Qeveria çon në Kuvend project/ligjin “për investimet strategjike”
Qeveria ka depozituar në Kuvend projektligjin e ri për investimet strategjike. Projektligji parashikon krijimin e strukturave dhe rregullave të reja, me qëllim nxitjen e mëtejshme të investimeve.Investime strategjike, sipas p/ligjit të qeverisë do të jenë investime në sektorët kryesorë të ekonomisë, me vlera nga 1 milion euro deri në 100 milion, në varësi të sektorit ku investohet. Po ashtu, në projektligj përcaktohet ngritja e Komitetit të Investimeve Strategjike, si një organ kolegjial pranë Këshillit të Ministrave. Ky komitet kryesohet nga Kryeministri dhe merr vendime për dhënien e statusit të asistuar apo të veçantë të investimeve strategjike që propozohen nga investitorët vendas ose të huaj dhe ministri i linjës sipas sektorit.
Komiteti monitoron edhe funksionimin e sistemit të “Dritares unike” për shërbime ndaj investitorit, performancën e impaktit të investimeve strategjike dhe ecurisë së tyre, si dhe miraton programet konkrete për mbështetjen dhe stimujt për investimet strategjike. Në nenin 10 është parashikuar që AIDA është struktura administrative kompetente për dhënien e shërbimeve për investitorin në një “dritare unike”. Ajo kryen rolin e agjentit asistues, ndjek të gjitha procedurat administrative të parashikuara, që nga momenti i paraqitjes së një kërkese/propozimi investues për përfshirjen në procedurat administrative për përfitimin e statusit “investitor/investim strategjik, procedurë e asistuar” deri në përfundimin e të gjitha procedurave administrative të parashikuara nga ky ligj për realizimin e projektit investues. Gjithashtu, kjo Agjenci kryen veprime përgatitore, ofron shërbime koordinimi informacioni, të konsolidimit të tokës si dhe shërbime përfaqësimi të investitorit tek institucionet/entet/autoritet publike në lidhje me përgatitjen, zbatimin dhe realizimin e një projekti investues strategjik. Agjencia analizon paraprakisht profilin e investitorit dhe ka të drejtë t’i kërkojë investitorit informacione lidhur me kapacitetin financiar dhe aftësinë e tij për të gjeneruar fonde të mjaftueshme për investimin, deklaratat financiare, strukturën menaxheriale, pronësinë, pozicionimin në treg, eksperiencat e mëparshme lidhur me fushën e investimit si dhe komponentë të tjerë të nevojshëm për të provuar aftësitë e tij investuese.
Projektligji përcakton gjithashtu krijimin e Fondit të Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike, që do të vihen në dispozicion të projekteve.Ky ligj tenton t’i japë një hov të ri nivelit të investimeve të huaja në Shqipëri për faktin se parashikohet të jetë në fuqi deri me 31 dhjetor të viti 2018.
Gjatë kësaj periudhe, të huajt mund të përfitojnë procedurat e përshpejtuara, kushtet e favorshme, tokat shtetërore e private përmes shpronësimit, nëse kërkojnë të investojnë në një prej sektorëve kryesore të ekonomisë.