QSUT, tender 36.7 milion lekë për blerjen e 220 pajisjeve pacemaker për pacientët me aritmi
Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza ka hapur procedurat e prokurimit për blerjen e materialeve mjekësore për shërbimin e Hemodinamikës. Fokusi i tenderit me vlerë 36.7 milionë lekë është blerja e pajisjeve pacemaker për pacientët që vuajnë nga çrregullime të rrahjeve të zemrës, ose aritmi.
Brenda datës 31 Dhjetor 2017, do të blihen 220 pajisje të tilla, të ndara sipas specifikave të veçanta. Për këtë arsye tenderi është ndarë në 6 lote me vlera nga 4.8 në 11.4 milionë lekë, ndërsa Ofertat e kompanive do të priten deri më 22 Nëntor.
Pajisjet pacemaker janë të rëndësishme për pacientët që vuajnë nga aritmia, pasi ato vendosen në kraharor dhe përdorin pulse elektrike për të detyruar zemrën të rrahë në ritme normale.
Investimi në 220 pacemaker përbën një kontribut shumë të madh në shërbimin e kardiologjisë dhe është pjesë e 10 paketave shëndetësore të cilat ofrohen falas. Paketa e shërbimit të vendosjes së pacemakerit definitiv financohet nga Fondi i Sigurimit të detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në vlerën 209.598 lekë për rast.
/Scan