Qëndroi gjithë natën para Kryeministrisë, Adriatik Lapaj ka një thirrje për qytetarët: Rama duhet ndalur
Pasi qëndroi 12 orë para Kryeministrisë në shenjë proteste, Adriatik Lapaj u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen qëndresës së tij.
Në një komunikim në rrjetet sociale, ai u kërkoi qytetarëve, sidomos të rinjve, që t’i bashkohen çdo ditë para kryeministrisë.
“Kaloi nata e parë, jam te kryeministria, protesta vazhdon. Në orën 5 pasdite sot e çdo ditë do të mblidhemi këtu. Uroj të jemi dhe të shtohemi sa më shumë që të qëndrojmë konstant. Duhet një shkëndijë për ta ndezur reagimin popullor. Studentët që Rama i gënjeu pak vite më parë duhet të reagojnë përballë tij, siç reagojnë të rinjtë në çdo vend.
Ata që u ka shkaktuar dëme me mënyrën e qeverisjes së tij duhet të dalin për veten e tyre. Ata që iu shkatërruan pronën në Tiranë në muajt e fundit, ata që u prenë në besë në Theth, fermerët në zona të ndryshme, duhet të jenë të angazhuar për të reaguar përballë një pushteti që sa më shumë vjedh aq më shumë forcohet. Kapet zëvendëskryeministri i parë duke vjedhur, arratiset. Vjen zëvendëskryeministrja e dytë që me një mesazh 53 milionë euro shkojnë në drejtim të paditur dhe Rama ndihet më i fuqishëm. Si mundet kjo?
Të rinjtë e këtij vendi nuk paguajnë dot qiratë në Tiranë, me rrogat që marrin prindërit e tyre për të bërë shkollën këtu. Këta vazhdojnë e vjedhin dhe forcohen në pushtet ndërkohë që njerëzit dhe të rinjtë ikin në emigrim”, u shpreh ai.
KOHA JONË SONDAZH

