Qeveria e ardhshme, komuniteti i biznesit propozon të krijohet Ministria e Tregtisë dhe Industrisë
Forumi, bëri të ditur ai, do t’i përzgjedhë dhe propozojë kryeministrit të ardhshëm si ministër të kësaj ministrie tre kandidatura të përshtatshme nga individët më të spikatur në fushën e politikave të sipërmarrjes dhe rezervon të drejtën t’i kërkojë kryeministrit edhe marrjen e masave deri në shkarkimin e tij, kur nuk realizon objektivat e nuk justifikon besimin e sipërmarrjes.
Në një zë, komuniteti i biznesit ka përgatitur një platformë për t’ua paraqitur forcave politike, me qëllim që të merret në konsideratë dhe të përfshihet në programin e tyre elektorale për pjesën ekonomike.
Bregasi tha se platforma e propozuar nga Forumi i Biznesit ka si synim zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm, i cili mbështetet në identifikimin dhe analizën e kapaciteteve, potencialeve dhe burimet që ofron vendi ynë.
Ndër propozimet janë hartimi i një modeli të zhvillimit ekonomik të vendit për një periudhë 10-15 vjeçare në konsultim të ngushtë me sipërmarrjen, bazuar në kapacitetet, potencialet dhe burimet që ofron vendi ynë dhe duke e garantuar atë me miratimin në konsensus të gjerë politik të formalizuar në Kuvendin e Shqipërisë.
Po ashtu, rritja e konkurueshmërisë së ekonomisë shqiptare, duke patur në vëmendje sektorët me prioritar për të cilët duhen përgatitur menjëherë një serë paketash lehtësuese me karakter ligjor, procedural, tatimor dhe tarifor.
Tjetër propozim është përmirësimi i kuadrit rregullator procedural nëpërmjet identifikimit të gjithë listës së procedurave që prekin drejtpërdrejtë aktivitetin e sipërmarrjes dhe fillimin e reformës për thjeshtëzimin e tyre, përmirësimin e klimës së investimeve dhe të bërit biznes nëpërmjet intensifikimit të komunikimit dhe konsultimit publik. Bregasi renditi si kërkesë edhe përmirësimin e politikave tregtare, duke mbajtur në fokus politikat mbështetëse mbi prodhimin vendas dhe nxitjen e eksporteve.