Qeveria: 1.3 milion euro për avokatët që mbrojnë Shqipërinë në Arbitrazh

Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë i është shtuar në buxhetin e këtij viti, një fond prej 1 175 000 eurosh dhe 125 000 dollarësh për kryerjen e pagesave të faturave avokatore në Arbitrazh kundër kompanive të biznesmenit italian Francesko Becchetti.

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave të marrë dje, thuhet se: “Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, në cilësinë e organit të interesuar, në buxhetin e miratuar për vitin 2016 i shtohet

kundërvlera në lekë e fondit prej 1 175 000.00 (një milion e njëqind e shtatëdhjetë e pesë mijë) eurosh dhe 125 000.00 (njëqind e njëzet e pesë mijë) dollarësh për kryerjen e pagesave të faturave të avokatëve të kontraktuar për përfaqësimin dhe mbrojtjen në çështjet e Arbitrazhit IÇ, nr.20564/EMT Hydro S.R.L. kundër Republikës së Shqipërisë, dhe ICSID, nr.ARB/15/28 Hydro S.R.L. & Others kundër Republikës së Shqipërisë, si dhe për çdo shpenzim tjetër të lidhur me to, në përputhje me faturat e miratuara nga Avokatura e Shtetit”.

Fondi në fjalë përballohet nga rezervat e buxhetit të shtetit. Biznesmeni italian ka çuar në Arbitrazh ndërkombëtar vendimin e qeverisë shqiptare për hidrocentralin e Kalivaçit, një vepër kjo e papërfunduar. Ai kërkon një shumë prej 160 milionë eurosh nga shteti shqiptar. Ndërkohë, ndaj biznesmenit është lëshuar një urdhër-arresti nga Gjykata e Tiranës.

SHKARKO APP