizmi: një përzierje e sundimit autoritar, dhe kapitalizmit të miqve.

Një shoqëri, ku korrupsioni i gjithë-përhapur ka reduktuar institucionet demokratike në fasada.

Një ekonomi e paralizuar nga një oligopol klientelist dhe që shmang pagimin e taksave, dhe një treg  pune që përcaktohet nga nepotizmi dhe përkatësia partiake. Dhe, ndoshta më i paturpshmi, një sistem politik ku zgjedhjet janë thjesht një vënie në skenë, dhe regjimi në pushtet riafirmohet periodikisht, si pasojë e sigurisë së rezultatit fitues.

Vija e demarkacionit

Nëse ky është një portretizim i saktë i asaj që Putinizmi duket, është e qartë se “kërcënimi ndaj kufijve të Evropës” është ideologjik, po aq sa është edhe ushtarak. Pastaj, çështja e përcaktimit të vijës së demarkacionit, bëhet shumë më e vështirë kur analizojmë një rajon të trazuar, sikurse është Ballkani Perëndimor.

Sido që të jenë kufijtë e Evropës në Ballkan, pyetja ideologjike është: a do të përfshijë sfera evropiane shoqëritë, strukturat e brendshme të të cilave janë pamohueshmërisht putiniste?

Hidhini një sy Serbisë – një vend kandidat për anëtarësim në BE. Marrëdhëniet e qeverisë së Beogradit me NATO-n janë prej kohësh të tensoniuara. Në vitin 2012, korrupsioni ishte aq i shfrenuar dhe ekonomia në një gjendje kaq të tmerrshme, sa regjimi post-Millosheviçian kishte konsumuar të gjithë besueshmërinë e tij.

Një parti e madhe e ish-ultranacionalistëve, paprimtas u shndërrua në eurofile, duke marrë pushtetin. Dhe në vend të mbajtjes së premtimeve për reforma, ajo është përqendruar në kultivimin e idhujtarisë ndaj kryeministrit Aleksandar Vuçiç, forcimin e linjës partiake, duke monopolizuar skemën e punësimit të militantëve, privatizuar pronat e mëdha shtetërore përmes procedurave të dyshimta si dhe zbatimin e një çensure të paparë ndaj medias.

Ose merrni Malin e Zi – një tjetër kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian – i cili vetëkrenohet se është “lideri rajonal në integrimet euro-atlantike”. Ky vend për 25 vitet fundit, ka qenë qeverisur në vazhdimësi nga regjimi i Milo Gjukanoviçit (nga 1991 e këtej, Gjukanoviç ka shërbyer si kryeministër ose president i vendit).

Shumica e industrive u privatizuan nga kompani fantazëm, të lidhura me miqtë e Gjukanoviçit, shërbimi i inteligjencës është i lidhur me krimin e organizuar, korrupsioni institucional është endemik në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe besnikëria ndaj partisë është parësore për të gjetur punë.

Vitin e shkuar, mbi udhëheqjen e partisë në pushtet, që u përgjua teksa diskutonte mbi metodat e ndryshme për të blerë zgjedhjet, nuk ka pati asnjë lloj hetimi. Së fundmi, vëreni Maqedoninë një tjetër vend kandidat për në BE, ku korrupsioni është i përhapur. Gjashtë muajt e fundit, qeveria e kryeministrit Nikola Gruevski ka qenë në qendër të një skandali të madh përgjimesh të paligjshme.

Bisedat e zbuluara të zyrtarëve të ndryshëm të qeverisë, sugjerojnë se kryeministri dhe mjeshtri i tij i spiunimeve (që është kushëriri i tij), kishin koordinuar një skemë mbikqyrjeje, në të cilën, sipas disa vlerësimeve, përfshiheshin plot 20 mijë persona. Në kundërpërgjigje, Gruevski akuzoi opozitën se po bashkëpunon me shërbimet e huaja të inteligjencës, për të komplotuar në pabesi një grusht shteti.

Ideologji anti-evropiane

Këto regjime, me strukturat e tyre të maskuara diktatoriale, dhe kulturën e paligjshmërisë, ilustrojnë me shembuj konkretë tiparet thelbësore të Putinizmit, dhe arsyen se përse ai është një ideoogji  kërcënuese anti-evropiane. Përgjithësisht kjo markë e Putinizmit bie ndesh me prioritetet e politikës së jashtme të BE-së.

 

Është “demokracia joliberale” me kthetrat e saj, që tërheq Balkanin drejt Putinizmit. A duhet që statuskuoja të vazhdojë, dhe partnerët e BE-së në rajon të mbeten regjime të tilla si ai i Vuçiç, Gjukanoviç apo Gruevskit? Nëse po, çfarë kuptimi kanë atëherë kufijtë e Evropës? Një pakt gjithnjë i paqëndrueshëm, një që mund të rishikohet lehtë pas një tjetër tronditje gjeopolitike. Fraza  “Putinizmi tek porta” do të tingëllojë e vjetër, pasi Putinizmi do të ketë hyrë tashmë nga dera e pasme.

SHKARKO APP