Qeveria përfshin shitësit ambulantë në skemën e tatimeve

Projektligji për ndryshimin e procedurave tatimore: Ambulantët duhet të pajisen me leje nga bashkitë

Të gjithë tregtarët ambulantë do të përfshihen në skemën e tatimeve, dhe për të ushtruar veprimtarinë e tyre në vendet publike, do të duhet marrin leje nga bashkitë apo njësitë vendore pranë bashkive të mëdha. Është ky thelbi i projektligjit për disa ndryshime të ligjit “Për procedurat tatimore”, të sjellë në Kuvend për shqyrtim nga qeveria shqiptare. Në relacionin bashkëngjitur projektligjit në fjalë, Ministria e Financave sqaron se drafti është pjesë e planit të veprimit kundër informalitetit, duke pretenduar se kjo nismë është në kuadër të thjeshtimit të procedurave tatimore. “Ky projektligj është pjesë e paketës së masave, ligjore e nënligjore, të ndërmarra së fundi nga Ministria e Financave në kuadër të thjeshtimit të procedurave tatimore. Plani i veprimit kundër informalitetit synohej të shoqërohej në të njëjtën kohë me një sërë masash për thjeshtimin dhe lehtësimin e procedurave fiskale, duke synuar reflektimin e pritshmërive dhe kërkesave të bizneseve në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit dhe miradministrimit tatimor”,- thuhet në relacion.

Ndryshimet e ligjit

Sa i përket nismës përfshirjen e ambulantëve në skemën e tatimeve, ndryshimet që propozon qeveria ka të bëjë me një shtesë në nenin 5 të ligjit aktual ku në nenin 1 të projektligjit propozohet të shtohet dhe përkufizimi “ambulant”. Në relacionin e saj, qeveria bën me dije se në ligjin ekzistues ky përkufizim mungon, ndërkohë që, në nenin 40 të ligjit jepet koncepti i “regjistrimit të ambulantit”, pa pasur të përkufizuar cili konsiderohet ambulant. Konkretisht, propozohet që pas shkronjës “h” shtohet shkronja “j”, me përmbajtjen e mëposhtme: “j. “Ambulant” është personi fizik i cili ofron mallra ose shërbime për publikun pa pasur një vend (adresë) fikse për të tregtuar, që ushtron aktivitetin në njësi të vetme tregtimi të lëvizshme dhe lejohet të tregtojë në ambiente publike pasi ka marrë lejen nga bashkia përkatëse.”,- thuhet në draftin e qeverisë. Ndërsa neni 2 i projektligjit bën disa saktësime të nenit 6, të ligjit në fuqi, duke bërë disa përshtatje dhe qartësime të procedurave lidhur me detyrimin tatimor për individë të vdekur ose shoqëri të likuiduara, të cilat me miratimin e këtij drafti do ketë në referencë të Kodit Civil dhe ligjit për tregtarët dhe shoqëritë tregtare. Në nenin 3 të projektligjit propozohen ndryshime në nenin 10 të ligjit në fuqi, ndryshime sipas të cilave përforcohet detyrimi për zbatimin nga ana e administratës të vendimeve teknike dhe përgatitja e komentarëve dhe botimi i tyre dy herë në vit. Ky botim do të trajtojë të gjitha vendimet teknike në lidhje me mënyrën e trajtimit tatimor të rasteve specifike, duke i grupuar ato sipas natyrës së tyre. Ky ndryshim vjen si një lehtësi për subjektet tatimpaguese gjatë zbatimit të legjislacionit fiskal, të cilat do të kenë mundësinë për të pasur një komentar referues për rrethanat specifike në të cilat mund të gjendet tatimpaguesi, komentar të cili do t’i referohen, duke ulur kështu burokracinë dhe kursyer kohën si dhe në funksion të unifikimit të qëndrimit nga ana e administratës për çdo tatimpagues.

Përmes këtij projektligji, qeveria shqiptare synon rritjen e transparencës me tatimpaguesin për vendimet e administratës tatimore dhe unifikimin e qëndrimeve të kësaj administrate për raste të ngjashme dhe përmirësimin e procesit të informimit të tatimpaguesve si një instrument i rëndësishëm në ndihmë të tatimpaguesve për zbatimin e legjislacionit fiskal. Po ashtu, drafti në fjalë bën të mundur nxitjen dhe rritjen e pajtueshmërisë me legjislacionin tatimor, pa pasur qëllim abuzimin në përdorimin e instrumenteve ligjore për penalizimin e biznesit, duke i dhënë mundësi tatimpaguesit të vetëkorrigjohet. Po ashtu, projektligji synon thjeshtimin e një sërë procedurash të ndjekura nga tatimpaguesit, të cilat lidhen me përmirësimin e procedurave qoftë në kuadër të marrjes së informacionit, edhe në kuadër të përmbushjes së detyrimeve tatimore. “Projektligji synon riorganizimin e administratës tatimore mbi bazë funksioni, duke synuar rritjen e miradministrimit tatimor; rritjen e transparencës në vendimmarrje për kontrollet tatimore, përcaktimin e afateve të qarta të kryerjes së një kontrollli dhe jo më zgjatje e kontrolleve tatimore pa afate të përcaktuara qartë; rishikimin dhe rikonceptimin e aplikimit të dënimeve administrative, duke i harmonizuar ato me pjesët e tjera të legjislacionit dhe me vendimin e gjykatës kushtetuese, me synim krijimin e një sistemi penalizmi, i cili nuk synon të dëmtojë, por njëkohësisht nuk nxit dhe incentivon mospajtimin me ligjin”,- thuhet në relacion.

SHKARKO APP