Qeveria miraton marrëveshjen e pensioneve me Kanadanë, përfitojnë 20mijë shqiptarë

Reth 20 mijë shtetasve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Kanada do tu njihen kontributet e sigurimeve shoqerore për efekt pensioni dhe shërbimesh të tjera. Marrëveshja është miratuar sot edhe nga Këshilli i Ministrave dhe është bërë e ditur nga ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë z.Erion Veliaj gjatë një konference për shtyp të mbajtur sot në ambientet e kryeministrisë. Në fjalën e tij ministri Veliaj theksoi rëndësinë që ka një marrëveshje e tillë për të gjithë ata emigrantë shqiptarë që për arësye të ndryshme kanë emigruar në Kanada, por që për shkak të mungesës së një baze ligjore e kishin të pamundur që kontributet e sigurimeve shoqerore ti transferonin në vendin resident. “Sot pas një negociate 2 vjeçare, negociatë që nisi javën e parë të punës time si ministër i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, ne mbyllem negociatat për marrëveshjen e pensioneve me Kanadanë. Ka qënë një marrëveshje shumë e rëndësishme, një negociatë shumë e fortë që zgjati 2 vjetë me disa raunde negociatash në Shqipëri dhe në Kanada. Ndaj më vjen mirë që në këtë mbledhje time të fundit si anëtarë e i Këshillit të Ministrave të kemi mundësi që të japim një lajm të mirë për shqiptarët që jetojnë në Kanada”, – tha ministri Veliaj. Më tej ai shtoi se marrëveshja në fjalë bënë të mundur që këta emigrant shqiptarë të mund të përfitojnë nga marrëveshjet që vet shteti kanadez ka lidhur me shtete të tjera me të cilat Shqipëria nuk ka ende një marrëveshje, siç është rasti i Italisë dhe Greqisë. “Marëveshja ndihmon 20 mijë shqiptarët që jetojnë në Kanada, por ata përfitojnë edhe nga marrëveshjet që Kanadaja ka me shtetet e tjera. Pra nëse një emigrant shqiptar ka jetuar në Itali dhe Greqi dhe më pas është trasferuar në Kanada, vitet e Italisë dhe Greqisë, që pavarsisht se nuk kanë marrëveshje me Shqipërinë, por e kanë me Kanadanë, do të kenë mundësi ideale që të përfitojnë nga kjo marrëveshje dhe për të transferuar vitet e kontributeve për pension me Italinë dhe Greqinë”, – shtoi ministri Veliaj. Ai e konsideroi një premtim të mbajtur faktin që brenda 18 muajve qeverisje u arritën të nënshkruheshin 8 marrëveshje për njohjen e penisioneve të emigrantëve. “Dua tju kujtoj se në 8 vitet e qeverisë së kaluar zero ishin marrëveshjet që u lidhën me shtetet e huaja për çështjet e pensioneve të emigrantëve. Nga zero marrëveshje në 8 vjetë ne kemi arritur të nënshkruajmë 8 marrëveshje”, – tha ministri Veliaj. Më parë qeveria shqiptare ka arritur të nënshkruajë marrëveshje të ngjashme edhe me Truqinë, Belgjikën, Luksemburgun, Hungarinë, Cekinë, Rumaninë, Maqedoninë, ndërsa kanë përfunduar negociatat me Gjermaninë dhe janw drejt përfundimit me Austrinë. Gjithashtu kanë nisur negociatat edhe me Italinë. Ministri Veliaj u shpreh se mbetet një sfidë për ministrin apo ministren e rradhës marrëveshja me Greqinë, duke theksuar se deri tani ajo nuk ka patur vullnetin që të hapi një negociatë, ndoshta për kushtet e vështira ekonomike që po kalon ai vend.

SHKARKO APP