QKB: Biznesi mund t’i dorëzojë bilancet deri sot në mesnatë

Teksa datat 30 dhe 31 korrik qëlluan e shtunë dhe e dielë, dorëzimi elektronik i bilanceve në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB)  mund të vazhdojë pa penalitet edhe ditën e hënë, më 1 gusht.

Lajmi është zyrtarizuar nga vetë drejtoresha e QKB-së, Vasilika Vjero.

Ndonëse në faqen e internetit të QKB-së vijon të jetë afati i fundit data 31 korrik, Vjero thotë se njoftimi që bilancet mund të dorëzohen edhe në 1 gusht është publikuar në portalin e-Albania, aty ku bëhet dhe aplikimi online.

Në portalin e-Albania njoftohet saktësisht se “Ju bëjmë me dije se aplikimi për depozitimin e pasqyrave financiare, raporteve të auditimit dhe të veprimtarisë i kryer jashtë afatit ligjor do të refuzohet, nëse subjekti nuk ka shlyer sanksionin administrativ, përkatësisht gjobën në masën 15 000 lekë të parashikuar në pikën 3, të nenit 74, të Ligjit Nr. 9723/2007. Për të vijuar më tej me aplikimin duhet që të bashkëlidhni edhe mandatin e pagesës së gjobës së derdhur në një nga bankat e nivelit të dytë, mandat i cili për t’u klasifikuar si i vlefshëm duhet të përmbajë të dhënat sipas faturës së arkëtimit. Afati i fundit i dorëzimit të dokumenteve të mësipërme në portalin e-albania është data 1 gusht 2016, ora 23:59”.

Sipas Ligjit Nr.9723, datë 03.05.2007, “Për Qendrën Kombëtare të Biznesit, i ndryshuar, neni 43, pika 3 (a), subjektet kanë detyrimin të depozitojnë pasqyrat financiare vjetore, raportin e ecurisë së veprimtarisë dhe raportin e auditimit, të mbajtur sipas kërkesave ligjore, kur mbajtja e këtyre dokumenteve është e detyrueshme.

Dokumentacioni i nevojshëm

– Pasqyrat financiare vjetore të skanuara në format PDF

– Raporti i auditimit dhe ecurisë së veprimtarisë (kur mbajtja e tyre është e detyrueshme).

– Vendimi për miratimin e pasqyrave financiare (sipas kërkesës ligjore).

SHKARKO APP