Qëndron në Eurozonë, Greqia arrin marrëveshjen
Greqia dhe huadhënësit e saj ndërkombëtarë kanë arritur marrëveshjen 86 miliardë euroshe të ndihmës financiare mbas bisedimeve maratonë përgjatë gjithë natës. Marrëveshja shton shpresat se ndihma mund të jepet në kohë për shlyerjen brenda 20 gushtit të këstit të huasë prej 3.2 miliardë euro që Athina i detyrohet Bankës Qendrore Evropiane.
Tratativat zgjatën plot 23 orë dhe në përfundim zyrtarët grekë dolën nga hoteli Hilton në qendër të Athinës për të bërë me dije se të dyja palët kanë rënë dakord për detajet e marrëveshjes. Ministri grek i financave tha se marrëveshja është arritur, megjithatë disa çështje minore ngelen ende për t’u diskutuar. “Ka ende një ose dy problem të papërfillshme, por pothuajse ia kemi dalë mbanë,” tha Euklid Cakalatos.
Qeveria ka rënë dakord që të jetësojë menjëherë 35 reforma. Masat përmbajnë ndryshimin e taksës së tonazhit për anijet, reduktimin e çmimeve për barnat gjenerike, rishikim të sistemit të ndihmës sociale, fuqizim të anti-krimit financiar, heqjen e daljes së parakohshme në pension, shfuqizimin e privilegjeve të TVSH-së për ishujt grekë deri në vitin 2016, zbatimin e reformave të tregut të produkteve, liberalizimin e tregut të energjisë dhe vijimin e programit të privatizimit.
Athina shpreson që pakti të ratifikohet nga parlamenti të mërkurën ose të enjten dhe, të premten, ajo miratohet nga ministrat e financave të eurozonës.