Qeveria kërkon ndryshimin e buxhetit 2017: Ja arsyet

Qeveria ka depozituar në Kuvend aktin normativ që ndryshon sërish buxhetin e këtij viti. Në relacionin që i bashkalidhet aktit evidentohet nevoja për një ndërhyrje të tillë në kushtet e ristrukturimit të institucioneve. Krahas rialokimit të disa fondeve, në relacion dalin edhe projektet që janë lënë për t’u zbatuar në javët e mbetura të këtij viti.

Me ndërhyrjen e realizuar në buxhet, qeveria ka rritur me 1.8 miliardë lekë kontributin nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, si rrjedhojë e performancës së lartë në mbledhjen e tyre gjatë periudhës janar-shtator 2017. Kjo rritje do të shkojë tërësisht për bonusin e pensionistëve, me një efekt neutral për buxhetin e shtetit, raporton portal ekonomik SCAN. Një ndërhyrje tjetër është ajo e rritjes me 200 milion lekë të fondit për kompensimin e fëmijëve.

Që prej vitit 2008, qeveria ka vendosur një shpërblim 5 mijë lekë për fëmijët e lindur ashtu sikuyrse ka edhe një serë përfitimesh të tjera për këtë qëllim, të cilat prej vitesh kanë krijuar borxh për shkak se nuk janë shlyer. E me këtë vendim, qeveria parashikon të shlyejë detyrimet e prapambetura, brenda këtij viti. Po ashtu, me këtë akt normativ qeveria ka rritur me 352 milionë lekë fondin për kompesimin e ish-të përndjekurëve politikë.

Qëllimi është që të shlyhet 100% kësti i tetë dhe i fundit i kategorisë parësore të përfituesve të gjallë, deri në fund të vitit 2017. E sa i përket rritjes së pagave, ndryshimi buxhetor sjell reduktimin me 200 milionë lekë të rezervës për rritjen e pagave. Ky ndryshim argumentohet si rrjedhojë e kursimeve pas akomodimit të të gjitha kërkesave të institucioneve buxhetore.

SHKARKO APP