Qeveria, 3 kontrata me tarifë 1 euro për ndërtesat e ish-ndërmarrjeve në Durrës
Këshilli i ministrave dhënë miratimin për lidhjen e 3 kontratave të qirasë me tarifën 1 euro për kontratë. Synimi i kontratave të tilla është nxitja e investimeve në zona të veçanta të vendit, si dhe rritja e punësimit.
Kështu, qeveria miratoi dhënien e sipërfaqes 40 mijë metra katrorë në Spitallë të Durrësit, pasuri e cila përmban vaskat e ish-ndërmarrjes së rritjes dhe zënies së peshkut. Kompania qiramarrëse në këtë rast është “Naim Tragaj Group”, e cila për një periudhë 20-vjeçare do të mund të shfrytëzojë këtë hapësirë, e cila do të ketë për qiradhënës Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.
Qeveria ka miratuar edhe lidhjen e kontratës mes MFE edhe shoqërisë “Al Alto Gradimento”, shoqëri e cila kryen aktivitetin e prodhimit të këpucëve. Kjo kompani do të marrë në shfrytëzim për 10 vjet sallat 1, 2, 3 dhe 4 në katin përdhes të një godine 4-katëshe, në pronësi të ish-ndërmarrjes së prodhimit të veshjeve në Durrës. Kjo hapësirë kap një sipërfaqe totale prej 865 metrash katrorë.
Ndërkohë, kontrata e fundit 1 euroshe e miratuar në mbledhjen e KM të ditës së mërkurë është ajo mes MFE dhe shoqërisë “Alba Cosmetic 2014”. Bëhet fjalë për një ndërtesë 2 katëshe me sipërfaqe funksionale 1650 metra katrorë që është njësi e ish-ndërmarrjes kimike të Durrësit në Porto Romano. Afati i qiradhënies për këtë pasuri është 20 vite. Nga vetë emri, kompania qiramarrëse kryen aktivitet në fushën e estetikës, kozmetikës dhe parfumerisë.