Qeveria kërkon prapë borxh, 500 milionë euro!
Qeveria shqiptare planifikon që shumë shpejt të ofrojë një tjetër Eurobond.
Lajmin e bëri të ditur për Bloomberg zëvendësministri i Financave, Erjon Luci.
Ai tha se qeveria po përpiqet që të zhvendosë varësinë për financim nga vendasit tek investitorët e huaj.
Qeveria e kryeministrit Edi Rama kërkon të shesë 300 milionë euro në tregjet ndërkombëtare.
Luci tha se nëse ka kërkesë të mjaftueshme, kjo shifër mund të rritet deri në 500 milionë euro.
Sipas Lucit, kjo shitje do jetë më shumë si një stërvitje për menaxhimin e borxhit, pasi sipas tij qeveria ka likuiditet dhe ndjehet rehat.
Shteti shqiptar ka një program prej 250 milionë eurosh, të mbështetur nga Banka Botërore në formën e një garancie që mund të përdoret si një “jastëk” gjatë kushteve të pafavorshme të tregut.