Qirinjte duhen para Pallatit te Drejtesise

 

Edvin Kukunja

Nuk është një tragjedi! Ajo që ndodhi në Prekal të Dukagjinit është një krim i paralajmëruar! Tragjedia u ndodhi familjarëve të çiftit çek, atyre të cilët sapo humbën dy të dashurit e tyre. Kurse për ne, shqiptarët që jetojmë e punojmë këtu, ngjarja e Dukagjinit nuk mund të e nuk duhet trajtuar si një tragjedi.

 

Tragjedia për ne shqiptarët ka ndodhur në momentin që njerëz amoral kanë shkelur pragun e gjykatave tona ngjeshur togën dhe gjerdanin e imunitetit që ajo togë të jep.

E jona nuk është tragjedi! Nuk ka sesi të quhet i tillë fakti që familjet shqiptare shpenzojnë mund e djersë për të arsimuar të rinjtë brenda dhe jashtë vendit e në karriget e gjykatave tona ulen e bëjnë ligjin matrapazë që as në tregjet e gjësë së gjallë nuk do të duhej të hynin.

Asnjë gjykatës nuk gëzon imunitet absolut për aktet që kryhen në ushtrimin e funksioneve të tij. Çdo gjykatës gëzon imunitet për aktet që kryen in bona fides dhe në përputhje me detyrat e tij kushtetuese dhe ligjore.

Nisur nga kjo premisë, krimi që një gjykatës kryhen në ushtrimin e detyrës së tij është një krim që nuk fshihet lehtë. Është një krim që mbetet e zezë mbi të bardhë mbi aktet publike që përmbajnë vendimet e tyre për çdo rast.

Këtë e dinë mirë të gjithë gjykatësit pa përjashtim! E dinë ata (ku janë? e pse nuk flasin?) që kryejnë detyrën e tyre me ndershmëri. E dinë dhe ata që kanë rrënuar e po rrënojnë drejtësinë shqiptare me vendimet e tyre që, në mos të papërgjegjshme në rastin më të mirë, blihen nga ofertuesi më i mirë në tregun e gjësë së gjallë. E gjëja e gjallë në këtë rast jemi ne, qytetarë shqiptarë e jo, që çdo ditë të jetës e jetojmë bazuar në besimin se dhe tjetrit i dhemb jeta jonë sa dhe e tija.

Vendimet e gjykatave janë akte publike, e si të tilla të aksesueshme nga të gjithë (kur zbardhen në kohë e jo kur mbahen peng me vite nga gjykatës që e dinë ç’kanë bërë e andaj nuk ka gjasa të zbardhin krimin e tyre). Merrini dhe lexojini! Shqyrtojini një nga një! Bëjeni sepse  KLD-ja, kjo KLD, organi përgjegjës për administrimin e gjykatave shqiptare, deri më tani nuk e ka bërë e nuk do ta bëjë kurrë. Nuk ka pse ta bëjë për parimin e thjeshtë të rrufjanllëkut dhe shk……. . Nuk mund të denoncojnë vetveten!

Merrini dhe lexojini dhe me to në duar, e jo qirinj, shkojuni e kërkojuni llogari për krimet e tyre me pushtetin që ne, qytetarët, u kemi dhënë jo që të na vrasin por që të na mbrojnë me përgjegjshmëri e barazi. Merrini, ç’prisni?!

SHKARKO APP