QKB: 25% e bizneseve akoma nuk kanë dorëzuar bilancin, afati i fundit 31 korriku
Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) edhe më herët ka përsëritur thirrjen e saj për ndërgjegjësim nga ana e biznesit dhe dorëzim në kohë, çka do të evitonte një fluks të papërballueshëm në ditët e fundit. Kjo në shumë raste ngadalëson sistemin duke e nxjerrë edhe jashtë funksionit sikurse ka ndodhur në vitet e mëparshme.
Sipas QKB bizneset duhet të depozitojnë :pasqyrat financiare vjetore të skanuara ne format PDF, raportin e auditimit dhe ecurisë së veprimtarisë (kur mbajtja e tyre është e detyrueshme), vendimin për miratimin e pasqyrave financiare (sipas kërkesave ligjore).
Nëse një subjekt nuk përmbush këtë detyrim, brenda afatit ligjor të përcaktuar në ligjin nr.9723 datë 3.5.2007 “Për Regjistrimin e Biznesit”, i ndryshuar, atëherë QKB, së bashku me zbatimin e sanksionit të parashikuar në pikën 3, të nenit 74, të këtij ligji, vepron në përputhje me parashikimet e shkronjës “ë”, të nenit 54, të këtij ligji.
Mënyra e depozitimit:
Depozitimi i dokumenteve të sipërcituara mundësohet vetëm nëpërmjet aplikimi online në portalin qeveritar e-albania, duke ndjekur të gjitha hapat e procedurës për kryerjen e aplikimit;
Formati elektronik i ruajtjes së pasqyrave financiare, duhet të jetë në PDF, ku çdo dokument të ngarkohet si një dokument i vetëm;
Individi i cili do të kryejë aplikimin, duhet të jetë i pajisur me kartë identiteti ose pasaportë biometrike;
Shërbimi ofrohet pa pagesë.
Përjashtim nga procedura online bëjnë subjektet me administrator të huaj dhe shoqëritë e kursim kreditit, aplikimet e të cilëve kryehen vetëm në sportelet e QKB-së./Monitor/