Qeneria s’ka fund

Fejton nga Hyskë Borobojka –

Letër e Hyskë Borobojkës dërguar mikut të tij Bamkë Çomaga, ku tregohen arsyet e forta, që e penguan për të vajtur te miku i tij t’i uronte Vitin e Ri

I shumëdashuri Bamkë! Bashkë me Nafijen time, kishim vendosur, që ditën e parë të Vitit te Ri, të vinim në banësën tënde të uronim festën e ndërrimit të viteve. T’i përpiqnim gotat me prodhimet e “Rush Rushitit” dhe të shijonim gatimet e ëmbëlsirat, që aq mirë di t’i gatuaj e t’i servirë Lulushja tënde e nderuar dhe e respektuar. Por, i shumënderuari Bamkë dhe e shumëlavdëruara Lulushe, do të na falni që s’e mbajtëm dot premtimin që i bëmë vetes. E di që do të thuash: “Gjithnjë çfajsohesh ti miku im dhe këtë “shfajsim” e ke si premtimet e polikanëve ne fushatat zgjedhore. Por përpara se të më hedhish në qafë litarin e fajit, më dëgjo dhe pastaj arsyeto dhe vepro. U nisëm e u stolisëm si për feste, pasi, siç të kam molloisur, Nafija ime është merakçeshë për sqimën e të veshurit dhe kërkon të duket e bukur edhe tani, që në kokën e saj ka rënë dëbora e pleqërisë. Kërkon të duket ashtu si ishte në rini. Madje një ditë , i nderuari Bamkë, e di ç’më tha:

-Sa i lezeçëm je bërë, o i dhumëdashuri burrë!

-Moj e uruar, kaq vjet martuar, s’më the njëherë se kam qënë bukurosh, por kujtohesh tani, që më ka ikur rinia e bukuria, si vapa me gushtin!? – e kundërshtova.

Më fal, i tepërnderuari Bamkë, se u zgjata pak si tepër me kërkesat e komentet e Nafijes, për veshjen dhe bukurinë time, pasi as ti dhe as e mira Lulushe nuk i honepsi fjalët e tepërta bravare, që kullosin në tufën e fjalëve të gjuhës

Si u bëmë gati, zbritëm shkallët e, sa hodhëm këmbet në trotuar, na i prenë rrugën një kope me qenër të madhesive, racave e ngjyra të ndryshme, që e kishin hapur gojën vesh më vesh, gati për të na sulmuar.

-Bobo! – thirri sa e pati Nafija, kur pa dhëmbët e tyre jashtë gojës e filloi të dridhej si puteka në ujë. – Do na çajnë Hyskë, dhe në vend të vemi te Bamka e Lulushja për të uruar Vitin e Ri, do të përfundojmë në spital.

-Zemër pule ke qënë gjithnjë!- e qortova,- Jam unë trimi që ua thyej. jo vetëm dhëmbët, por edhe brinjët!. –

Nuk e tora shumë dhe yrysh përjetë shkallëve e rrëmbeva hurin e trashë, që e mbaj prapa derës, për t’u mbrojtur jo vetëm nga qente me katër këmbë, por edhe nga ata me dy këmbë.

Të them të drejtë, kur panë hurin e trashë në dorën time, qenëria na e hapi rrugën. Por s’kishim bërë as pesëdhjetë hapa drejt kasolles tënde, kur na doli përpara e na i preu rrugën një tufë tjetër qenësh. Në krye i printe një balo i madh pullali, sa një gomar. Si duket qeneria e kishte “zgjedhur” kryetar. Pas tij vinin me radhë qentë e tjerë, bushtrat, zagrët, konët…

-Eja të kthehemi, se do na coptojnë! – u lebetit Nafija e po dridhej sikur e kishte zënë ajo punë.

Edhe unë, i shumënderuari Bamkë,, që shquem për guxim e trimëri, siç më ke cilësuar ti, i mbusha. Mbase do të thuash po hurin e trashë përse e kishe në dorë?! Të drejtë, por atë të uruar e kisha lënë në vendin e tij prapa derës. Si mund të vija tek ty me një hu të trashë në dorë? Ç’do të molloisnin komshija tënde?!: “Ka ardhur Hyskë Borobojka me hu në dorë të rrahë Bamkë Çomagën” Si do na priste Lulushja tënde e nderuar, si miq apo si armiq?.

Këto qenë arsyet e forta që u bëë gardh e ma penguan të mos vinim dot.. Dy ditë më vonë vajta në Bashkinë e Tiranës e u thashë: Si do t’u vejë filli qenve rrugaçë, që të shpëtojmë nga kafshimi i tyre?! E di ç’më thanë, i nderuari Bamkë: “Qentë e rrugës janë një problem shqetësues për qytetarët!”. Vrejtje me vend, – u thadhë dhe i pyeta në se Bashkia kishte ndonjë evidencë apo statistikë të detajuar për qenërinë rrugaçe. Sa balo të mëdhej, sa bushtra pjellore, sa zagare, langoj e kone shëtisin çdo ditë në rrugët, sheshet, lulishtet, parqer e trotuarët e kryeqytetit.

-Përtype fjalën, mos e lësho gojën veresije, mos kërko qiqra në hell, zoti Hyskë, – më thanë. – Ne s’kemi evidenca e statistika,sa premtime bëmë gjatë fushatës zgjedhore të 21 qershorit e sa prej tyre kemi mbajtur. Sa janë regjistruar në zyrat e moderrne të punës, që kemi hapur e sa janë punësuar. Nuk kemi as evidenca e statistika për ata qytetarë, që ikin nga sytë këmbët për të gjetur strehim e punë në Evropë e në botë e jo të kemi evidenca e statistika të sakta për qenërinë që kanë populluar rrugët, sheshet, lulishte, trotuarët e parqet e kryeqytetit. Mos do dhe ndonjë evidencë sa mace e maçokë ka Tirana?!

Atë ditë të shënuar që u nisëm të vinin tek ju, lukunia e qenëve s’kishte të sosur e s’ua bënte syri e veshi tërr as nga prrofkat e fyshekzjaret, që e ndezën flakë Tiranën. Madje nja dy a tre zonja apo zonjushe, secila shoqëronte nga një balo të madh, që i shëtisnin trotuarëve, shesheve e lulishteve për ajrim e për të kryer nevojat personale. duke plehëruar vendet publike me jashqitjet e tyre e, për të vaditnin me urinë pemët dekorative dhe lulet.

Pyeta në bashki. Përse nuk u tregojnë vendin këtyre viranëve, se s’kemi siguri të dalim jashtë shtëpisë, përse s’i vrasin e t’i zhdukin nga faqja e dheut. Por e di ç’më thanë, o miku im i mire:

-Ke mbetur prapa ti, zoti Hyskë. Ka ikur ajo kohë kur qentë rrugaçë i priste plumbi i pushkës e fisheku i çiftes. Tani në demokraci, ekzekutimi, madje dhe dhuna ndaj këtyre qënjeve të gjalla është e ndaluar. Duhet t’i edukojmë e t’i mësojmë për të bërë punë të dobishme shoqërore.

Mirë e kanë ata, i shumëdituri Bamkë. Por si t’ia bëjmë ne të gjorët, që sa bie nata e del hëna në qiell, mblidhen përpara pallatit tim e ulurijnë, sikur kanë kërcyer ujqit në kryeqytet. Dhe s’janë një e dy, pesë apo pesëmbëdhjetë, por një kope e tërë.

-Kokën, kokën, hëngërshi! – i mallkon Nafija ime me gjithë fuqinë e zërit të saj, por, jo vetëm qentë s’e dëgjojnë, por as bashkia.

Edhe miku yt nuk rri duarkryq, por me hu në dorë turrem poshtë shkallëve. Por duhet të jesh burrë i zoti të futesh në mes tyre, pasi mund të mbetesh për ibret, pa pantollona i gjakosur dhe eja e bëj njëzet e kusur inxhekcione, kundër tërbimit e tetanozit, se ata viranë s’lënë kazan e kapicë plerash pa i futur turinjtë. Nuk e di në se Lulushja tënde e nderuar dhe e respektuar trembet e ka frikë nga qenëria, se Nafija ime ka marrë lebetinë prej tyre. Ç’do natë i shfaqen në ëndërr e ia bëjnë “Ham, ham!”, “Kam, kam!”.

Shpesh vras mendjen e pyes veten?! Përsë duhet gjithë kjo lukuni qenërie, që kanë zaptuar kryeqytetin, aq sa më shumë ka qenë se makina e biçikleta. Ata, i shumadashuri Bamkë, mish nuk japin, qumësht, jo. lesh, jo!. Për të nuhatur strofkat e kriminelëve, trafikantëve, hajdutëve, drogaxhijve, të korruptuarve, u ka humbur nuhatja. Ujq me katër këmbë nuk ka në kryeqytet (se nga ata me dy këmbë ka plot). Edhe një që jetonte në “Kopshrin Zoologjik” e përdrodhi bishtin nga uria për të ngrënë..

Duke përfunduar këtë letër, të uroj ty dhe zonjën e nderuar Lulushe, që viti 2016, qoftë një vit i mbarë me shëndet e bereqet dhe u bëftë derman qenërisë që të vijmë te ju pa siklet e zarar.

                                                                                    Të falem Hyska

SHKARKO APP