Qeveria “ua mbledh” sërish lojrave të fatit
Pasi ndërmori gjatë muajve të parë të qeverisjes një aksion të rrufeshëm për mbylljen e lojrave të fatit, kabineti “Rama” tani duket se po “ua mbledh” sërish këtyre bizneseve. Dhe kjo, falë një nisme të re ligjore, e cila synon para së gjithash të përmirësojë kuadrin rregullativ ekzistues të tyre. Kjo u bë me dije dje nga vetë ministri i Financave Shkëlqim Cani, gjatë diskutimit në komisionin për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin të ligjit të ri “Për Lojrat e Fatit”. Duke pohuar faktin se ndryshimet në këtë ligj kanë si synim pikërisht luftën kundër informalitetit dhe evazionit. Ku një element tjetër që pritet të përmirësohet me këtë ligj, është edhe kufizimi i të drejtave të ushtrimit të aktivitetit të këtyre bizneseve, të cilat sipas ministrit këto dy vitet e fundit kanë nisur të jenë më të rregullt me zbatimin e ligjit. “Regjistër për lojtarët. Distanca e këtyre lojrave nga institucionet e arsimit dhe komuniteteve fetare. Është 10-fishuar distanca nga një pike basti në tjetrën, pra 200 metra për të gjitha”, – ka deklaruar ministri. Teksa një lojtari apo frekuentuesi të lojrave të fatit mund t'i ndalohet të hyjë në subjektet e licensuara si të tilla nëse familjarët e tij bëjnë një kërkesë me shkrim. Kjo është gjithashtu një nga risitë që sjell ligji i ri mbi lojrat e fatit, i cili u shqyrtua në komisionin e Veprimtarisë Prodhuese me prezencën edhe të ministrit të Financave. Duke shtuar edhe se një ndryshim tjetër i parashikuar është skema e re e taksimit, ku lojrat e fatit përjashtohen nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, jo më pak se 40 mijë lekë do të paguhet për çdo nipt sekondar. Ndërsa tarifa për t’u licensuar do të variojë nga 40 mijë lekë në 1miliardë lekë për kazinotë e mëdha. Ministri shprehu gjithashtu edhe bindjen se do të vijojnë kontrollet për të rritur edhe kufizimet në lojërat e fatit në vendin tonë, duke shtuar kështu edhe faktin se numri i tyre është rritur nga një vit në tjetrin. “ Të ardhurat nga lojërat e fatit janë rritur me 47.8%, do të vijojmë kontrollet për të evidentuar bizneset që ushtrojnë aktivitetin e tyre pa licencë”, ka përfunduar Cani. Duke konkluduar se qeveria e ka shpallur vitin 2015, si vitin e luftës ndaj informalitetit në shumë sektorë, ku dhe biznesi i lojrave të fatit është një ndër to. Pikërisht për të ndryshuar këtë situatë, në komisionet parlamentare ka nisur edhe diskutimi i projektligjit “Për lojrat e fatit”, që synon zhvendosjen e tyre nga qendrat e banuara, distancë 200 m në vijë ajrore nga njëratjetra, si dhe rritje e masave administrative.
LISTA
Ndryshimet në ligjin e ri të lojrave të fatit
1.Ngritja e sistemit të monitorimit online
2.Të dhëna reale për xhiron që sigurojnë
3.Regjistër të plotë të lojtarëve të fatit
4.Kontroll transaksioneve të lojrave të fatit
5. Vendosjen e gjobave deri në 500 mln lekë
6.Lojtarët duhet të jenë mosha mbi 21 vjeç
7.Distancë me institucionet fetare e arsimore
8.Distancë 200 metra nga njëra-tjetra
9.Kazinotë të zhvendosen jashtë qyteteve
10.Kufizim në reklamimin e lojrave të fatit
11.Licenca e lojrave të fatit, afat 10-vjeçar
12.Taksimi do jetë 25% e të ardhurave bruto
13.Tarifa e licencimit për bastet 200 mln lekë
14.Tarifa e licencimit për kazino, mbi 1 mld
Kërkesat shtesë që duhen për licencimin e lojërave të fatit:
Në mënyrë që shoqëritë e lojërave të fatit të kenë një historik aktiviteti të pastër për licencimin e shoqërive të lojërave të fatit, në projektligj janë parashikuar kërkesa shtesë, si:
• Përcaktimi i kritereve të aftësisë dhe përshtatshmërisë sipas parimit “Fit&Proper”;
• Licencë me afate kohore të përcaktuara;
• Tarifë fillestare dhe fikse licencimi;
• Zona dhe distanca të përcaktuara ku do ushtrohet ky aktivitet;
• Numër maksimalisht të kufizuar pikash sekondare për të ushtruar aktivitet /për çdo licencë;
• Kontroll në kohë reale nëpërmjet Sistemit Qendror të Monitorimit on-line (SQMO);
• Verifikim i pronarit të fundit përfitues të subjektit që aplikon për licencë;
• Verifikim me dokumentacion i historikut të marrëdhënies që ka aksioneri/ përfaqësuesi ligjor i shoqërisë me institucionet shtetërore.
Kundërvajtjet administrative
Projektligji i ri per lojërat e fatit ka parashikuar masa administrative në varësi të kategorisë së shkeljes (kundërvajtjes) administrative. Ku gjobat e parashikuara janë 500 000 apo 1 000 000 lekë, në ndryshim nga ligji aktual që parashikon një masë gjobe në nivel prej 500 000 lekësh.
Garanci për shlyerje detyrimesh
Garantimi i shlyerjes së detyrimeve ndaj institucioneve shtetërore nëpërmjet një garancie bankare, nëpërmjet një garancie bankare. Sipas këtij projektligji, organizatori është i detyruar të ngurtësojë një fond prej 5.000.000 lekësh, për mbrojtjen e lojtarit, në një llogari të veçantë bankare, në favor të Ministrisë së Financave, i cili zhbllokohet vetëm me urdhër të ministrit të Financave.
Në përmbajtjen e projektligjit parashikohet detyrimi i organizatorit të ngurtësojë një fond prej 10.000.000 lekësh për pagesën e detyrimeve ndaj AMLF-së dhe organeve të tjera shtetërore në një llogari të veçantë bankare. Mosngurtësimi i fondeve të garancisë përbën shkak ligjor për moslicencimin nga AMLF-ja.
Parashikimi: Normat e ulëta të interesit, mund të shkaktojnë trazira
Banka për Rregullime Ndërkombëtare BIS (Bank for International Settlements) paralajmëron se normat e ulëta të interesit janë një risk për efekte të kundërta në ekonominë e një vendi. Nëpërmjet një harte tregon shtetet sipas normës më të ulët. Në rajon shikojmë Greqinë, e shënjuar me ngjyrën “e kuqe”, me nivel të ulët norme bazë (0.05%), ndërsa vendi ynë “portokalli” me normën 2%. “Inflacioni i ulët dhe normat e interesit në të gjithë botën do të shtyjnë kufijtë e stabilitetit ekonomik dhe politik, në qoftë se ata vazhdojnë në trajektoren e tyre në rënie”, kështu ka paralajmëruar Banka për Rregullime Ndërkombëtare. Banka me qendër në Zvicër thotë gjithashtu se “trendi i zbritjes” së normave në të gjithë botën do të shtyjë shtetet drejt një territory të panjohur, shkruan e përditshmja The Telegraph. Deklarata thekson se 2.4 mld dollar të të borxhit afatgjatë global, tani po tregtohet me yielde negative, me një numër në rritje të investitorëve të gatshëm të paguajnë qeveritë për privilegjin e kreditimit për ta. “Ndërkohë që tregu i obligacioneve po na tregon ditë-pas dite për kufijtë jashtëzakonisht elastic të tyre”, – deklaron Claudio Borio, kreu i Politikave Monetare pranë BIS. ” Pasojat duhet të vëzhgohet nga afër, pasi pasojat detyrimisht janë të rëndësishmë”, vijon Borio. BIS paralajmëron se mjedisi i normave të ulëta të interesit, i cila ka çuar tashmë në thellimin e deficiteve të pensionit dhe fitimeve më të ulëta bankare, mund të rrezikojë një reagim të ashpër nga njerëzit e zakonshëm, kursimet e të cilëve janë duke u “tkurrur”. BIS tha se 20 bankat qendrore kanë lehtësuar politikën monetare gjatë tre muajve të fundit. Borio vuri në dukje se mjedisi i normës së ulët ishte bërë aq akute, saqë edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kishte vendosur të drejtat e saj të tërheqjes speciale, e cila shërben si formë e monedhës ndërkombëtare të FMN-së. “Nëse ky udhëtim i paparashikuar vazhdon,kufijtë teknike, ekonomike, ligjore dhe madje politike mund të testohen”, – përfundon Borio.