Qeneria s’ka fund

Nga Hyskë Borobojka

Letër e shoqatës të pavarur “Qenëria” drejtuar Bashkisë së Tiranës për veprim dhe Kryeministrisë për njoftim

Të shumëdashur zotërinj pushtetarë lokalë dhe qeveritarë nacionalë! Shoqata jonë “Qenëria” pa zap e pa ztap, e përbërë nga balot e mëdhenj, bushtrat pjellore, zagarët nuhatës, finkat dhe konet e vogla, të mbledhur sot në selinë tonë, ku mbillet nuk korret, vendosëm që t’u dërgojmë këtë letër të hapur pa zarf. Na e kërkon nderi ynë t’u vëmë në dijeni, se janë anëtarët dhe anëtarët e shoqatës tonë, që kanë dhënë e vazhdojnë të japin një kontribut të veçantë për plerimimin dhe urinimin e lulishteve, me lule e pa lule, shesheve, mjediseve, trotuareve e rrugëve të kryeqytetit. Këtë proces të rëndësishëm e të vazhdueshëm e kemi kryer e vazhdojmë ta bëjmë me dinjitet e me cilësi të rrallë, tre herë në ditë, në mëngjes, pa u hapur dita, në drekë kur drekohet mileti dhe në mbrëmje, kur ndrrojnë stafetën dita me natën. Veç këtij “shërbimi”, të rrimë shtrembër e të flasim drejt, i kemi siguruar front pune Pastrim-Gjelbërimit për të mbledhur fekalet tona, që i lëmë si lopa bajgëm në trotuare, sheshe e lulishte. Nuk mund të lëmë pa zënë në gojë edhe ndihmesën e anëtarëve të shoqatës tonë në kontrollin e kazanëve të plehrave, duke evituar rrezikun nga shpërthimi i ndonjë llokumeve tritoli. Me këtë rast duam të falënderojmë nga zemra zonjat, zonjushe e zotërinjtë që nuk janë kursyet të na shëtisin e të na shoqërojnë në vendet e zgjedhura prej tyre për të kryer nevojat fiziologjike e të bëjmë me cilësi të “lartë” plehërimin dhe urinimin e bimësisë e pemëtarisë. Por nuk mund të rrimë pa u kritikuar e fshikulluar ju zotërinj, zonja e zonjushe të Bashkisë të Tiranës, që nuk na keni dhënë asnjë shpërblim financiar për punën e “dobishme” që kemi bërë e vazhdojmë të bëjmë. Të paktën të na kishit dërguar një fletë lavdërimi. Megjithatë s’ka si mos u falënderojmë nga zemra, për ndihmën e madhe që i keni dhënë shoqatës tonë “Qenëria”, sidomos bushtrave, për të realizuar lindjet e tyre të mbara, që kanë bërë të mundur shtimin e shoqatës me anëtarë e anëtare të rinj, aq sa tani të quhet më plot gojën “Qeneria s’ka fund”. Shërbimi i shoqatës tonë ka qenë, është e do të jetë në të gjitha drejtimet e aspektet e jetës. Janë anëtarët e shoqatës tonë të nderuar që përhapin në çdo cep të kryeqytetit “simfoni e pambaruar” të angullimave, lehjeve e hungërimave, që fillon pa u zbardhur dita e vazhdon tërë natën, duke argëtuar qytetarët. Shoqata jonë nuk e ka kursyer ndihmesën e saj as në drejtim të shëndetësisë. Janë anëtarët e kësaj shoqate, që mund të transportojnë sëmundjen e “ekinokokut” (sëmundja e qenit) nga trupi i tyre në atë të qytetarit, duke i siguruar pacientë mjekëve kirurgë. Jemi ne që ndihmojmë së tepërmi edhe sektorin e farmacive e infermierëve, pasi kur ia ngulim dhëmbët ndonjë qytetari a qytetareje, e detyrojmë të psonisë në farmaci dy gjilpëra, njërën kundër tërbimit dhe tjetrën kundërt tetanosit të paguajnë me pare në dorë edhe infermieren për t’ua bërë. Por, të shumënderuar zotërinj e zonja, na vjen shumë keq e na mbetet hatri, kur disa qytetarë, duke mos përjashtuar edhe deputetët e zyrtarë e lartë, i kolisin njëri tjetrit epitete si: “Ti je qen! Ikë more qen soj qeni! Qen bir qeni! Qen i ati, qen i biri, qen ai që bëri tanë! Ti byrazer, je qen që ha të zotin!” e sa e sa epitete e ndajshtime të tjera me emrin tonë. Këto duhet të fshihen njëherë e mirë nga fjalori, pasi siç e dini, ne qenëria me katër këmbë, jemi besnikët më të thekur të “qeneve” me dy këmbë. Në të kundërt, na lind e drejta t’i paditim në gjyq, pasi, siç thamë më lar, shoqata jonë dhuron të “mira e virtyte” dhe e “nderon” kryeqytetin e vendit.

Me anë të kësaj letre, duam t’u shprehim mirënjohje dhe konsiderata të veçanta të gjithë zotërinjve, zonjave e zonjushave, që s’i kanë lënë disa nga anëtarët e shoqatës tonë jashtë në qiell të hapur, të pëlcasin nga vapa në verë e të presin gozhdë në dimër, por i kanë strehuar në apartamentet e tyre, nga kati i parë në të dhjetin. Madje i kanë stërvitur me kurs të posaçëm, të ngjiten e të zbresin me ashensor. Ju e dini se anëtarët e shoqatës tonë “Qenëria”, janë ndeshur për jetë e vdekje me anëtarët e shoqatës “Ujku murrak”. Por tani i kemi fshirë nga lista këta armiq të përjetshëm. Për këtë duam t’u falënderojmë, të nderuar zotërinj, zonja e zonjushe, pasi keni dhënë një kontribut me vlerë, që në kryeqytetin tonë të mos ketë asnjë ujk me katër këmbë (se janë shtuar ata me dy këmbë). Kështu që jemi fare të qetë e të shkujdesur, pasi dhe një që jetonte në “Kopshtin zoologjik”, u detyrua të shpallte grevën e urisë pa afat deri sa ndërroi jetë. Kaq dita kaq u thashë. Të shumënderuar zotërinj, zonja e zonjushe ju urojmë suksese e të mira në punën tuaj, duke mos e harruar shoqatën tonë t’i jepni atë që meriton.

Me respekt të veçantë. Shoqata “Qeneria”     

SHKARKO APP