Qëllimi i epërm!
Të ecësh në rrugën e jetës, pa asnjë qëllim kryesor, i cili qëndron mbi gjithçka, përtej interesit për përfitim të përkohshëm, personal, sigurisht që rruga s’do të jetë e lehtë, për më tepër do të mvishet nga turbullira, kaosi e plogështia e trupit tënd,që s’ka një burim force, t’i japë energji apo edhe arsye për të shkuar më tej në shtigje të panjohura.
Pa motivine një dashurie sublime njeriu kthehet në një qenie e pa jetë, pa shpresë, paditur ku po shkon. Më e mira që një shoqëri mund të ketë, apo që brezat e ardhshëmmund të bëjnëështë kërkimi dhe vendosja e një qëllimi të lartësuar, sipëror, tej fizikut dhe plotësimit të dëshirave të kësobotshme.
Potenciali njerëzor i mveshur me këtë qëllim, mund të arrijë në horizonte të pamata të të kuptuarit dhe njohjes së të fshehtave qëçdo ditë i kemi përpara syve, jetojnë bashkë me ne, por që nuk mund t’i shohim dot në verbërinë tonë shekullore.
Burimi kryesor i forcës së udhëtarit është qëllimi i epërm. Njerëzimi shpeshherë e ka parë veten të zhytur në errësirë dhe në turbulencën e paqëllimshmërisë, kotësisë,e pikërisht në këtë sentencë të jetës janë shfaqur ata, heronjtë e paçmuar, të cilët u bënë feneri ndriçues për të humburit, ata të cilët shkundën brezat për t’i kujtuar qëllimin e ekzistencës së tyre, që egoja ia kish mbuluar dhe fshehur aq thellë saqë vetë do ta kishin gati të pamundur ta shpluhurosnin e ta nxirrnin në dritë e më pas që të rendim sërish pas tij.
“Ky qëllim i epërm, i cili lindi në gjirin e shkretëtirës, për t’u kthyer në frymim jete për tërësej tri kontinente, ishte besimi, dhe me atë besim, ushqeheshin idealet e mbushjes se zemrave të të tjerëve me frymëzim që buronte thellë brenda kraharorëve të tyre.”
Ky qëllim i humbur mes kohërash që rrjedhin nxitueshëm, u rishfaq sërish, në mesin e shumë popujve bëri që ata ta linin mënjanë periudhën e mesjetës, çka kontinenti ynë i zhytur thellë në të, e njeh si periudhën më të errët. Por në anën tjetër, shkëlqente verbueshëm drita, dhe u desh kohë, shumë kohë që rrezet e saj të preknin çdo cep të rruzullit. Ose më saktë u desh kohë që të binin perdet e që ne ta shihnim, pasi ajo aty kish qenë mes nesh gjithmonë, s’ish larguarkurrë, pasi Mëshira e Tij,është e përhershme dhe e pamatë.
Por edhe sot në rrjedhëne shekujve, njeriu herë e humbet e herë e rigjen qëllimin për të vazhduar rrugën aty ku e ka lënë.
Ndaj përgjegjësia bie mbi ne të gjithë, kjo botë nxiton në një mënyrë të çuditshme, gati marramendëse. Nevoja për të shërbyer, për t’i rikujtuar tjetrit, jo imponuar, apo për t’ia bërë të njohur qëllimin e epërm, qëgjithsecili e ka, por jo të gjithë e zbulojnë, kthehet në domosdoshmëri. Që së paku brezat e rinj ta gjejnë këtë rrugë apo të mos e humbasin atë nëse tashmë e kanë gjetur.
Bota gjithmonë do të ketë nevojë për heronj, jo të shpatës e fuqisë fizike, por heronj të mendimit, qëllimeve te epërme e idealit, të cilët “derdhen rrugëve për të ngjallur dëshirën e jetës së të tjerëve, në vend të të jetuarit për vete…”
Ne jemi një popull që kemi vuajtur shumë, nëluftërat dhe përpjekjet për liri e ekzistencë, jemi një popull që na gjymtuan me sa mundën, por sërish mbetëm, mbijetuam. Luftuam edhe mes vedi, së brendshmi, nga raca jonë, kjo ndoshta ishte edhe gjëja më e keqe që na kish ndodhur ndonjëherë.U bënë përpjekje për të na çrrënjosur besimin e për të na kthyer në robotë të telekomanduar dhe gati sa s’ia arritën, pasi pasojat ndihen ende edhe sot, por sërish edhe kësaj herë ne mbijetuam, jo vetëm si qenie fizike, por mbijetuam shpirtërisht, pasi askush nuk mund të ndalë zemrën dhe shpirtin të ndjejë e të dojë atë që e thërret për në Amshim.
Mbijetuam sepse mes gjithë këtyre vuajtjeve e mundimeve, pati nga ata heronj që nuk e braktisën, më së paku nuk e harruan qëllimin e tyre të epërm, por e fshehën në skutat më të thella të zemrës, në honin e shpirtit, aty ku askush nuk mund t’ia prekte dot. Nëse sot për ne pema e jetës ka çelur, kjo është fryt i farërave që disa të tjerëi hodhën kohë më parë!
E sot, pas mbi dy dekada, këtë qëllim që na e lanë trashëgim, rrezikojmë ta humbim, nëse nga gjiri ynë nuk lindin heronj të ri. Sepse çdo shekull, çdo popull apo shoqëri kërkon heroin e saj. Dhe heronjtë e shekullit të ri duhet të jemi ne, secili prej nesh, në mënyrën e tij. “Por kjo është një rrugë plot dhimbje e vuajtje, me kthesa e me kodra, që zgjat në përjetësi, megjithatë, njëkohësisht ajo është një profesion ndërgjegjeje të thellë, lumturie dhe kënaqësie shpirtërore, që synon gjetjen e lumturisë, pikërisht në lumturinë e të tjerëve.”
Njeriu, i aftë për të përthithur dije, është i pajisur me aftësinë për të menduar, nëse ai nuk e kanalizon këtë mundësi në rrugë të mira, atëherë kjo aftësi, mund ta tërheqë atë drejt rrugësh të papëlqyeshme, si egoizmi, apo bohemizmi, ndaj edhe besimtari duhet të dijë të ushqehet përherë prej burimeve të tij parësore.
Ajo që është më e rëndësishme është besnikëria e njerëzve karshi synimit të lartë. Sepse individët janë kalimtar, ndërsa horizonti i përjetshëm. Zëri i shpirtit ne na thërret përherë e na fton të ecim në këtë rrugë eprore, na fton të rendim pas besimit të përsosur, drejt sinqeritetit të plotë, na fton të rrekemi për të përftuar një lidhje të shëndoshë me Krijuesin.
Sa e sa qëllim humbur e çuan veten dëm, duke rendur rrugëve të kësaj bote në kërkim të lumturisë që s’e gjetën kurrë. Sa e sa njerëz nuk lanë gjë pa bërë e sërish lumturinë nuk e gjetën. Paguan miliona për do çaste lumturie e gëzimi të përkohshëm e që më pas u kthyen në gjakim jete, vuajtjeje e përpëlitjeje deri në frymën e fundit.
Përse nuk e gjetën lumturinë? Ndoshta sepse nuk kanë trokitur në portën e saj, ose ndoshta nuk iu afruan fare sepse Ata u burgosën brenda mureve të egos së vet, i mbyllën portat e zemrës e nuk lejuan që të depërtojë drita…
Edhe sot, një zë jehon nga larg, mes afshit të nxehtë të shkretëtirës, e përhapet si shira mirësie në pranverë. Ky zë vjen përmes shekujsh e na thërret: Zgjohuni! Zgjohuni nga letargjia o njerëz dhe përqafoni jetën me tërë mirësitë e saj. Zgjohuni dhe pini nga burimi i pashtershëm i mirësive të Zotit tuaj.
Nga Feri lika