Ra teoria e Berishës së “fitores në tavolinë”
Nga Eduard Zaloshnja
Pasi u miratua në Kuvendin e Shqipërisë ndarja e re territoriale, Berisha deklaroi në një emision televiziv se do t’i sugjeronte drejtuesve të PD-së që t’i bojkotonin zgjedhjet lokale, pasi ndarja që kishte bërë dyshja Rama-Meta ishte thjesht për qëllime elektorale. Sipas tij, ajo i siguronte mazhorancës fitoren e sigurtë në 52 bashki (nga 61 të krijuara), bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të parvjetshme.
Këtë tezë të Berishës e përdorte për 6 muaj rresht pothuaj çdo politikan i opozitës e analist pranë saj, në çdo foltore të mundshme. Por 6 muaj pas publikimit të saj, i ndodhur nën trysninë e partnerëve tanë euroatlantikë, Basha deklaroi se PD-ja do të futej në zgjedhje, dhe me një votë plebishitare, do ta rrëzonte ndarjen territoriale të dyshes Rama-Meta.
Tani që kemi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në pothuaj të 61 bashkitë, mund të analizojmë nëse teoria e Berishës së “fitores në tavolinë” u materializua.
Vetëm në 11 bashki (Kukës, Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Peqin, Libohovë, Librazhd, Bulqizë, Skrapar, Durrës, Vorë, Krujë), teoria e Berishës pati një fuqi perfekte parashikuese – kandidatët për kryebashkiakë të koalicionit ASHE arritën një përqindje pothuaj identike me atë që kishin realizuar parvjet partitë e këtij koalicioni.
Por ajo teori dështoi në mënyrë spektakolare në Përmet, për shembull, ku kandidati i ASHE-s, humbi në një bastion që ka qenë i së majtës qysh në 24 maj të vitit 1944… Ose në Has, për shembull, ku kandidati i ASHE-s fitoi thellë në një bastion që ka qenë berishian qysh në 31 mars të vitit 1992.
Plot 37 kandidatë për kryebashkiakë të ASHE-s, arritën një përqindje më të ulët se ajo që realizuan parvjet partitë e këtij koalicioni, ndërsa 10 kandidatë të ASHE-s arritën një përqindje më të lartë (Për të analizuar arësyet e këtyre devijimeve, do të duhej nga një shkrim më vete për secilën). Ironikisht, në Tropojë, në bastionin më simbolik berishian, kandidati i ASHE-s shënoi rritjen më të lartë të përqindjes – plot 15% më shumë se sa realizuan parvjet partitë e këtij koalicioni – dhe për pak sa nuk fitoi…
Në tabelën bashkëngjitur janë devijimet e përqindjeve nga 2013-ta, për 58 bashki. Kurbini është lënë jashtë tabelës, pasi opozita, praktikisht, nuk mori pjesë në zgjedhje atje. Ndërsa Finiqi dhe Dropulli janë lënë jashtë sepse, në këto dy bashkiza, gara reale ishte mes kandidatëve minoritarë grekë.