Qeveria rrit taksat, ne rrisim çmimet

Fejton nga Hyskë Borobojka

Për zgjedhjen dhe blerjen e bukës së përditshme, nuk jam si disa, që s’u fle karari dhe i ndërrojnë dyqanet e furrat e bukës si mbreti gratë. Unë, o miq të dashur, kam gjetur karar te dyqani i shitjes së bukës në lagjen time dhe, meazallah, s’kam dëshirë ta ndërroj, të vete në ndonjë dyqan a furrë tjetër. Të them atë që është, se andej nga na del fjala do të na dalë shpirti, gjithë këto herë kisha mbetur, jo vetëm i kënaqur, por edhe i ngopur. Apo nuk është një zonjë apo zonjushe shitësja e dyqanit të lagjes time, për ta pirë në kupë. Mirësjelljen e ka në gjak e falënderimin në majë të gjuhës. Si ma zgjidhte bukën si e doja, ma paketonte në letër, ma fuste në qese dhe më përcjell me një buzëqeshje të ëmbël deri jashtë derës. Por edhe pse këtë detyre e kryeja rregullisht më së miri, me kalimin e ditëve, nuk shpëtova nga qortimet e kritikat e nikoqires time.

-I dashur Hyskë, – më tha një ditë. – Sikur po zvogëlohet e po lehtësohet çyreku i bukës. Mos harro t’i thuash asaj buzëkuqes ta peshojë, që të mos jetë eksiq!

-Ama llaf, – e kundërshtova. – Buka është standard në çdo furrë e dyqan dhe s’ka nevojë as për masë e as për peshë. Madje, ajo buzëkuqja, siç e mollois ti zonja grua, bashkë me bukën që ble, më fut në qeskë edhe kuponin.

-Moj zonjë a zonjushe, – i kam thënë disa herë.- Përse ma jepte këtë fatura? Mos kërkon t’ia dorëzoj Nafijes, të më kontrollojë e të bëjë bilancin e shpenzimeve ditore, mujore e vjetore?!?.

-Merre dhe mos e humb, zoti Hyskë! – më këshilloi shitësja, – Po të zuni kontrolli i qeverisë pa kapën, do ta lësh shtratin e ngrohtë bashkëshortor dhe do të përfundosh në shtëpinë pa qira!

Po ku i mbushej koka Nafijes time, që s’pushonte të më qortonte se më kishin zënë perde sytë, madje edhe të më akuzonte se ma kishte marrë mendjen ajo buzëkuqja e kolme. Nafija, jo se është bashkëshortja ime e dashur, por është një grua e lëçitur dhe e ditur, di çfarë thotë. Nuk qorrolliset kollaj.

E vërteta ishte se këtë fenomen të zvogëlimit e humbjes në peshë të bukës së përditshme, po e vija re edhe unë. Ditët kalonin, një me diell e një me hije, një me shi, tjetra me mjegull, njëra më e gjatë e tjetra më e shkurtër, siç po “shkurtohej” e bënte fir e po zvogëlohej, si doku kur e fusnin në ujë është buka, që merrja çdo ditë në dyqanin e lagjes. Sa hapja derën e shtëpisë e ia dorëzoja bukën Nafijes, nuk shpëtoja nga qortimet e saj.

-Hyskë ziu, s’të ka lidhur buzëkuqja me litar e s’lëvis dot nga dyqan i saj. Lere viranen, se po na nxjerr me këpucë të kuqe. Shko më tej në ndonjë dyqan a furrë tjetër, te ndonjë buzëkarafile apo buzëmavi tjetër!

Kjo “shko më tej”, më kujton një ngjarje të lashtë. Në banesën tonë, kur binte shi, në çati ishte hapur një vrimë dhe pikonte. Gjeta një usta dhe e hipte në çati e ta zinte, por, ai viran, në vend të zinte pikën e vetme, hapi dy të tjera. Kur zbriti nga çatia, Nafija i tha:

-Usta mavria, në vend të zije pikën që pikonte, hape dhe dy të tjera!

-Moj zonjë! – ia ktheu ai, – Ty s’të lidhur njeri të rrish atje ku pikon çatia, ikë një çikë më tej.

“Kjo “ike një çikë më tej” bëri që ta braktisja buzëkuqen e lagjes e fillova të gjurmoj dyqanet e furrat e tjera. Po ç’të them, sikur e kishin arritur në “konsensus”, të bënin marifetin e zvogëlimit të masës së bukës. Nuk durova  më dhe një ditë iu përvesha një furrtsari, duke i thënë: “Ç’është kjo hata, që po e fironi bukën në masë e në peshë?” Por e dini ç’më tha:

-Ç’të bëjmë, s’e kemi nga qejfi, por nga halli! Qeveria zmadhon taksat, ne zvogëlojmë bukën!

Dhe më tregoi se këtë marifet nuk e bënin vetëm furrat e bukës, por edhe bizneset e frutave, perimeve, peshkut, mishit, djathit, gjizës e me radhë. Kur qeveria rrit taksat, ata rrisin çmimet.

Shtimi i taksave nga qeveria dhe rritja e çmimeve nga bizneset, më kujtoi një ndodhi të vjetër, që më tregonte gjyshi, rahmet pastë. Në kohën e sundimit otoman, fshati ynë ishte qendër e krahinës dhe qeverisej nga një “mydir”. Në atë kohë gjyshi kishte hapur një si dyqani si kafene në mes të fshatit. “Mydiri” ishte merakli, jo vetëm pas rakisë që gjyshi e mbante ballë kazani, por edhe pas letrave të bixhozit. S’linte ditë pa vizituar lokalin e gjyshit dhe, pa futur mirë këmbën brenda, i thoshte:

-Pa mbushe me raki një pesëdhjetë drehemshe dhe merri kartat t’i lozim njëherë!

Loja e letrave bëhej me kusht. Ai që mundej duhet të paguante rakinë. Për gjithnjë lojën me letra e fitonte “Mydiri”, pasi ky i fundit, kur vine në lokalin e gjyshit, shoqërohej nga një “zaptije” (roje apo bodigard, si i thonë tani). “Zaptija” rrinte prapa kurrizit të gjyshit dhe i tregonte me shenja “mydirit” çfarë letra kishte në dorë kundërshtari. “Mydiri” fitonte ndërsa gjyshi paguante rakinë. Por ai, i ndritët varri atje ku ka rënë, dinte një më tepër. Hidhte në damixhanën e rakisë pesëdhjetë drehem ujë. Një radhë duke luajtur me letra e duke pirë raki, “Mydiri” i thotë:

-Zoti dyqanxhi, sikur po zbutet kjo rakia!

-“Mydir efendi”, – iu përgjigj gjyshi. – Po të rrijë ajo “zaptija” prapa kurrizit, hane hane sa do zbutet, do bëhet ujë fare!

Kështu është edhe me rritjen e shtimin e taksave. Po vazhdoi kështu siç e kanë zënë, qeveria në njërën anë dhe bashkia në anën tjetër, të vënë taksa përmbi taksa, çmimet e ushqimeve, të frutave e zarzavateve e me radhë, do të ngrihen në shkallën sipërore, aq sa do të bëhen “mollë e ndalume” . Ndërsa masa dhe pesha e bukës do të zvogëlohet, sa do të bëhen simite e kulaçe vetëm për mëngjes.

SHKARKO APP